Peripecitë e mësimdhënësve dhe nxënësve në shkollën kontejnerë në veri të Mitrovicës – dikur numër të madh të nxënësve, sot vetëm 17 sish

    Ditë dimri. Atmosfera e mësimit nuk ishte si në të gjitha shkollat e tjera. I zymtë si objekt, vetëm stufat e druve që ishin vendosur nëpër klasa bënin zhurmën e tyre, pasi nuk dëgjohej gjë tjetër. Nuk dëgjohej zhurma e nxënësve, ashtu siç ndodh në çdo shkollë kur mbaron një orë mësimore, apo siç ndodh zakonisht që flasin me zë të lartë e qeshin para se të nisin orën e radhës së mësimit. Ata pak nxënës mund komunikonin mes vete, por vetëm nëse e kanë një bashkëmoshatar në klasë, e në të kundërtën heshtin për të filluar orën tjetër mësimore, pasi kishte klasë edhe me vetëm një nxënës.

    Është kjo shkolla kontejnerë “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve në veri të Mitrovicës, e cila ka vetëm 17 nxënës.

    Shkolla kontejner, “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve /Foto: Ridvan Slivova/

    Ekipi i Telegrafit i cili vizitoi shkollën improvizuese në një klasë takoi një nxënës, i vetmi në atë klasë nga gjithsej tri klasë që numëronte ky objekt. Ai ishte 14 vjeçar, banor i lagjes “Kodra e Minatorëve”.

    Fjalë pak, por mësonte shumë. Ky djalosh ngërthente në vete një ngjarje të trishtë, pasi ditë më parë, siç u tha atë e kishin sulmuar fizikisht një grup të rinjsh të nacionalitetit serb. Heshtja e tij fliste shumë, por më shumë fliste zgjuarsia e tij. Ai mësonte shumë dhe përqendrimin e tij e kishte vetëm në mësim nxënie. Pasi kryhej ora e mësimit, ai dilte në korridorin e vogël ku heshtja përmbyste çdo gjë, edhe hapat e vogla të tij dhe të tjerëve. U hap një derë e një klase tjetër. Aty mësonin lëndën e muzikës, dy nxënëse. Ato rrinin bashkë të ulura në bankën e tyre. Përpara tyre ishte arsimtarja e muzikës, Ardiana Avdiun, e cila ligjëronte një nga mësimet e ditës.

    Avdiu udhëton nga jugu i Mitrovicës për në veri në mënyrë vetanake, vetëm për të zhvilluar orën mësimore në këtë shkollë, duke mos i marr parasysh rreziqet që mund t’i shfaqen për shkak të situatës në këtë pjesë të Kosovës.

    Ardiana Avdiu, arsimtare /Foto: Ridvan Slivova/

    Ajo në një prononcim për Telegrafin tha se kushtet në këtë shkollë nuk përmbushin nevojat e nxënësve, por as të mësimdhënësve.

    Mësimdhënësja Avdiu tha se një orë mësimi zgjat 40 minuta, e cila sipas saj është një përparësi për nxënësit në këtë shkollë, pasi janë në numër shumë të paktë dhe ora e mësimit është e bollshme.

    “Kushtet janë këto që janë dhe me vështirësi mjaft të mëdha. Kushtet janë jo të mirë, pasi mbahet në kontejnerë. Nuk i përmbush nevojat shkollore, por aq sa kemi mundësi veprojmë. Një orë mësimore zgjatë 40 minuta. Nuk është ndonjë vështirësi të mbajë një orë mësimore me pak nxënës, përkundrazi për nxënësin është më mirë kjo gjë”, ka thënë Avdiu.

    Edhe arsimtarja tjetër, Agnesa Rexha, e cila jep lëndën e Edukatës Fizike u shpreh se gjatë orës mësimore mundohen që të realizojnë si anën teorike të mësimeve, po ashtu edhe atë praktike.

    “Këtu mundohem ta realizojmë anën teorike, por anën praktike zakonisht e realizojmë në poligonin e lagjes apo të kodrës, pasi ajo nuk është pjesë e shkollës. Normalisht që paraqet problem dhe rrezik si për mua dhe fëmijët. Por unë si arsimtare asnjëherë nuk kam hezituar që fëmijët të zhvillojnë aktivitetet fizike të cilat i kemi dhe në plan program dhe asnjëherë nuk e kemi menduar atë pjesë të rrezikut, kjo nga dëshira për aktivitet fizik si nga ana e tyre dhe nga e imja dhe kemi pas fatin që mos të kemi asnjëherë problem. Tash që e kemi dhe Policinë e Kosovës pranë poligonit, ndjehemi dhe më të sigurt dhe s’kemi pasur asnjë problem”, ka thënë ajo.

    Agnesa Rexha, arsimtare /Foto: Ridvan Slivova/

    Sipas saj, një kontejnerë nuk i plotëson kushtet për asgjë, e jo më për mësimdhënie.

    “Por vendosmëria e Mitrovicës, është ajo që e mban në këmbë si qytet. Përderisa këta banorë që jetojnë në anën veriore, normalisht që edhe kushtet duhet të jenë më të mira, por prapë se prapë në këto kushte që i kemi ne mundohemi ta zhvillojmë procesin mësimor aq sa mundemi dhe sa më mirë që mundemi”, ka thënë Rexha.

    Ndërsa, drejtor i shkollës fillor “Aziz Sylejmani”, Flamur Gacaferri, për Telegrafin tregoi se në cilat vite ka filluar punën kjo shkollë, si dhe sakrificat që i kanë bërë ndër vitet, vetëm e vetëm që ta mbajnë gjallë mësimin në këtë pjesë të qytetit.

    “Shkolla “Aziz Sylejmani” gjendet në veri të Mitrovicës, përkatësisht në lagjen “Kodra e Minatorëve”. Kjo shkollë punë e ka filluar menjëherë pas luftës, në vitin 1999 duke ju falënderuar disa aktivistëve e mësimdhënësve të cilët kanë qenë banorë të kësaj pjese. Profesor, Shaban Kelmendi, Tef Vokrri, Beldyzare Dërguti, Resmije Vokrri, etj”, ka thënë ai.

    Gacaferri tha se shkolla kontejner është paralelja e ndarë e shkollës fillore “Aziz Sylejmani”, në veri të Mitrovicës.

    Flamur Gacaferri drejtor në shkollën kontejner “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve /Foto: Ridvan Slivova

    “Punën e vet kjo shkollë e ka filluar menjëherë pas luftës me rreth 20 nxënës. Problemi ka qenë i infrastrukturës, por duke ju falënderuar organizatave të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare janë ndërtuar fillimisht dy baraka druri, në të cilën janë vendosur në dy klasa të gjithë nxënësit me paralele të kombinuara klasa e parë, e dytë, e tretë, e katërt. Pastaj kohë pas kohe me shtimin e numrit të nxënësve d.m.th me kryerjen e klasës së katërt, në pamundësi të lëvizjes së lirë qytetarëve nga veriu në jug është dashur të bëjmë kërkesë në drejtorinë e arsimit, i cili ishte drejtor Murteza Berisha edhe na është leju që të hapet paralelja e pestë fillimisht, pastaj ndër vite 6, 7 dhe 8”, u shpreh Gacaferri.

    Drejtori i kësaj shkolle theksoi se pas lufte numri i nxënësve që mësonin në këtë objekt ka qenë më i lartë, për dallim nga sot.

    Shkolla kontenjer, “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve /Foto: Ridvan Slivova/

    “Atëherë numri i nxënësve ka qenë më i madh, ndërsa sot i kemi 17 nxënës në të gjitha paralelet. Vështirësitë janë të dukshëm të natyrave të ndryshme, frika është permanente mirëpo asnjëherë se kemi ndal mësimin. Përveç këtë muajin e fundit ku ndodhën shpërthime në veri të Mitrovicës, më datë 8 dhjetor është dashur të ndërpritet procesi mësimor me ciklin e lartë, pasi dhe prindërit kanë hezituar t’i sjellin fëmijët. Ndërsa është vazhduar procesi mësimor në ciklin e ultë, i cili nuk është ndërprerë asnjëherë”.

    “Shqetësimet janë të dukshme, sepse nuk kemi e ditur se çka na pret të nesërmen. Një shpërthim i datës 9 dhjetor ka ndodhur në oborrin e familjarit që është prind i dy nxënësve që i kemi në shkollë, dhe nga ajo ditë ne e kemi ndërprerë procesin mësimor me kërkesë të prindërve edhe fëmijët kanë ardhur disa ditë në shkollën amë, tek ‘Andon Zako Cajupi’, por pas disa ditëve ka filluar të qetësohet situata… Ndërsa mësimin me ciklin e lartë e kemi mbajtur online nga data 27 deri më 30 dhjetor.

    Shkolla kontenjer, “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve /Foto: Ridvan Slivova/

    I pyetur se a kanë pas ndonjëherë provokime nga grupet kriminale serbe, ai tha: “Vetëm kur është shpall Pavarësia e Kosovës, i kanë vizatuar disa SS në kontejnerë dhe nuk kemi pas ndonjë telashe tjetër që duhet theksuar, edhe pse ato verbale pothuajse janë të përditshme”.

    Shkolla kontejner, “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve /Foto: Ridvan Slivova/

    “… para disa vitesh transporti i mësimdhënësve ka qenë i organizuar dhe është bërë nga Komuna e Jugut të Mitrovicës, normalisht dhe me Ministrinë e Infrastrukturës. Këto vitet e fundit transporti bëhet në mënyrë vetanake, na ndihmon punëtori teknik, Naimi. Ai që nga Ura e Ibrit i sjell për çdo ditë mësimdhënësit në shkollë dhe i kthen anasjelltas. Por ka mësimdhënës që vijnë me veturat e tyre”. /Telegrafi/

    Shkolla kontenjer, “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve /Foto: Ridvan Slivova/

    Shkolla kontenjer, “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve /Foto: Ridvan Slivova/

    Shkolla kontenjer, “Aziz Sylejmani”, në Kodrën e Minatorëve /Foto: Ridvan Slivova/

    Lajmi Paraprak

    Francis Bacon: Pikturoj kur jam i dashuruar

    Lajmi i rradhës

    Kodra e Diellit, nesër fillon sezoni i ri i skijimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë