Edhe pse pjesa më e madhe e dibranëve jetojnë në mërgim dhe një pjesë e tyre kanë biznese të mëdha si në SHBA ashtu edhe në vendet e Europës, përsëri kur është në pyetje investimi i tyre në vendlindje, të njëjtat janë minimale. Në fillim të tranzicionit viteve të ’90-ta, pati disa investime dhe pastaj pati edhe një shembull shumë të mirë nga kompania “Slice”. Por kjo mbeti me kaq duke përjashtuar rastin shumë pozitiv të kompanisë “Slice”, e cila vazhdon të jetë lidere në punësimin e të rinjve dibranë.
Gazeta Koha kontaktoi me disa dibran që kanë biznese në SHBA, por edhe shtetet të BE-së, me qëllim që të evidentojë shkaqet që ndikojnë në mosinteresimin e tyre që të nisin investimet edhe në Dibër. Pjesa më e madhe e biznesmenëve thonë se problem për investimet është pasiguria meqë në vend ka shumë probleme si politike, ashtu edhe ekonomike. Por ka edhe të tjerë që janë optimistë se për një kohë të shkurtër, do të tejkalohen problemet.
Mes biznesmenëve dibran, të cilët jetojnë dhe kanë biznese të suksesshme në SHBA e që investoi i pari në vendlindje, është Ibrahim Kolari, i cili mbi tre dekada jeton në Amerikë. Kolari privatizoi kompaninë për prodhimin e betonit “Korabi Redimiks”, dhe me sukses punon shumë vite me radhë. I njohur edhe për karakterin human të tij, Ibraim Kolari për Koha thotë se janë shumë probleme që pengojnë diasporën dibrane të investojë në vendlindje.
“Nuk shohim siguri për paratë që i investojmë, nuk respektohen ligjet, nuk merren parasysh standardet në mjedisin jetësor dhe ka shumë probleme burokratike”, tregon Kolari, ndërsa shton se gjithmonë ka dashur të investojë në vendlindje, por problemet janë të shumta.
Sipas tij, qyteti edhe gjatë ditëve të verës, kur diaspora kthehet në vendlindje, ka shumë probleme, ndërsa ligjet shumë pak funksionojnë. Pothuajse të njëjtën gjë e pohojnë edhe disa pronarë të kompanive të vogla e që janë të biznesmenëve dibran. Dhe tani, pas investimeve të dikurshme të disa biznesmenëve mërgimtar, tani situata është në vendnumëro. Në Odën Ekonomike Rajonale në Dibër thonë se investimet e diasporës do të ishin shumë të mira për zhvillimin e Dibrës, por ka kohë që nuk ka paralajmërime për investime të reja.
Para do kohësh u mbyll ordinanca për diagnostifikimin e kancerit në gji “Florina Marku Rusi”, që ishte hapur nga familja Rusi që jeton në SHBA, investimi i fabrikës “Diekotek” nga familja Dobrova nuk është zgjeruar edhe pse ishte një investim shumë serioz, ndërsa situatë e njëjtë është edhe në disa investime tjera nga biznesmenë nga diaspora dibrane.
Vetëm rasti i familjes Sela që ka hapur kompaninë “Slice” jap një optimizëm të madh, meqë nga dita në ditë, po rritet numri i punëtorëve si në Dibër, ashtu edhe në Ohër dhe Shkup. Pronari i kompanisë, Ilir Sela, thotë se vetëm në Maqedoninë e Veriut janë mbi 800 punëtorë, kryesisht të rinj të moshë, nga të cilët afër 250 janë në Dibër. Ai, nëpërmjet drejtorisë në Dibër që udhëhiqet nga Butrint Sela, potencon se do të vazhdojë rritja e numrit të të punësuarve. Në ndërkohë, pushteti vendor në Dibër, i cili poashtu mendon se investimet e diasporës janë shumë domethënëse për zhvillimin ekonomik, në kontinuitet fton diasporën të investojë në vendlindje.
“Ka zyrë speciale për bashkëpunim me diasporën ku biznesmenët, por edhe të tjerët mund të marrin të dhëna për sferat e investimit, për përkrahje të Projekteve komunale e të tjera”, thotë kryetari i Komunës, Hekuran Duka.