PESIMIZËM PËR INFLACIONIN | Reduktim i patjetërsueshëm i shpenzimeve

    Inflacioni i lartë tashmë ka ndryshuar shumë nga zakonet e konsumatorëve në mbarë botën dhe do të vazhdojë t’i ndryshojë edhe në të ardhmen. Një fakt të tillë po e tregon anketa e kompanisë konsulente PwC, e cila është kryer gjatë vitit të kaluar me 9180 konsumatorë nga 25 vende, rezultatet e së cilës u publikuan të enjten. Gjegjësisht, rreth 69 për qind e konsumatorëve thonë se përmbahen nga blerja e gjërave që nuk i konsiderojnë të nevojshme në përditshmëri, ndërsa për 90 për qind të konsumatorëve tjetër thanë se tashmë janë duke kursyer në çdo formë të mundshme.

    Edhe në Maqedoni, qytetarët përballen me të njejtën sfidë kur vjen te blerja.  “Jemi familje prej 4 antarësh, unë me bashkëshortin dhe dy vajzat e tona të cilat janë në shkollë të mesme. Pra, mbahemi me dy rrogë. Para se të ngritej inflacioni dhe gjërat të shtrejtoheshin kaq shumë, për produktet higjienike shpenzonim më shumë, thënë shkurt, blenim lloje të ndryshme të produkteve për larje, përshembull tre-katër lloje shamponësh, zbutës për flokë, etj. Tani i marrim vetëm nga një, gjë për të cilën patëm vështirësi deri sa i mësuam vajzat të blejnë vetëm ato gjëra për të cilat kanë realisht nevojë”, tha një qytetare nga Kumanova.

    Shumica e konsumatorëve presin një reduktim të shpenzimeve gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, sepse ata thjesht synojnë të shpenzojnë më pak.

    Ndër “viktimat” më të mëdha të kostos së lartë të jetesës janë mallrat e luksit, moda dhe udhëtimet, tregon anketa e PwC. 53 për qind e konsumatorëve synojnë të ulin shpenzimet për mallra luksoze në gjashtë muajt e ardhshëm, 41 për qind e konsumatorëve do t’i kushtojnë më pak vëmendje modës, ndërsa 43 për qind e konsumatorëve synojnë të reduktojnë udhëtimet. Një rënie e ndjeshme duhet të vërehet edhe në aktivitetet virtuale të internetit, konsumin e të cilave 42 për qind e konsumatorëve synojnë ta reduktojnë, sipas sondazhit të PwC.

    Nga ana tjetër, konsumatorët kanë më pak gjasa të planifikojnë të shkurtojnë shpenzimet e tyre ushqimore. Por shqetësues është fakti që gati një e katërta e të anketuarve, pra 24 për qind e tyre, synojnë të ulin këtë konsum bazë. Pavarësisht kësaj, konsumatorët thonë se janë ende të gatshëm të paguajnë më shumë për kategoritë e produkteve të qëndrueshme. “Kështu, 78 përqind e konsumatorëve janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një produkt që prodhohet në vend, 77 përqind e tyre janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një produkt që është bërë nga materiale të riciklueshme, të qëndrueshme ose miqësore me mjedisin dhe 75 përqind për një produkt të prodhuar nga një kompani e njohur për praktikat e saj etike të biznesit”, ka përfunduar PwC. /koha/

    Lajmi Paraprak

    A do të ketë Qeveri pa parti shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

    Lajmi i rradhës

    Ambasada e ShBA: Populli vendos se kush është brenda ose jashtë qeverisë së Maqedonisë së Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë