Pas pandemisë, viti 2022 ka qenë vit i udhëtimeve në aeroportet e RMV-së

    Aeroporti Nderkombëtar i Shkupit / Fotografia: Nistori

    TAV Maqedoni, operatori i dy aeroporteve të vendit, Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit dhe Sh. Apostoll Pavle Ohër, shënon një rritje prej 70 për qind të trafikut të pasagjerëve në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, ndërsa krahasuar me vitin referues në aviacion, të vitit 2019, trafiku i pasagjerëve është në -11 për qind, pra 89 për qind rikuperim konform statistikave të trafikut ajror të pasagjerëve për vitin 2019.

    Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Sh. Apostoll Pavle në Ohër, siç informojnë nga TAV-i e përmbyllën vitin 2022 me një rikuperim të ndjeshëm të trafikut ajror, duke arritur afërsisht rreth 2.4 milionë pasagjerë ose gjithsej 2.371.423 pasagjerë të shërbyer dhe 19.448 fluturime.

    Nga TAV theksojnë se pas dy viteve jashtëzakonisht të vështira për industrinë e aviacionit në mbarë botën dhe pas fillimit të periudhës së rimëkëmbjes pas pandemisë, e cila filloi në veçanti në mesin e vitit 2022 me sezonin e verës, rritja e fuqishme e vëllimit të trafikut ajror të pasagjerëve nënkupton se njerëzit janë të sigurt dhe të gatshëm të udhëtojnë me avion dhe se trafiku ajror është në rrugën e tij drejt arritjes së nivelit para krizës.

    “Sipas shifrave dhe statistikave, rezultatet dhe dinamika e rimëkëmbjes së aeroporteve të menaxhuara nga TAV Maqedoni ndjekin normat evropiane dhe botërore të rimëkëmbjes. Jemi veçanërisht krenarë dhe të lumtur që rimëkëmbja e tregut të trafikut ajror në Maqedoninë e Veriut shkon edhe më larg se parashikimi i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroportit – ACI për lëvizjen globale të trafikut ajror, skenari optimist i të cilit parashikonte se trafiku ajror global në vitin 2022 do të jetë në nivel prej -23 për qind dhe aeroportet e Shkupit dhe Ohrit e përmbyllën vitin 2022 me -11 për qind, ose 89 për qind të vëllimit të pasagjerëve në vitin 2019. Nga këtu mund të konstatohet se TAV Maqedoni si operator i aeroportit në mënyrë efikase dhe të suksesshme e tejkalon krizën dhe pasojat e saj, ndërsa rritje e fuqishme e trafikut ajror të pasagjerëve dhe numri i fluturimeve do të ishin karakteristikat e vitit të kaluar 2022”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Metin Batak.

    Përfaqësuesit e operatorit të aeroportit besojnë se ky trend pozitiv në rimëkëmbjen e trafikut ajror të pasagjerëve do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023 dhe se parashikimet e ACI-së për trafikun e pasagjerëve në aeroportet evropiane prej -9 për qind për vitin 2023, krahasuar me vitin 2019, do të tejkalohen sërish.

    Destinacionet më të frekuentuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, sipas statistikave të trafikut ajror për pasagjerët të TAV Maqedoni për vitin 2022, janar – dhjetor, janë Stambolli (dy aeroportet IGA dhe Sabiha Gokçen me 13.1 për qind të tregut), Basel Milus (6.3 për qind), Vjena (6.2 për qind), Cyrih (6.2 për qind), Antalia (4.2 për qind), Dortmund (4 për qind), Mynih Memingen (4 për qind) dhe Kolni (3.1 për qind).

    Pesë vendet kryesore me fluturime direkte për vitin 2022 janë Gjermania (24 për qind e tregut); Turqia (19,1 për qind); Zvicra (14,2 për qind); Suedia (6.9 për qind) dhe Austria (6.2 për qind).

    Lajmi Paraprak

    Bujqit mund të përballen me pasojat e mungesës së borës dhe shiut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë