Ligji për praktika të padrejta tregtare do të fillojë zyrtarisht nga 1 janari 2025, me të cilin pritet të rregullohen marrëdhëniet ndërmjet prodhuesve, furnitorëve dhe tregtarëve, tha sot zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Risteski, duke theksuar se deri tani në periudhën e monitorimit janë përcaktuar 26 praktika të padrejta tregtare.
Ai theksoi se në afat më të gjatë me këtë ligj do të kemi rregullim më të madh të çmimeve të produkteve si efekt përfundimtar, pra në interes të konsumatorëve, blerësve dhe qytetarëve.
“Ky kaos ka ekzistuar më parë dhe sforcimi i produkteve të huaja në raport me prodhimet vendase, këtu do të kemi një barazim edhe në raport me marketet”, tha ai.
Ai ka treguar se pas Vitit të Ri do të hyjnë në fuqi gjobat, të cilat shkojnë rreth 20 mijë euro.
I pyetur për të komentuar për rritjen e çmimeve të produkteve në markete dhe në shportën e re, Risteski tha se tregtarët, prodhuesit, tregjet, komuniteti i biznesit premtuan para gjithë opinionit se do ta mbështesin aksionin që doli prej tyre, me çka do të ketë ulje prej të paktën 10 përqind të produkteve ushqimore bazë në shportën e Vitit të Ri.
“Tregtarëve, por edhe prodhuesve do t’u thosha se shporta ka 1100 produkte dhe kanë kohë deri në fund të javës, nëse ka parregullsi, t’i korrigjojnë, të ulin çmimin e produkteve ushqimore, para së gjithash, për qytetarët”, tha ai.
Sipas tij, ka kompani me përgjegjësi shoqërore, të cilat i kanë premtuar popullit, sidomos për produkte të caktuara, si vaji i gatimit, sheqeri, prodhimet e qumështit, produktet e mishit, si mishi i viçit, derrit dhe vezët.
Ai shtoi se nëse nuk e bëjnë këtë, Qeveria do të prezantojë masa edhe më drastike në periudhën e ardhshme.