Kur do të gjeni pozicion më të mirë negociues për të vazhduar rrugën drejt BE-së? – e pyeti kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe kryeministrin Mickoski. Ai tha se më parë asnjëherë nuk është negociuar për gjuhën dhe identitetin maqedonas, ndërsa tani ekziston rreziku që në Parlamentin Europian të kalojë raport në të cilin, përmes një amendamenti, gjuha maqedonase mund të quhet “moderne”.
“A keni përcaktuar ndonjë afat kohor brenda mandatit të kësaj Qeverie se deri kur do të përpiqeni të gjeni ndryshim në pozitën tonë negociuese, apo nuk ka afat dhe i gjithë mandati i kësaj Qeverie mund të kalojë në atë që ju e quani gjetje të pozitës më të mirë negociuese? – u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Kryeministri Mickoski u përgjigj se nëse LSDM do të kishte negociuar për pozita më të mira për vendin, atëherë nuk do të ndodhte që në Bruksel përmes amendamenteve bullgare të mohohej gjuha maqedonase. Megjithatë, deklaroi se do të angazhohet për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Europian, por jo me çdo kusht.
“Këtu duhet të bashkohemi të gjithë dhe ju duhet të na mbështesni për këtë. Nuk është diçka e keqe. Nëse ata kërkojnë që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë, atëherë ne, si Kuvend, të paktën së bashku mund të kërkojmë që edhe maqedonasit të jenë pjesë e atij Këshilli Ministror, i cili do të jetë pjesë e Komitetit për komunitetet etnike. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të nisur negociatat, por nuk do ta bëjmë këtë si “maqedonas modern”, tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Raporti për Maqedoninë në Parlamentin Europian kaloi në Komisionin për Punë të Jashtme pa u pranuar amendamenti i deputetëve bullgarë me të cilin kërkohej që përpara identitetit dhe gjuhës maqedonase të shtohej shtesa “modern”. Megjithatë, ata paralajmëruan se të njëjtin amendament do ta parashtrojnë edhe në seancën plenare të Parlamentit Europian, që pritet të mbahet nga 7 deri më 10 korrik në Strasburg. /TV21/