Për çka do të mbahet në mend Kovaçevski?

    Foto: AIM

    Procedura për zgjedhjen e Qeverisë së re teknike duhet të përfundojë deri më 28 janar. Kryeministri Kovaçevski dje ka deponuar dorëheqjen e tij në Parlament. Por me çfarë rezultatesh dhe për çfarë do të mbahet mend ai? Opozita e kritikoi se nuk ka legjitimitet, sepse nuk ka marrë mbështetjen e qytetarëve në zgjedhje, por vetëm besimin e ish kryeministrit Zaev. Ai mori postin e kryeministrit në një periudhë të vështirë, të rënduar nga kriza – energjetike, ekonomike, stagnimi i integrimit evropian dhe një situatë post-pandemike. Ai u zotua se do të ndalojë ndarjet politike, etnike dhe sociale, do të ndalojë gjuhen e urrejtjes dhe nxitjen e pesimizmit.

    “Të lëmë anash interesat personale dhe ato të ngushta partiake, sepse tani më shumë se kurrë duhet të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve”, kishte theksuar Kovaçevski në marrjen e detyrës së kryeministrit.

    As atëherë dhe as më pas nuk e ka kontestuar mënyrën e “prezantimit” të tij në publik.

    “Shumë më karakterizojnë si teknokrat. Në rregull. E mora përsipër këtë detyrim dhe përgjegjësi, jo sepse është e lehtë dhe e bukur, por sepse është e vështirë dhe sepse jam i bindur se duhet gjetur zgjidhje. Në Qeveri do të ofroj një koncept të menaxhimit dhe punës që nuk do të shpjegojë pse diçka nuk mund të kryhet dhe sa e vështirë është, por një model në të cilin të gjithë do të dinë se çfarë, si, kur dhe pse do të punojnë. Dhe do të maten rezultatet e punës, jo planet. Sepse nuk jetoni me premtime dhe shpresa”, tha Kovaçevski dy vjet më parë.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski e përfundon mandatin e tij i kënaqur me atë që është arritur në dy vitet e fundit dhe me sigurinë se vendi nuk do të dorëzohet në rrugën drejt BE-së. Gjatë mandatit dy vjeçar, ai thotë se ka kontribuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.

    “Me këtë ne stimulojmë zhvillimin e ekonomisë sonë dhe pozicionimin tonë më të mirë në tregun rajonal dhe evropian. Ne punuam shumë për ta sjellë Evropën në shtëpi dhe do ta arrijmë së bashku, të bashkuar në konceptin e një të ardhmeje të begatë evropiane”, tha kryeministri.

    Në ditët e fundit të mandatit, ai i takoi ambasadoren amerikane, Angela Ageler, se mbetet i vendosur për integrimin e vendit në BE. Në rrjetin social Facebook, kryeministri ka bërë të ditur se SHBA-ja dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

    “Ne vlerësojmë shumë vullnetin e mirë të miqve tanë amerikanë, të cilët përsëritën mesazhin se do të vazhdojnë së bashku me ne në rrugën evropiane në takimin e Liderit kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Hapi ynë i radhës drejt integrimit evropian është shumë i pritur dhe i mbështetur ndërkombëtarisht si kurrë më parë. Besoj se ky moment do të njihet nga forcat pro-evropiane të shoqërisë që do të mbrojnë vizionin e një shteti europian. Pas këtij vizioni qëndron koncepti ynë për perspektivat evropiane dhe një të ardhme të sigurt evropiane kundër konceptit të pasigurisë dhe izolimit”, tha kryeministri në largim.

    Analisti Berat Azizi për gazetën KOHA ka deklaruar se Kovaçevski do të mbahet mend si kryeministri që nuk është zgjedhur me votat e qytetarëve, por me votat vetëm të deputetëve edhe atë me propozim të ish-kryeministrit Zaev, një zgjedhje kjo që për mendimin e tij nuk ishte zgjidhje politike, por zgjidhje për të ruajtur ndikimin në parti dhe në pushtet ish-kryeministrit Zaev.

     “Një tjetër element që mendoj se Kovaçevski do të mbahet mend ka të bëjë me dështimin e tij për t’i bindur partitë opozitare të votojnë ndryshimet Kushtetuese dhe të filloj procesi i bisedimeve me Bashkimin Evropian. Pra është përgjegjësi e kryeministrit të një vendi në rast se bisedimet dështojnë dhe pikërisht qasja e tij e gabuar jo vetëm ndaj Bullgarisë, por edhe ndaj vendeve të BE-së, bëri që ky proces të dështojë. Në anën tjetër, mungesa e një strategjie të qartë dhe progresive në lidhje me Ballkanin e Hapur mendoj se është një hap i gabuar politik dhe një mungesë e një qëndrimi prej një lideri”, u shpreh Azizi.

    Në politikën e brendshme, siç tha ai, Kovaçevski do të mbahet mend për prishjen e koalicionit me Alternativën dhe afrimin e ASh-së, duke krijuar ndasi në bllokun politik shqiptar.

    Sipas tij, loja me partitë politike shqiptare të Kovaçevskit ka ndikuar të ulet rejtingu i tij.

    Azizi shtoi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është një dështim total i kësaj Qeverie të drejtuar nga Kovaçevski i cili edhe përkundër mbështetjes së madhe që kishte nga faktori ndërkombëtar nuk pati fuqi të luftojë korrupsionin e as sistemin e drejtësisë që te ne pothuajse nuk funksionon.

    “Kovaçevski do të mbahet mend si kryeministër në kohën e të cilit ikja e të rinjve nga vendi drejt vendeve të BE-së, ka shënuar rekord pavarësisht të gjithë faktorëve që mund të kenë ndikuar, por ky fenomen ndodh në kohën kur qeveria drejtohej nga ai. Ka qenë detyrë e tij që të ndërtojë mekanizma dhe të hap perspektiva në vendin ton që të paktën të ndalojmë ikjen e të rinjve dhe profesionistëve”, tha në fund ai. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë është hepatiti D?

    Lajmi i rradhës

    Tharja e syve nga telefoni – Kujdesi që duhet të tregoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë