Mbyllet dosja “Spitali modular”: pesë vjet pas tragjedisë në Tetovë, hetimi përfundoi pa përgjegjësi penale

    Fotografia: IRL

    Procedura joefikase parahetimore dhe përqendrimi i aktiviteteve të Prokurorisë vetëm te dëmet financiare ndaj buxhetit janë arsyet kryesore mbi të cilat prokurorja Verica Berzhecka Krsteva dhe shefi i saj, Islam Abazi, e kanë bazuar vendimin për mbylljen e këtij rasti. Hetimi ishte zhvilluar për një vepër penale që në vitin 2023 u fshi nga Kodi Penal, në kohën kur në pushtet ishte LSDM-ja, shkruan IRL, përcjell Nistori.

    Rasti iu caktua prokurores Berzhecka Krsteva nga Prokurori Publik i shtetit, Nenad Saveski. Në mënyrë të ngjashme, me një prokuror të ri kompetent të emëruar nga Saveski, u hodh poshtë edhe rasti për blerjen e naftës në TEC Negotinë, në të cilin i dyshuar ishte Ratko Kapushevski, shkruan IRL.

    Pas pesë vitesh mbyllet rasti në të cilin ishin të përfshirë Filipçe dhe Angjushev

    Pas pesë vitesh në procedurë parahetimore, Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e mbylli dosjen „Spitali Modular“ dhe nuk gjeti përgjegjësi penale për një nga tragjeditë më të mëdha në vend.

    Asnjë nga zyrtarët shtetërorë përgjegjës dhe individët e përfshirë nga komuniteti i biznesit nuk do të mbajë përgjegjësi në kuadër të këtij hetimi për vdekjen e 14 viktimave në zjarrin në spitalin modular në Tetovë.

    Vendimi u bë i ditur nga prokurorja që e udhëhiqte çështjen, Verica Berzhecka Krsteva, e shoqëruar nga shefi i saj, kreu i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi.

    „Nuk ka veprime të tejkalimit apo të mospërmbushjes së detyrave zyrtare dhe as nuk është dëmtuar buxheti“, tha në fillim të brifingut me gazetarët prokurorja kompetente Verica Berzhecka Krsteva.

    Prokurorja shpjegoi se procedura parahetimore kishte qenë e orientuar vetëm drejt keqpërdorimeve të mundshme financiare dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë prokurimit të 19 spitaleve modulare, të cilat u përdorën për hospitalizimin e pacientëve me COVID-19.

    Ajo tha se nuk është konstatuar asnjë paligjshmëri, që nga fillimi i procedurave për prokurimin e spitaleve modulare e deri te mënyra e realizimit, vendosjes dhe dorëzimit të tyre në posedim të komunave.

    „Prokuroria nuk vërtetoi fakte nga të cilat do të rezultonte se, në procedurat e prokurimit, ndonjë person zyrtar e ka shfrytëzuar apo tejkaluar pozitën ose autorizimin zyrtar, përkatësisht nuk e ka kryer detyrën zyrtare me qëllim që të sigurojë përfitim të konsiderueshëm pasuror ose të shkaktojë dëm të konsiderueshëm“, deklaroi prokurorja Berzhecka Krsteva.

    Gjatë krizës së COVID-19, Qeveria e atëhershme, e drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev, shpalli tender ndërkombëtar për prokurimin e spitaleve modulare. Ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte Venko Filipçe, ndërsa kompania e përzgjedhur në tender, me ofertën më të favorshme, ishte „Brako“, e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev.

    Për ta realizuar procedurën e tenderit me shpejtësi dhe urgjencë, Qeveria e atëhershme, ministritë përkatëse dhe Kuvendi ndryshuan disa dispozita ligjore në fushën e ndërtimit, duke mundësuar që të mos zbatoheshin mekanizmat e zakonshëm të kontrollit mbi mënyrën e ndërtimit dhe sigurinë e objekteve ku trajtoheshin qindra pacientë me COVID-19.

    Zjarri në spitalin modular të Tetovës ndodhi më 8 shtator 2021, në Ditën e Pavarësisë. Lënda u hap dy ditë më vonë.

    Prokurorja e parë që e udhëhoqi lëndën ishte Villma Ruskovska, ndërsa më pas ajo i kaloi prokurores Elizabeta Josifovska. Prokurorja e fundit, Verica Berzhecka Krsteva, e mori lëndën para disa muajsh, me vendim të Prokurorit Publik të shtetit, Nenad Saveski. Ajo bëri të ditur vendimin për mbylljen e rastit me arsyetimin se nuk janë siguruar prova për përgjegjësi penale.

    Në brifingun me gazetarët u parashtruan shumë pyetje lidhur me procedurën e gjatë parahetimore dhe me faktin se si është e mundur të mos konstatohet përgjegjësi sistemike për vdekjen e 14 pacientëve që trajtoheshin në një objekt shëndetësor shtetëror.

    Berzhecka Krsteva tha se vendimin për lëndën e kishte marrë në bazë të provave të mbledhura dhe deklaratave të dëshmitarëve të marrë në pyetje nga paraardhësja e saj, Elizabeta Josifovska.

    Ajo potencoi disa herë se nuk ishte shkaktuar dëm ndaj buxhetit të shtetit, ndërsa tha se përfaqësuesit e Bankës Botërore, e cila financoi spitalet modulare, kishin dhënë vlerësime pozitive për mënyrën se si ishin ndërtuar dhe kishin funksionuar ato.

    Sa u përket shkaqeve të zjarrit, prokurorja tha se kjo pjesë nuk është në kompetencën e prokurorisë që ajo përfaqëson dhe se rasti për zjarrin është udhëhequr dhe mbyllur në Tetovë.

    Prokurorja gjithashtu tha se nuk kishte informacion për ekzistencën e një raporti të veçantë, të porositur nga Bekim Sali, pasardhësi i Venko Filipçes në postin e ministrit të Shëndetësisë, dhe të përgatitur një vit pas tragjedisë në Tetovë.

    Në dokumentin „Revizion i procedurës së prokurimit publik për zëvendësimin e objekteve të përkohshme të veprimtarisë poliklinike-ambulantore“ thuhet se, nëntë ditë pas zjarrit, Ministria e Shëndetësisë dhe investitori kishin nisur dialogun për plotësimin e kontratës bazë për „përmirësimin e kërkesave minimale teknike, me qëllim rritjen e sigurisë së objekteve“, për objektet modulare që në atë kohë po ndërtoheshin sipas të njëjtave specifikime.

    Sipas dokumentit, aneks-kontrata, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike, nuk ishte raportuar në Byronë për Prokurime Publike dhe ishte mbajtur e fshehtë nga institucionet.

    „Vrasje në Tetovë“

    Tre vjet më parë, Laboratori i Reporterëve Investigativë (IRL) publikoi hulumtimin „Vrasje në Tetovë“ për zjarrin në spitalin modular.

    Reporterët dhe hulumtuesit e IRL-së punuan për më shumë se shtatë muaj në Shkup dhe Tetovë, duke mbledhur dhe analizuar të dhëna dhe dokumente të siguruara për këtë rast.

    Institucione të ndryshme kompetente e cilësuan rastin si fatkeqësi, ndërsa shkaku i zjarrit u lidh me një kabllo vazhduese. Sipas IRL-së, hulumtimi nxori në pah një varg gabimesh dhe lëshimesh që përfshinin zyrtarë dhe persona nga sfera e politikës, biznesit dhe gjyqësorit.

    Përmes dokumenteve dhe mesazheve elektronike të siguruara nga sinjalizuesit, si dhe përmes dokumentacionit të tenderit të marrë nëpërmjet qasjes së lirë në informacione me karakter publik, gazetarët mblodhën materiale që, sipas IRL-së, çonin te përgjegjësia ligjore e institucioneve kyçe, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe realizuesin e objektit në Tetovë.

    Krim pa dënime

    Lidhur me zjarrin në spitalin modular në Tetovë janë shqiptuar vetëm dy dënime me burg. Ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florim Besimi dhe Artan Etemi, u dënuan me nga një vit e gjashtë muaj burg efektiv për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

    „Ky gjykim nuk u bë për të zbuluar pse ndodhi zjarri dhe kush është fajtor, por ishte një gjueti faji ndaj atyre pa pushtet dhe pa përgjegjësi“, deklaroi Florim Besimi pas shqiptimit të aktgjykimit.

    Kreu i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, në brifingun e fundit tha se, nëse në të ardhmen sigurohen prova të reja, ekziston mundësia që rasti të rihapet.

    Lajmi Paraprak

    Kërçova sërish nën mbeturina: deponi ilegale pranë fshatrave dhe autostradës Kërçovë–Ohër

    Lajmi i rradhës

    Nga thatësira te përmbytjet – si po ndryshon klima dhe çfarë do të thotë për bujqësinë e Kosovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë