Kompania që po ndërton mbi tokën ku në shkurt 2023 u gjetën varrezat ilire, mes tyre pllaka me mbishkrimin “Dardanus”, është SHPK import-eksport “Golden Art” nga Shkupi. Këtë informacion për TV21 e konfirmuan nga vetë komuna e Karposhit, nën të cilën bie kjo parcelë.
Me sa kuptohet nga kjo, leja për ndërtim është dhënë 2 vite përpara se të zbulohet pllaka me mbishkrimin “Dardanus”, megjithatë edhe pasi shumë ekspertë të fushës së arkeologjisë dhe historinë reaguan dhe vlerësuan se zona është me rëndësi të veçantë historike, politika u tregua e pafuqishme për ta ndaluar ndërtimin e objektit aty
Në 2023-tën, si pushteti edhe opozita e atëhershme patën reagimet e tyre rreth kësaj ngjarjeje, por më pas nuk bënë asgjë për ta ndaluar ndërtimin dhe për ta ruajtur zonën. Punimet vazhduan dhe tash pas mbi një viti, siç raportoi dje TV21, objekti është disakatësh dhe punimet po vazhdojnë.
Ndonëse dje nga Ministria e Kutlurës na u tha se sot do të përgjigjen në pyetjet tona, as sot nuk morëm përgjigje se pse është lejuar puna në këtë zonë, çfarë ka ndërmarrë Ministria e Kulturës për ta mbrojtur dhe a vlerësojnë nëse është dëmtuar një hapësirë me vlera arkeologjike dhe historike e Maqedonisë?
Në mungesë të përgjigjeve nga institucioni kompetent, pyetje i drejtuam koalicionit qeverisës VLEN, nga ku deputeti Salim Sulejmani tha për TV21 se kanë qëndrim parimor që të gjitha lokacionet arkeologjike duhet të trajtohen sipas standardeve më të larta të konservimit.
Se si do të ndërpritet çdo veprimtari ndërtimore, mbetet të shihet, sepse deri më tani institucionet nuk kanë ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.