Pasojat e rrëfimit tim

    Isha 11 vjeç kur u abuzova seksualisht për herë të fundit. Nuk e mbaj mend kur ka ndodhur për herë të parë. Ndoshta sepse e gjitha ishte e turbullt. Por, më kujtohet hera e fundit.

    E shihni, gjithmonë besoja se isha mirë – dhe, isha mirë për një kohë. Kurrë nuk kam qenë e traumatizuar siç mund të imagjinohet të jetë një person i traumatizuar. Kurrë nuk kam pasur makthe, kurrë nuk kam pasur riparaqitje të përvojës sime të abuzimit seksual kur isha me ndonjë të dashur dhe as nuk ndihesha sikur abuzimi ma kishte përcaktuar ndonjë veprim që bëja. Megjithatë, tani e kuptoj që trauma mund të marrë forma të ndryshme. Jo gjithmonë duhet të jetë e dukshme dhe as nuk duhet të dalë menjëherë. Për disa kërkon kohë, kërkon njohje.

    Kisha disa momente gjatë jetës sime kur nuk isha mirë dhe kur e kujtoj tani, të gjitha momentet kishin të bënin me heshtjen.

    Në vitin 2019, fillova praktikën në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore dhe ishte hera ime e parë që rrethohesha nga njerëz që mendonin tamam si unë në Kosovë. Vështirë besohet, por kur je e kufizuar në mjedisin tënd, nuk mendon kurrë se çfarë tjetër mund të ketë përtej. Feministe të zëshme, aktivistë, liderë LGBTQI+.  Ndjeva se më në fund më ishte hapur dera për një botë krejt të re. Thjesht kurrë më parë nuk i kisha çelësat për ta hapur. Për herë të parë, mund të hyja në një dhomë në Kosovë dhe të dija se nëse do të lëshoja piskamë kundër patriarkatit, shumica e njerëzve do të dëgjonin dhe do pohonin me kokë – nuk do të shihesha si e çmendur dhe nuk do të më qeshnin para fytyrës.

    Deri atëherë, unë kurrë nuk e kisha menduar veten si një të mbijetuar “të heshtur”. Unë besoja se historia ime tashmë dihej që nga çasti kur rasti im kaloi në gjykatë. Megjithatë, një ditë unë ndoqa një takim rreth dhunës në familje në Kosovë dhe fjala “heshtje” ishte prezente në pothuajse secilën fjali. Heshtje, heshtje, heshtje. Dhe, papritmas, pyeta veten: A mos po më heshtnin edhe mua? Pse jam duke heshtur për historinë time?

    “Unë asnjëherë s’kam pasur kontroll mbi abuzimin seksual, por pse mos ta kontrolloj se si e tregoj historinë time?”, mendova. Dhe kështu bëra. E ndava historinë time në platformën e Kosovo 2.0. E kisha shkruar artikullin tim brenda një ore. Ishte pothuajse sikur duart e mia e kishin pritur këtë moment për shumë, shumë vite. Gjithçka rrodhi aq qetë, aq natyrshëm. Unë e dërgova artikullin atë ditë pa pasur ndonjë ndjenjë të veçantë, pa plan, pa pritje dhe jam shumë krenare për veten time që jam ndjerë kështu. Jam krenare për veten time që kurrë nuk kam menduar për “të pastajshmen” sepse në një botë të mirë nuk duhet të mendosh kurrë për këtë.

    Unë tash çfarë dua të them është se pasi ndava historinë time publikisht, pasojat ishin shumë më të këqija sesa përjetimi i vetë abuzimit seksual. Ndoshta sepse tani jam më e pjekur e jam më e vetëdijshme për njerëzit përreth meje. Apo ndoshta sepse pasojat e ndarjes së historisë sime janë më të freskëta sesa abuzimi seksual. Çfarë nuk do të them është “pendohem që e kam bërë”, sepse nuk pendohem.

    Unë e humba krejt familjen pasi u botua historia ime. Mora mesazhe të cilat nuk më uronin asgjë tjetër përveç të keqes.

    “Ti e din se po gënjen.”

    “Ke ardhë këtu për ta shkatërruar familjen, por veç je tu e shkatërru’ jetën tënde.”

    “Ti kurrë nuk do ta dish se çfarë është dashuria dhe familja në të vërtetë.”

    Gjatë javëve në vijim, pasi kisha ndarë historinë time, mendja nuk më ndalej as edhe për një sekond. Shkoja në shtrat e rraskapitur dhe zgjohesha e lodhur, ndonëse nuk bëja asgjë tjetër përveç që qëndroja e shtrirë tërë ditën. Kur njerëzit më quanin të fortë për atë që kisha shkruar, ndjehesha sikur po i tradhtoja me veten time të dobët. “Nëse ata do të mund të më shihnin tani”, unë mendoja, “do të më shihnin si gjithçka pos të fortë”. Për herë të parë shëndeti im mendor kishte mposhtur tërë veten time fizike. Nuk kisha oreks dhe nuk kisha asnjë sekond për veten time që të ndjehesha në paqe. Mendja ime sillej rrotullueshëm duke përsëritur të gjitha gjërat që më ishin thënë, të gjitha gjërat që mendoheshin për mua. Isha në shok, sepse, në mënyrë naive, as që e kisha menduar ndonjëherë që kjo do të mund të ndodhte.

    U fajësova për shumë, shumë gjëra. U mora në pyetje se pse kisha vendosur të flisja mu tani. U vendosa në një kuti dhe krahasohesha me atë se si do të duhej të dukej një viktimë “perfekte” në sytë e tyre. Unë u fajësova. Jo abuzuesit. Gishtat drejtoheshin nga UNË dhe te askush tjetër.

    Papritmas u bëra unë fajtore. Unë isha keqbërësja, duke ua shkatërruar jetët njerëzve pas shumë vitesh të një heshtjeje të përsosur. Si mund ta bëja këtë?

    A dini si mund ta bëja?

    Sepse për herë të parë gjatë jetës sime, unë isha e rrethuar nga njerëz të mirë në Kosovë me mendësi feministe, e zemra feministe. Për dy muaj e gjysmë, unë po jetoja në një flluskë në Kosovë – e kuptoj tani. Pothuajse çdo ditë, isha në hapësirë të sigurt. Mund të flisja për komunitetin LGBTQI + dhe të kuptohesha. Mund të ankohesha për burra çdo ditë dhe të tjerët të pajtoheshin me mua. Mund të flisja për veten time, për sfidat e mia dhe ta dija se gjithmonë mund të kisha njerëz tek të cilët do të mbështetesha. Po harroja plotësisht se si qëndron e vërteta në rrugët tona, në shtëpitë tona – megjithëse më kujtohej vazhdimisht, natyrisht. Por të mirat në atë kohë gjithnjë i linin në hije të këqijat.

    Jo të gjithë e kanë këtë luks. E quaj luks sepse deri në atë verë, nuk kam ditur kurrë se si të depërtoj tek kjo pjesë e Kosovës. Unë qesh me të tani, sepse nuk bëj asgjë më shumë përveç se i kaloj ditët duke lexuar artikuj nga aktivistë kosovarë, duke dëgjuar feministe kosovare dhe duke u treguar vazhdimisht miqve të mi jashtë vendit për lëvizjen feministe në Kosovë. Do të doja që e gjithë jeta ime të ishte e mbushur me këtë. Do të doja të mos më duheshin 24 vite për ta zbuluar Kosovën që e njoh tani.

    Dhe, kështu, kjo është ajo që u duhet të mbijetuarve. Mbështetja. Mbështetje publike nga të gjitha cepat e vendit. Unë nuk mund t’ju premtoj se familja juaj, miqtë tuaj, fshati juaj, fqinjët tuaj do të jenë të gatshëm ta dëgjojnë historinë tuaj, por unë mund t’ju premtoj se të paktën ne – të mbijetuarit, aktivistët, organizatat – ne jemi gati të ju dëgjojmë.

    Në fakt, unë ëndërroj për ditën kur mund të jem në një dhomë me të mbijetuarit nga Kosova. Imagjinoj të jemi mjaft shumë. Kjo nuk është diçka e mirë, sigurisht, por, për sa i përket fuqisë, për sa i përket zërit, unë mendoj për ne si të ishim një qiell i tërë i mbushur me yje. Një fushë e tërë e mbushur me lule. Një det i tërë i mbushur me ngjyra që ende nuk janë zbuluar.

    Unë ëndërroj për ditën kur do të mund ta përqafoj gjithësecilin prej jush. Unë ëndërroj që ne të shikojmë në sytë e njëri-tjetrit dhe të mos kemi nevojë ta themi asnjë fjalë sepse do të kuptohem. Unë nuk dëshiroj asgjë më shumë sepse kjo është ajo që më duhej dy vjet më parë dhe është akoma ajo që më duhet sot.

    Kur ne të Mbijetuarit ju tregojmë historinë tonë, mos e vini në dyshim. Ne nuk ju detyrohemi shpjegime për vendimet tona, dhimbjen tonë, zërin tonë ose zemërimin tonë. Roli juaj në të gjithë këtë është ta pranoni, ta amplifikoni, të siguroheni që të mos ndodhë më.

    Nuk jam ndalur së shkruari tani e dy vite. Kjo është terapi për mua. Megjithatë, kanë kaluar pothuajse dy vite që kur artikulli im i fundi doli dhe kjo është pikërisht sepse mua më duhet ta gjej një kohë specifike në jetën time ku mund ta kem hapësirën të ndjehem më e cenueshme. Kam mësuar tani që nëse vendos të ndaj diçka për veten time dhe historinë time publikisht, së pari duhet ta shoh kalendarin tim dhe të vlerësoj se a mundem. A mund të ndihem e mbingarkuar për dy javët, muajt apo vitet e ardhshme? A kam njerëz rreth meje që mund të më ofrojnë mbështetje gjatë kësaj kohe? A mund të kem qasje tek shërbimet e shëndetit mendor?

    Unë nuk kam kontroll mbi atë që marr nga ana juaj, lexues. Atë çfarë mund ta kontrolloj është çfarë vë para jush. Pra, kur pyet të mbijetuarit “Pse tani?”, kujtojani vetes këtë. Ndarja e historisë sonë kërkon shumë nga ne. Na shteron. Është ripërjetim i së kaluarës sonë.

    Por, ndarja e historisë sonë është gjithashtu një rikujtim se ne nuk jemi vetëm. Kjo është arsyeja pse unë po e bëj këtë, me emrin tim, me fytyrën time, me tërë qenien time. Për t’ua bërë të ditur secilit prej jush se të jetuarit me përvojën tonë nuk është normë, nuk duhet të jetë kurrë normë. 

    Por, ne mund ta bëjmë atë të përballueshme duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke i bërë jehonë zërave tanë.

    Artikulli është shkruar fillimisht në gjuhën angleze.
    Ky artikull është pjesë e thirrjes në kuadër të fushatës “Për ty, Me ty” në bashkëpunim me Linjën e Jetës.

    Lajmi Paraprak

    Pesë shenja që tregojnë se foshnja juaj ka shumë vapë

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët e RMV-së mund të udhëtojnë në Kosovë dhe në Shqipëri me pasaporta me afat të skaduar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë