PAS NISJES SË NEGOCIATAVE ME UKRAINËN DHE MOLDAVINË – Ku mbeti Ballkani Perëndimor?

    Ditë më parë, Ukraina dhe Moldavia nisën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke mbajtur konferenca ndërqeveritare para përfundimit të presidencës belge të Këshillit të BE-së. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në platformën X, ka uruar dy vendet për këtë akt. “Përgëzoj Moldavinë dhe Ukrainën për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Ky është një lajm shumë i mirë për popullin e Ukrainës, Moldavisë dhe të gjithë Bashkimit Evropian. Rruga përpara do të jetë e vështirë, por plot mundësi”, tha Von der Leyen.

    Në prapavijën e këtij akti historik, mbeti pyetja – po me ritmin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor? Të njëjtën gjë i është kërkuar edhe ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, dy ditë më parë, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg. “Përpara Ukrainës ka shumë vende nga Ballkani Perëndimor. Ne duhet të shkojmë më tej dhe shpresoj për anëtarësim të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor para vitit 2030 dhe më pas duhet të punojmë me Ukrainën dhe Moldavinë. “Unë mendoj se është e rëndësishme që menjëherë të fillohet një dialog me Ukrainën” tha ai. Vërejtjes së një gazetari se kjo do të thotë se ai mendon se Ballkani Perëndimor duhet të ketë avantazh ndaj Ukrainës, Tajani iu përgjigj: “Sigurisht. Ata janë kandidatë për një kohë të gjatë. Mendoj se jemi afër përfundimit (procesit) po ashtu kanë filluar më herët (me integrimin evropian). Në të njëjtën kohë duhet të punojmë me Ukrainën, por mendoj se na duhet kohë”, tha Tajani.

    Gjashtë shtete nga Ballkani Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe BeH janë në faza të ndryshme të integrimit të tyre në BE. Kroacia ishte shteti i fundit anëtar i BE-së që u bashkua në vitin 2013. Shqetësimet perëndimore për stabilitetin rajonal të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia kanë shtuar urgjencën në procesin e pranimit, por pengesat bilaterale po ngadalësojnë procesin për disa vende kandidate.

    ULJE-NGRITJE

    Deklarata e Mickoskit para se të votohet Qeveria – “nën një diktat të tillë bullgar, në rrethana të tilla sa jam kryeministër nuk do të ketë ndryshime kushtetuese”, ka shkaktuar reagime në Sofje. Ministria e Punëve të Jashtme bullgare ka kujtuar dje në një deklaratë se konsensusi evropian i arritur në verën e vitit 2022 midis 27 vendeve anëtare të BE-së dhe Maqedonisë së Veriut përshkruan qartë hapat për të arritur përparim real në procesin e integrimit evropian. “Ngritja e ideve për rinegocimin e detyrimeve ndërkombëtare të ndërmarra tashmë do të çojë në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave të anëtarësimit në BE. Kujtojmë se si pasojë e provokimeve dhe konfrontimeve të panevojshme me vendet fqinje, Maqedonia e Veriut tashmë ka humbur shumë kohë në procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim”, thuhet në njoftim. Për Sofjen zyrtare, “qëllimi i shprehur i qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut për të refuzuar kërkesën legjitime të një pjese të qytetarëve të saj për të garantuar të drejtat dhe liritë në baza të barabarta me të gjitha komunitetet e tjera në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë përfshirjen e tyre në Kushtetuta është e papranueshme”.

    Ish-kryeministri Kiril Petkov nga koalicioni PP-DB, para seancës së djeshme të grupit parlamentar tha se po mundohen që RMV të respektojë obligimet që ka marrë. Ai kujton se kur ishte kryeministër, 27 vende votuan për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së. “Ishte ‘propozimi francez’, i cili u votua. Ky propozim nuk mund të ndryshohet dhe do të jetë shumë për të ardhur keq nëse Maqedonia e Veriut kthehet në një drejtim tjetër, jo drejt Evropës”, ​​tha Petkov.

    Deljan Peevski, bashkëkryetar i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri, kritikon se kryeministri i sapozgjedhur i RMV-së ka zgjedhur konfrontimin dhe nëpërkëmbjen e parimeve evropiane. Sipas Peevskit, refuzimi i deklaruar me arrogancë për përmbushjen e kushtit që kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë është shkelje e rëndë e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe Bullgaria nuk do të qëndrojë indiferente ndaj këtij provokimi. “Unë pres që të gjithë deputetët në parlamentin bullgar dhe deputetët bullgarë në Parlamentin Evropian, pavarësisht nga përkatësia partiake, të mos i injorojnë ato procese alarmante në vendin tonë fqinj”, tha bashkëkryetari i DPS-së.

    RASTI BELERI

    Mbetet e paqartë edhe se si do të ecë rruga integruese e Shqipërisë, pasi Gjykata e Apelit Shqiptar konfirmoi dënimin me dy vite burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili është anëtar i minoritetit grek në Shqipëri. Menjëherë erdhi një reagim nga Athina. “Vendimi i gjykatës forcoi shqetësimin për nivelin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri”, thuhet në reagimin e Ministrisë të Jashtme të Greqisë.

    Kryebashkiaku i Himarës, Fredi Belleri (51), u burgos me akuzën e blerjes së votave në zgjedhjet lokale në Shqipëri. Ai nuk u betua si kryetar bashkie sepse u arrestua dhe më pas u dënua me dy vjet burg. Ai mohoi akuzat dhe Athina e konsideroi arrestimin e tij të motivuar politikisht. Greqia i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ndalojë gjyqin e Belerit, pasi çështja mund të ndikojë negativisht në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria shqiptare u përgjigj se nuk mund të bënte asgjë derisa çështja ishte në gjykatë. Por Beleri, i cili ka shtetësi të dyfishtë, tani ka fituar edhe një vend në Parlamentin Evropian, duke përfaqësuar partinë qeverisëse Demokracia e Re në zgjedhjet e PE-së të qershorit.

    Ministria e Jashtme greke kujton se Beleri është jo vetëm kryebashkiaku i Himarës i zgjedhur, por edhe deputet i Parlamentit Europian. “Prandaj, është përgjegjësi e autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë mundësinë atij të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Europian, duke filluar nga seanca plenare e korrikut”, tha MPJ greke. “Anëtarët e Parlamentit Evropian gëzojnë imunitet të konsiderueshëm ligjor nga ndjekja penale, edhe nëse akuzat kanë të bëjnë me akte të kryera para se të zgjidheshin. Në rastin e Belerit, ky rregull nuk ka gjasa të ndikojë në rezultatin, pasi ai po vuan dënimin për një krim të kryer në një vend jashtë BE-së”, shkruan Associated Press.

    PAK MË AFËR MALI I ZI

    Për shkak të barrës së pengesave dypalëshe në rrugën evropiane, në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka shumë optimizëm se integrimi do të ndodhë më shpejt, edhe në rrethanat aktuale gjeopolitike. Burime diplomatike të paidentifikuara nga BE kanë theksuar vazhdimisht në deklaratat për mediat evropiane se “Mali i Zi është më afër” zgjerimit të ardhshëm të mundshëm të BE-së, por nuk parashikuan se kur do të ndodhte kjo. Shanset për kandidatët e tjerë “maten” në korrelacion me peshën e mosmarrëveshjeve të tyre bilaterale dhe duke theksuar nevojën për meritat e tyre dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

    Aktualisht Mali i Zi konsiderohet të jetë “i avancuar” në proces krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Është destinacioni ku me ftesë të presidentit malazez Jakov MilLatoviq, do të jetë për një vizitë zyrtare në datat 2 dhe 3 korrik Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Sipas një deklarate nga zyra e Milatoviqit, vizita e Michel do të bëhet në pritje të konferencës së ardhshme ndërqeveritare midis Malit të Zi dhe BE-së dhe synon të nxjerrë në pah perspektivën evropiane të Malit të Zi dhe përparimin e tij në rrugën evropiane duke marrë raportin e vlerësimit për kapitujt 23 dhe 24, dhe për vazhdimin e procesit të reformave. Nga kabineti shtojnë se vizita e Michel përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis Malit të Zi dhe BE-së në nivel politik dhe ekonomik dhe konfirmon më tej angazhimin e vendit për të vazhduar edhe më me vendosmëri drejt anëtarësimit të plotë në BE. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    NË DET ME USHQIME NGA SHTËPIA!

    Lajmi i rradhës

    Sonte në Teatrin e Tetovës jepet premiera e shfaqjes “Tartufi” të Molierit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë