Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka pensionet më të ulëta në Evropë. Në Maqedoni, me shumën e fundit shtesë prej 2500 denarë, pensioni minimal në shtet arrin 18.192 denarë, ndërsa ai mesatar arrin 26.211 denarë. Me fjalë tjera, pas rritjes në shtator 2024, pensioni më i ulët i garantuar arriti në 15.692 denarë dhe tani arriti në afër 18 mijë denarë në mars 2025, ndërsa pensioni mesatar në shtator ishte bërë 23.758 denarë dhe në mars 2025 arrin rreth 26 mijë denarë. Në shtator 2025, pensionet do të rriten sipas metodologjisë së vjetër dhe nuk do të ketë rritje lineare, apo rikthehet metodologjia e përllogaritjes së rritjes së pensioneve sipas harmonizimit apo indeksimit të harxhimeve jetësorë në tavanin prej 50 për qind dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë të punësuarit në tavanin prej 50 për qind.
Pensioni mesatar në Shqipëri është 190 euro, ndërsa me skemën e re të pensioneve është arritur që 100 mijë pensionistë të kenë pension mbi 300 euro si pasojë e reformës. Problemet e Shqipërisë vijnë si pasojë e mungesës së kapaciteteve prodhuese që janë shkatërruar pas viteve 90-të, si dhe të një dalje masive në pension në një moshë shumë të re. Kjo ka rritur në mënyrë të shpejtë dhe numrin e pensionistëve duke bërë që kontribuesit të vendosen në raport jo të drejtë me ato që përfitojnë nga pensionet.
Në Kosovë pensioni mesatar llogaritej që të jetë rreth 190 euro në muaj. Mirëpo nga muaji tetor 2024, u rriten pensionet për 20 për qind. Pensioni bazik i moshës u rrit në 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë u rrit në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për atë të tretë 256 euro dhe për të katërtën 318 euro.
Edhe Kosova, si shumë vende të tjera të tranzicionit, ka përjetuar një rritje të nivelit të informalitetit të krahut të punës, gjë që ka sjellë të ardhura të kufizuara nga kontributet e pagave, ndërsa përballet me barrën e mbështetjes të disa brezave të të moshuarve, shumica prej të cilëve gëzojnë të drejtën e pensionit të plotë, zgjedhin të deklarojnë të ardhura më të ulëta dhe e kalojnë pjesën me të madhe të karrierës së tyre të punësimit në sektorin informal. Gjithashtu, sistemi pensional ka pasoja edhe nga lufta , që ka dëmtuar sektorin privat të ekonomisë, ekonomitë familjare, fondet pensionale.
Në Mal të Zi, qeveria miratoi më 1 janar 2024 një rritje të pensioneve prej 52 për qind duke e çuar nivelin e pensionit mesatar nga 304 euro në muaj në 450 euro në muaj. Pensioni mesatar në Mal të Zi është 525.23 euro, që është pothuajse dy herë më pak se paga mesatare, e cila është pak më shumë se 1,000 euro. Numri më i madh i pensionistëve, 47.332, marrin një pension minimal prej 450 eurosh. Sipas të dhënave të Fondit Pensional, pensioni mesatar për shkurtin ishte 525.23 euro, ndërsa pensioni mesatar i paguar me diferencat e llogaritura për shkurt ishte 537.72 euro. Kur kjo shumë krahasohet me pagën mesatare, është e qartë se pensioni mesatar është pothuajse dy herë më i ulët se paga mesatare.
Në Serbi, pensioni mesatar është afër 430 euro , ndërkohë që presidenti i Serbisë ka deklaruar publikisht një rritje tjetër të pensioneve prej 11 për qind në muajin shtator. Pensioni më i ulët për përfituesit nga kategoria e të punësuarve dhe të vetëpunësuarve tani është afër 230 euro, dhe për pensionistët bujqësorë është afër 180 euro.
Pas rritjes së fundit, pensioni më i ulët në Federatën e Bosnjë Hercegovinës është afër 300 euro, ndërsa pensionistët me 40 vjet përvojë pune marrin të paktën 360 euro. Kjo do të thotë që edhe ata që kanë të drejtë për pensione me vetëm 15 vjet përvojë pune nuk mund të kenë më pak se 300 euro. Në Republikën Srpska, rregullat janë dukshëm të ndryshme. Atje, pensioni më i ulët varet nga kohëzgjatja e shërbimit dhe është një përqindje e caktuar e pensionit mesatar të paguar në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas të dhënave më të fundit, deri në 15 vjet shërbim, pensioni mesatar është 160 euro.
Në parim, shtetet e rajonit të Ballkanit kanë pensionet më të ulëta karshi atyre evropiane. Shifrat e pensioneve mesatare tregojnë se ekziston një ndarje e fortë Lindje-Perëndim, si dhe me Evropën Perëndimore dhe Nordike që ofrojnë përfitime shumë më të larta pensionesh. Vendet e Evropës Jugore në përgjithësi kanë performancë më të mirë se ato Lindore, por ende mbeten pas Evropës Veriore. Performuesit më të dobët janë të përqendruar në Ballkan dhe BE-në Lindore, veçanërisht midis vendeve kandidate të BE-së.
Islanda, Luksemburgu, Norvegjia, Danimarka dhe Zvicra janë shtetet me pensionet më të larta me një mesatare prej 2000 euro. Qytetarët e Bashkimit Evropian janë të lidhur nga një treg dhe rregulla të përbashkëta, por ndryshimet në shumën e pensioneve mesatare midis shteteve anëtare janë shumë të mëdha. Në Gjermani, pensioni mesatar neto i pleqërisë është rreth 1.300 euro.
Sipas të dhënave zyrtare nga institucionet kombëtare të pensioneve, pensioni mesatar neto i pleqërisë në Kroaci është 631 euro. Në Slloveni shuma është dukshëm më e lartë, apo 959 euro. Pensionistët italianë marrin rreth 1.100 euro, ndërsa ato austriak marrin 1.700 euro. Edhe pse pensionistët italianë kanë pensione më të larta se ata në Kroaci dhe Slloveni, vendi përballet me të njëjtat probleme si vendet e tjera evropiane, siç është plakja demografike, por edhe borxhi i lartë publik, i cili mund të kërcënojë stabilitetin e sistemit të pensioneve në planin afatgjatë. Sistemi gjerman po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt kursimeve private. Shuma neto e një pensioni gjerman varet gjithashtu shumë nga barra tatimore e individit dhe të ardhurat totale. /Koha/