Pasojat e rritjes së moshës së pensionimit / 73 VITE JETË, NË 67 PENSIONISTË!

    Dy pensionistë të ulur para objektit të Shoqatës së pensionistëve në Tetovë / Fotografia: Nistori

    Debati i fundit për kriteret e daljes në pension dhe kundërshtimin e sindikatave që ajo të rritet në 67 vjeç ka hapur edhe temën se sa vite e gëzojnë pensionin, pensionistët në Maqedoninë e Veriut, por edhe moshën e daljes në pension në shtetet e tjera. Aktualisht në vend, mosha e pensionit është 62 vjet për gratë dhe 64 vjeç për burrat dhe të paktën 15 vjet përvojë pune. Pensioni mesatar është 21.287 denarë, që është 346 euro dhe është më pak se paga minimale prej 367 euro.

    Sipas statistikave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, me 337,000 pensionistë ndaj 687,000 të punësuarve, raporti aktual ndërmjet punonjësve dhe pensionistëve është 2 me 1.

    Sindikatat reagojnë se propozimi për rritjen e kufirit për pension në 67 vjet është absolutisht i paarsyeshëm dhe i papranueshëm, siç thotë Tërpe Deanoski nga Sindikata e punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore “UPOZ”. Përkundrazi, “UPOZ” dhe Sindikata e Maqedonisë gjithmonë kanë negociuar për uljen e moshës për pensionim dhe gjetjen e zgjidhjeve për pension të parakohshëm, thotë Deanoski.

    KOHËZGJATJA E SHKURTËR

    Profesori Branimir Jovanoviq nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare është kundër propozimit për rritjen e kufirit të pensionit, sepse sipas tij, një propozim i tillë është i padrejtë ndaj punëtorëve dhe nuk do t’i zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohet Fondi Pensional.

    Kur bëhet fjalë për kufirin e pensionit, pyetja kryesore për mua është sa jetojnë njerëzit pas daljes në pension. Në Maqedoni mesatarisht është vetëm 10 vjet, që është ndër më të shkurtat në Evropë, mosha e daljes në pension është 63 vjeç dhe jetëgjatësia është 73. Nëse mosha e pensionit rritet në 67, njerëzit do të jetonin në pension vetëm 6 vjet e cila ndoshta do të jetë më e shkurtra në botë. Për krahasim, në Austri njerëzit jetojnë mesatarisht 18 vjet pas daljes në pension dhe kufiri i daljes në pension është gjithashtu 63, por jetëgjatësia është 81. Situata është e ngjashme në vendet e tjera të BE-së.

    “Kur jetëgjatësia në Maqedoni i afrohet 80 viteve, atëherë mund të mendojmë për ndryshime të tilla, por jo tani” thotë Jovanoviq.

    Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, në vend të zgjatjes së kufirit të pensionit, duhet të vendosen më shumë kushte për pension, si pensioni pas përfundimit të 40 viteve shërbim për burrat dhe 35 vjet shërbim për gratë, pension i parakohshëm, vendosja e stazhit të beneficuar për punëtorët e ndërtimit dhe aktivitete të tjera ku detyrat e punës zhvillohen në kushte veçanërisht të vështira pune që kanë një efekt të dëmshëm në jetën dhe shëndetin e punëtorëve, pensioni i pleqërisë sipas moshës ose kohëzgjatjes së shërbimit sipas veprimtarive, pensioni i parakohshëm i pleqërisë sipas moshës, pensioni i paplotë pleqërie sipas moshës, ofrimi i mundësisë për blerjen e vjetërsisë.

    Dragi Argirovski, njohës i kësaj problematike dhe ish-kryetar i Shoqatës së pensionistëve, thekson nevojën për të peshuar të gjitha argumentet, veçanërisht ato të punëtorëve.Tek ne kjo nuk është konsideruar mjaftueshëm, nuk kemi treg të qëndrueshëm, çmime të besueshme. Për të rritur kufirin për pension, duhet një proçes që do të zbatohet gradualisht, p.sh., fillimisht pas 6 muajsh dhe jo papritur, thotë Argirovski.

    Ai gjithashtu thekson se kjo nuk mund të bëhet në vendet ku punonjësit në sektorë të caktuar vështirë se mbijetojnë deri në moshën 62 apo 64 vjeç.

    “Duhet të ketë kënaqësi të përgjithshme te pensionistët, të punësuarit dhe të papunët. Ku, në kushte të tilla, mund të rritet pensioni i punonjësve të tekstilit apo minatorëve kur ata mezi arrijnë deri në moshën 64 vjeç? Mund t’u bëhet punonjësve në administratë, por nga ana tjetër punonjësit nuk mund të ndahen. Lypsen analiza, diskutime dhe të shohim se çfarë është e zbatueshme”, thotë Argirovski.

    PARTITË KUNDËR DALJES NË PENSION NË MOSHËN 67-VJEÇARE

    Propozimi  i Këshillit Fiskal për kalimin e moshës së daljes në pension në 67 vjeç si për burrat ashtu edhe për gratë, aktualisht nuk ka mbështetjen e partive. VMRO-DPMNE janë të vendosur se as partia dhe as qeveria nuk e përkrahin rritjen e moshës për pension. “Tashmë kjo është thënë dhe është temë e mbyllur për ne”, thonë nga partia VMRO.

    Një propozim i tillë shkaktoi pakënaqësi edhe te opozita. Për LSDM-në, ideja e rritjes së moshës për pension është e dëmshme dhe e refuzojnë plotësisht. Nga Oda ekonomike më e madhe në vend refuzuan  të komentojnë rekomandimet e Këshillit fiskal për pensionet dhe kontributet për pension. Apo se çfarë do të thotë rritje e mundshme e kontributeve pensionale për kompanitë, diçka që Këshilli fiskal propozon si masë për përmirësimin e situatës në Fondin Pensional dhe uljen e derdhjes  të parave nga buxheti për pagesën e pensioneve.

    RAJONI DHE MOSHA E PENSIONEVE

    Në ndërkohë në Shqipëri, gratë do dalin në pension 61 vjeçe e 6 muaj këtë vit. Mosha është rritur me dy muaj.Nëse në vitin 2022, një grua duhet të kishte 37 vite e 8 muaj vjetërsi pune për të dalë në pension 61 vjeçe e 4 muaj, këtë vit ajo del në pension kur të mbushë 61 vjeç e 6 muaj. Ndërkohë, për burrat mosha  është 65 vjeç dhe do të mbetet e pandryshuar edhe për 10 vitet në vazhdim. Mosha e pensionit për burra dhe për gra në Kosovë është e njëjtë – 65 vjeçare. Në Kroaci, mosha e daljes në pension për burrat dhe gratë është e 65 vjet dhe minimumi 15 vjet shërbim, dhe gratë në 63 vjet e gjashtë muaj.

    Në Serbi, të drejtën e pensionit të pleqërisë mund ta ushtrojnë burrat në moshën 65 vjeç dhe gratë në moshën 63 vjeç e gjashtë muaj, me një rritje graduale të planifikuar në 65 vjet deri në vitin 2032. Në Slloveni, mosha e daljes në pension është e njëjtë për burrat dhe gratë. Kushtet e përgjithshme për pension janë: 60 vjeç dhe 40 vjet shërbim pensioni ose 65 vjeç dhe 15 vjet shërbim sigurimi.

    Në Fderatën e Bosnje e Hervegovinës, mosha e daljes në pension është 65 vjeç dhe të paktën 15 vjet shërbim. Mund të dalësh në pension me 40 vite shërbim, pavarësisht moshës. Këto kushte vlejnë si për burrat ashtu edhe për gratë. Burrat në Mal të Zi fitojnë të drejtën e pensionit në moshën 65 vjeç dhe të paktën 15 vjet përvojë sigurimi, ndërsa grave iu duhen minimalisht 62 vjet e nëntë muaj jetë për të dalë në pension. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kush po i fryn destabilizimit në RMV?

    Lajmi i rradhës

    Pasojat e lojës virale në TikTok, adoleshentë dhe nxënës të shkollave të mesme në RMV përfundojnë në spital

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë