POLICIA ME APEL: Jo alkool dhe mjete piroteknike

    Festat e fundvitit Tetovën e gjejnë në një atmosferë të zymtë. Pak organizime për festat e fundvitit dhe shumë komunikacion i dendur. Ndonëse rrugët janë përplot me makina, sidomos me ardhjen e një pjese të mërgimtarëve në vendlindje, megjithatë nuk vërehet gjallëri e madhe. Por, për natën e ndërrimit të motmoteve, ata që do të kujdesen për sigurinë publike dhe sigurinë në komunikacion janë pjesëtarët e policisë. Ata do të duhet të përballen me përdorimin enorm të mjeteve piroteknike në pjesët kryesore të qytetit.

    Duke patur parasysh përvojën e viteve të kaluara, kur shumë qytetarë kanë përfunduar me lëndime si pasojë e përdorimin të mjeteve piroteknike, policia apelon për më shumë kujdes, me qëllim që nata e vitit të ri të shënohet në atmosferë festive. Policia kërkon që qytetarët të festojnë në mënyrë dinjitoze qoftë me miq qoftë me familjarë qoftë në ambiente të hapura.

    “Duke patur parasysh se vitet e kaluara kemi patur raste kur nga përdorimi i mjeteve piroteknike kanë përfunduar me lëndime në duar, këmbë, sy, fytyrë ose pjesë tjera të trupit. Prandaj duhet shumë kujdes në këtë drejtim sidomos në afërsi ka fëmijë. Poashtu personat që do të kapen duke ndezur mjete piroteknike do të marrin gjobë nga ana e pjesëtarëve të policisë. Qytetarët duhet që të jenë të kujdesshëm shumë që festat të kalojnë në atmosferë dinjitoze”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

    Problem tjetër dhe përvojë e hidhur nga vitet e kaluara është përdorimi i tepruar i alkoolit. Shumë qytetarë, duke konsumuar alkool, pastaj edhe drejtojnë automjetet e tyre që paraqet shkelje të rregullave në trafikun rrugor, por edhe rrezik për jetën e tij dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. Në këtë drejtim qytetarëve u kërkohet që të jenë të kujdesshëm dhe mos të përdorin alkool.

    “Poashtu viteve të kaluara kemi patur aksidente trafiku si pasojë e përdorimit të alkoolit. Policia në këtë drejtim nuk do të bëjë tolerime dhe të gjithë ata që do të kapen duke drejtuar makinën nën ndikim të alkoolit do të largohen menjëherë nga komunikacioni dhe do të shqiptohen dënime. Krahas kësaj, kërkojmë nga vozitësit që të respektojnë rregullat në komunikacion dhe urdhërat e pjesëtarëve të policisë”, tha Fatmir Rexhepi.

    Nga policia e Tetovës, kërkojnë që vozitësit të jenë më të vëmendshëm nëse vendosin të udhëtojnë për në pikat turistike si në Kodrën e Diellit dhe për Mavrovë. Zakonisht, për në këta akse rrugore krijohet kaos i madh dhe ndodhin edhe aksidente, duke patur parasysh se mund të paraqiten edhe ngrica në rrugë për shkak të temperaturave të ulëta por edhe për shkak të dukshmërisë së vogël si pasojë e mjegullave. /koha/

    Lajmi Paraprak

    A është i pashmangshëm një rend botëror i udhëhequr nga Kina?

    Lajmi i rradhës

    Zeqiri: Të ardhurat nga buxheti duhet të jenë të njëjta për të gjitha universitetet publike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë