Blegtoria po shënon rënie të madhe në Maqedoninë e Veriut në dekadën e fundit. Për më tepër, ulje për 180 mijë dhen dhe afër 100 mijë lopë janë regjistruar në 14 vitet e fundit. Trende të ngjashme po shënohen edhe në shtetet e rajonit. Statistika tregon se në vitin 2009, në Maqedoni ka pasur 252 mijë lopë, që 14 vite më vonë – ky numër është reduktuar në 149 mijë lopë, përderisa numri i dhenve ulet në këtë periudhë nga 755 mijë është ulur në 587 mijë. Problemet në blegtori filluan që 30 vite më parë, apo me fillimin e tranzicionit, blegtoria pati rënie të mëdha, të cilat nga mesi i viteve 1990 ishin bërë shqetësuese. Shkatërrimi i fermave të mëdha, privatizimi i dobët dhe mbyllja e thertoreve dhe ftohjes kanë çuar në rritje të mëdha të importeve të mishit, vlerësojnë nga Federata e Fermerëve.
Problemet në blegtori janë të shtresuara, ku gjithashtu, blegtorët e vënë në dukje si një goditje të rëndë për këtë degë kolapsin e qumështores suedeze SuidMilk, për shkak të së cilës, shumë blegtorë mbetën të bllokuar me kredi deri vonë, dhe një numër i madh i lopëve përfunduan në thertore ose në tregun e bagëtive. Edhe sëmundjet e ndryshme ngjitëse të kafshëve ndikuan në dobësimin e blegtorisë.
Ekspertët e fushës vlerësojnë se zhvillimi i bujqësisë shihet përmes zhvillimit të blegtorisë. Ajo është një degë përmes së cilës realizohen produktet përfundimtare të prodhimit bimor dhe nuk ka mbështetje adekuate. Blegtoria duhet të marrë më shumë mbështetje, sepse blegtoria është finalizuesi i prodhimit bimor ndonëse edhe shteti ka ndihmuar, këtu kemi përpunim të ulët apo finalizim të ulët, dhe e gjithë kjo reflektohet në rezultate joadekuate në bujqësi, ku Maqedonia ka kushte dhe mundësi për rezultate më të mira. Gjithashtu kostot e larta, konkurrenca nga produktet e importuara dhe çmimet e ulëta të blerjes janë pjesë e sfidave të blegtorëve në Maqedoni. Një problem shtesë është emigrimi i të rinjve nga vendi, si dhe migrimi fshat-qytet, që sjell mungesën e fuqisë punëtore për të kryer detyrat me bagëtinë.
Sipas blegtorëve, shkak për këtë situatë janë edhe reduktimin e i subvencioneve për qengjat femra të braktisura dhe subvencionet për viçat femra, të cilat deri më tani ishin të përjashtuara. Për të përmirësuar situatën në blegtori, blegtorët propozojnë që të vendosen grante për blerjen e deleve dhe lopëve me prodhimtari të lartë.
Ndërsa ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, konfirmoi se në Maqedoni ka mbi 100 mijë lopë më pak se sa dikur dhe tha se duhet të mendohet për rritjen e fondit blegtoral. “Si do ta arrijmë rritjen e fondit blegtoral? Kjo nuk është e thjeshtë . Duhen shpallje të dedikuara për tokën bujqësore për blegtorët, kushdo që dëshiron të merret me blegtori apo të rrisë tufën duhet të ketë tokë. Përndryshe, rentabiliteti është në zero ose me një humbje të madhe, dhe atëherë nuk kemi parashikueshmëri të prodhimit. Shpalljet e dedikuara, subvencionet në kohë, kthimi në seksionin e kategorive të subvencioneve siç janë viçat e gjinisë femërore të përjashtuara deri më tani. Sepse nëse nuk e stimuloni dikë që të lërë të vegjlit e lopës të rritet, nuk kemi zgjerim të tufës”, tha Tripunovski.
Ai shtoi se është e nevojshme të mbështetet edhe masa për prokurimin e potencialit gjenetik cilësor në sektorin e blegtorisë në mënyrë që të kemi rritje të prodhimit pas përshtatjes.
Ekspertët e fushës thonë se me subvencionet në bujqësi është arritur vetëm një gjë, ajo është rritja e të ardhurave të fermerëve, ku shpesh subvencionet përdoren për pagesën e faturave, blerjen e ushqimit dhe nevojave të tjera ditore për jetë normale, e jo për investime. Mbeten sfidë qëllimet e tjera të subvencioneve si konkurrueshmëria e bujqësisë , që do ta bënte atë realisht fitimprurëse dhe do të tërhiqte investime dhe punëtorë të rinj, para së gjithash nga brezi i ri, të cilët do të duan të fitojnë para. Andaj nevojitet edhe ndryshimin e modelit të mbështetjes bujqësore.Për të përmirësuar prodhimin e qumështit dhe mishit nga bagëtia, është e nevojshme që çdo blegtori t’i ndahet një hektar tokë bujqësore për një krerë bagëti të kushtëzuar (nëse nuk ka mjaft nga toka e tij), që nga prodhimi i ushqimit të kafshëve, zë 40 -80 për qind në çmimin e prodhimit të qumështit dhe viçit, sugjerojnë agronomët. /Koha/