POLITIKA, LOJTAR AKTIV NË PËRPJEKJET PËR TA VËNË MEDIAN NËN KONTROLL

    POLITIKA, LOJTAR AKTIV NË PËRPJEKJET PËR TA VËNË MEDIAN NËN KONTROLL

    Gazetari Ergys Gjençaj, nga televizioni “News 24” në Shqipëri, ishte duke filmuar një aksion të policisë kundër një grupi të shpërndarjes së drogës në kryeqytetin e Shqipërisë në fund të korrikut të këtij viti. Pasi aksioni i policisë dështoi, policia i kërkoj atij që të ndalte filmimin, dhe e shtriu në tokë për ta kontrolluar, pavarësisht thirrjeve të tij dhe koleges së tij, se ata ishin gazetarë.

    “Më mbajtjën të shtrirë për disa minuta e më pas më ulën në shkallët e një dyqani”, thotë Gjençaj. “Më morën telefonin. Edhe pse i përsërisja se isha gazetar, nuk pati asnjë reagim”.

    Sipas Gjençajt, atij nuk iu kërkua as mjeti identifikues i gazetarit dhe gjithë kohën ishte nën mbikëqyrjen e një punonjësi të policisë. Rasti është duke u hetuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, një strukturë e cila heton profesionalizmin dhe shkeljen e ligjit nga policia në Shqipëri.

    Raste të tilla kur policia ka përdorur dhunë kundër gazetarëve, dhe madje edhe arrestime, nuk janë të rralla në Shqipëri. Në disa protesta të dhunshme në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në dhjetorin e vitit 2020 pas vrasjes së një të riu nga policia pasi ai kishte shkelur orën policore gjatë pandemisë COVID-19, gazetari i RTV Ora, Xhoi Malësia u arrestua dhe u mbajt për disa orë në stacionin e policisë. Në videot e publikuara në mediat sociale ai shihej dhe dëgjohej teksa u thoshte policëve që është gazetar dhe se po filmonte protestën. Pasi u lirua pretendoi se policia kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

    “NGA MANDATI I PARË I RAMËS E DERI TANI KA PATUR NJË LINJË ME TONE DENIGRUESE, GJUHË FYESE, DHUNË VERBALE DHE FIZIKE [NDAJ GAZETARËVE]”

    Elvin Luku

    Rasti i gazetarëve Gjençajt dhe Malësia janë vazhdimësi e një mjedisi të brishtë për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në Shqipëri. “Lojtar” aktivë në nxitjen e sulmeve ndaj tyre shihen akterët institucionalë, dhe në veçanti qeveritë.

    “Nga mandati i parë i Ramës e deri tani ka patur një linjë me tone denigruese, gjuhë fyese, dhunë verbale dhe fizike”, thotë Elvin Luku, profesori i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, gazetar dhe themelues i “Medialook” një medium që ka si qëllim kritikën ndaj tregut mediatik shqiptar. 

    Luku thotë se gjuha e përdorur nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama që nga ardhja e tij në pushtet në 2013 ka qenë gjuhë nxitëse e dhunës ndaj gazetarëve.

    “Nisi me fyerjet e kryeministrit ndaj reporterëve, vijoi me dhunën e mekanizmave ligjorë duke tentuar të miratojë draftet antishpifje apo duke bllokuar gazetarët në Kuvend dhe vijon me raste të dhunës fizike të gazetarëve në protesta apo ngjarje të tjera në krye të detyrës”, thotë ai.

    Kryeministri Rama tani është në mandatin e tij të tretë dhe është kritikuar shpesh për gjuhën denigruese që ka përdorur për mediat dhe gazetarët.

    Një ndër rastet më flagrante të marrëdhënies mes qeverisë dhe medias në përgjithësi dhe gazetarëve në veçanti, është ai i tetorit të vitit 2017. Kryeministri Rama, doli para gazetarëve në një konferencë të paparalajmëruar, para Kuvendit të Shqipërisë dhe lëshoi një lumë akuzash e fyerjesh për gazetarët.

    Rama i quajti ata “injorantë”, “helm”, “koshi i plehrave”, “skandalozë “,” sharlatanët” dhe “armiqtë e publikut”.

    “Në momentin që Rama mendon se një media apo gazetar nuk e ka nën kontroll, atëherë si çdo autokrat tjetër, humbet toruan”, thotë Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës, e cila  e përshkruan kryeministrin Rama si një autokrat dhe shprehet se në raport me medias ai sillet si i tillë, duke e kontrolluar atë. “[Ai] sillet arrogant në mënyrë demonstrative, tregon forcën duke u larguar nga media apo duke iu diktuar asaj me bindjen e plotë se ka të drejtë ta bëjë këtë”. 

    Kreu i qeverisë shkoi edhe më tej me 5 shkurt të vitit 2020, kur në një postim në “Twitter” i etiketoi emisionet televizive në vend si “avokatë gjynahqarë të krimit”.

    Luftë hibride ndaj lirisë së medias 

    Shqipëria ka një histori të ndërlikuar me lirinë e shtypit dhe medias. Që nga viti 1990 kur u shemb regjimi komunist, mediat janë përballur me sulme, e gazetarët me presione, arrestime, dhunë fizike dhe censurë ose vetëcensurë.  

    Gjatë konfliktit civil në Shqipëri në vitin 1997 redaksia e gazetës së parë të pavarur në vend, “Koha Jonë” u dogj, ndërsa drejtuesit e medias ende akuzojnë pushtetin e drejtuar aso kohe nga Sali Berisha ― ish-kryeministër i Shqipërisë ― se urdhëroi këtë akt, për shkak të qëndrimeve editoriale që kjo media kishte kundër qeverisë së drejtuar prej tij.

    Pas viteve 2000 vendi e kishte marrë tanimë veten nga kriza ekonomike, dhe trazirat politike, dhe në treg u futën edhe media të tjera të shkruara dhe audiovizive, ndërsa edhe sipërmarrësit e huaj e panë Shqipërinë si një vend ku mund të investonin në hapjen e mediave të reja. 

    Në Shqipëri sipas Autoritetit të Mediave Autovizive (AMA) ― institucion i pavarur në Shqipëri që është mbikqyrësi dhe rregullatori i transmetimeve audiovizive ― operojnë aktualisht 49 televizione që janë të pajisur me licensë kombëtare, 2 prej të cilëve u është pezulluar licensa, ndërsa ajo që është e paqartë është se sa portale ka në Shqipëri. Duke qenë se jo të gjitha mediet online janë të regjistruara, ka qenë gjithmonë e pamundur që të identifikohet numri i saktë i tyre, por sipas “Medialook” janë më shumë se 650 të tillë. 

    Megjithë shtimin e medieve të reja, ky sektor mbeti problematik, ndërsa qeveritë nisën të përdorin taktika të tjera për t’i bërë preson mediave dhe gazetarëve.

    NË VITIN 2020 NJË NDËR TELEVIZIONET MË TË MËDHA INFORMATIVE NË SHQIPËRI “NEWS 24” VENDOSI QË TË MBYLLTE DY EMISIONE KRITIKE NDAJ QEVERISË SË EDI RAMËS

    Në vitin 2015 “Agon Channel” një televizion i drejtuar nga një biznesmeni italian Francesco Beghetti ndali transmetimin pasi ai u vu nën akuzë nga shteti shqiptar për pastrim parash dhe ai u shpall në kërkim nga drejtësia vendase. Që nga momenti kur nisi përballja ligjore, gazetarë e aktivistë në Shqipëri e kanë parë këtë situatë si një sulm ndaj medias nga kryeministri Rama. Pas një kalvari të gjatë procesesh gjyqësore ndërkombëtare në prill të vitit 2021 Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve ― gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore ― e dënoi përfundimisht Shqipërinë me 110 milionë euro për dëmin që i kishte shkaktuar investitorit Italian me mbylljen e “Agon Channel”. 

    Jo vetëm me median si institucion, por në shumë raste vetë gazetarët janë përballur me situata që kanë rrezikuar funksionimin e lirë të tyre. 

    Në vitin 2020 një ndër televizionet më të mëdha informative në Shqipëri “News 24” vendosi që të mbyllte dy emisione kritike ndaj qeverisë së Edi Ramës.

    Këshilli i Europës lëshoi një “alarm” me titull: News 24 mbyll dy emisione kritike, dhe e vendosi në kategorinë “Akte të tjera që kanë efekte tronditëse në lirinë e medias”. Qeveria e Shqipërisë u përgjigj duke thënë se nuk është e përfshirë në këtë situatë, ndërsa vetë televizioni “News 24” mohoi përfshirjen e autoriteteve shtetërore në këtë vendim. Ndonëse Adi Krasta, një ndër gazetarët e larguar nuk komentoi publikisht, autori i emisionit tjetër të mbyllur “Të paekspozuarit” Ylli Rakipi, e akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për mbylljen e emisionit të tij.

    Në Shqipëri nuk kanë munguar as tentativat ligjore të shumicës parlamentare për të ndikuar në media. Një paketë e ashtuquajtur antishpifje e propozuar nga kryeministri Rama dhe e miratuar nga deputetët e partisë së tij në vitin 2019, nxiti protesta e reagime të forta tek komuniteti i gazetarëve vendas dhe të huaj. Qeveria pretendonte se ligji synon të rregullojë dhe formalizojë median online, por kundërshtarët e panë atë si një mjet për të kontrolluar median. Paketa antishpifje synonte ndryshimin e 30 neneve të ligjit “për median audiovizive” dhe 4 neneve të ligjit për “komunikimet elektronike”. 

    Kjo paketë antishpifje parashikonte që AMA të shqyrtojë brenda 48 orëve ankesa të individëve, bizneseve, institucioneve, kur ato pretendojnë se ndaj tyre është shpifur, u është cënuar dinjiteti dhe privatësia nga mediat tradicionale dhe ato online. Përmes kësaj pakete, AMA do të merrte të drejtën t’u vendoste gjoba që shkojnë deri në 8 mijë euro, nëse mediat nuk reagojnë. 

    Në anën tjetër, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ― organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar ― tek mediet e gjobitura do të vendoste pop ups që do të shfaqeshin sa herë do të klikohej në uebfaqet apo portalet e tyre. Në pop ups, që shfaqen sa herë dikush klikon, AKEP do të merrte të drejtën të shkruajë që media ose portali në fjalë ka shpifur ose cënuar dinjitetin e individit, biznesit, institucionit. Në rast se media apo portali edhe pas pop ups nuk reagon, atëherë AKEP do ta kishte kompetencën që ta mbyllë sinjalin edhe përmes operatorëve që ofrojnë shërbime interneti, (Internet Service Providers, ISP) të bllokojë domenin e websiteve të caktuara duke bërë të pamundur aksesin e publikut tek ato në territorin e Shqipërisë.

    Gazetarët protestuan kundër cënimit të lirisë së medias përmes paketës antishpifje të propozuar nga qeveria Rama. Foto: Isa Myzyraj.

    Në korrik 2019, Platforma për Promovimin e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve në Këshillin e Europës e quajti këtë paketë si kërcënim ndaj lirisë së medias në Shqipëri.

    “Projektligjet kërkojnë të forcojnë kontrollin e medias online, pasi Këshilli i Ankesave, që është pjesë e Autoritetit të Mediave Audiovizive, mund ta rrisë censurën duke urdhëruar heqjen e përmbajtjes së publikuar online, me argumentin se po mbron dinjitetin dhe privatësinë e qytetarëve”, shkruante në reagimin e saj KiE.

     Edhe Komisioni i Venecias ― organ këshillues i Këshillit të Evropës që ofron këshilla ligjore për vendet anëtare për funksionimin demokratik të institucioneve ― kritikoi ligjin për fuqinë që ai i jepte AMA-së, duke e kthyer atë në një gjykatë që kishte të drejtë të vendoste sanksione ndaj medias, kur ajo e konsideronte të arsyeshme.

    Në një opinion të tij për Shqipërinë, Komisioni i Venecias e pa rrezikun më serioz në Nenin 33/1 (4): i cili specifikonte që mediet online “nuk duhet të nxisin, mundësojnë nxitje ose përhapje të urrejtjes ose diskriminimit në bazë të racës, prejardhjes etnike, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, gjuhës, fesë, kombësisë ose prejardhjes shoqërore, gjendjes financiare, arsimit, statusit shoqëror, statusit martesor ose familjar, moshës, gjendjës shëndetësore, paaftësisë, trashëgimisë gjenetike, identiteti gjinor ose orientimit seksual ”.

    Sipas Komisionit, elementet nga kjo listë mund të përdoreshin për të bllokuar çdo vërejtje kritike kundër figurave publike dhe/ose për të shtypur debatin ligjor politik mbi çështjet e interesave publike të cilat mund të perceptohen nga disa grupe ose individë si “diskriminuese”, me fokus në togfjalëshin “gjendje financiare”.

    Kohëve të fundit, AMA u rivendos në qendër të diskutimit të lirisë së medias me rastin e zgjedhjes së kryetarit të saj. Ligji për mediet audiovizive në Shqipëri përcakton se kryetari i AMA-s zgjidhet me 71 vota në parlamentin me 140 deputetë, ndërsa para kësaj kandidatët duhet të kenë kaluar një sërë proceduarash mes të cilave edhe konsensusi politik mes shumicës qeverisëse dhe opozitës.

    Por, zgjedhja e Kreut të AMA-s, ishte vendimi i fundit i parlamentit të Shqipërisë, të bojkotuar nga opozita në 2019.

    KRYETARJA E SAPOZGJEDHUR E AMA-S, ARMELA KRASNIQI, KA QENË DREJTORESHË E ZYRËS SË KOMUNIKIMIT TË KRYEMINISTRIT RAMA, NDAJ KRITIKËT E KANË QUAJTUR ATË NJË PERSON I LIDHUR NGUSHTË ME POLITIKËN

    Pavarësisht kundërshtimeve e thirrjeve të organizatave ndërkombëtare dhe mekanizmave të BE-së në Shqipëri, mazhoranca e Ramës dhe disa deputetë që i zunë vendin opozitarëve që kishin dalë nga parlamenti, e emëruan Armela Krasniqin në krye të institucionit më të rëndësishëm për rregullimin e medias, me 7 korrik të 2021.

    Zgjedhja e Krasniqit, u kundërshtua jo vetëm për shkak se mungonte opozita e cila do të rikthehet në kuvend në shtator pas zgjedhjeve të 25 prillit, por edhe për shkak të lidhjeve të saj me Partinë Socialiste të Ramës. Krasniqi edhe pse me një të shkuar në gazetari, deri në zgjedhjen e saj si kryetare e AMA-s mbante postin e Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ATA, dhe nga viti 2013 deri në vitin 2017 ka qenë drejtoreshë e zyrës së komunikimit të kryeministrit Rama, ndaj kritikët e kanë quajtur atë një person i lidhur ngushtë me politikën.

    Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë pak orë para votimit i bëri thirrje të qartë kuvendit që të shtynte zgjedhjen e kryetarit të AMA-s deri në shtator. 

    “Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht”, u tha në një komunikatë për media zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.

    Në lidhje me zgjedhjen e Krasniqit reaguan edhe pesë organizata ndërkombëtare, pjesë e mekanizmit Reagimi i Shpejtë i Lirisë së Medias që monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së medias në Evropë. Ato shprehën shqetësimin e thellë në lidhje me paanshmërinë dhe pavarësinë e ardhshme të AMA-s, duke e konsideruar Krasniqin si një “bashkëpunëtore të ngushtë të Partisë Socialiste në pushtet”.

    “Procesi ishte amoral, dhe në shkelje të Këshillave të Komisionit të Venecias”, tha Koloreto Cukali për K2.0, kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias (KShM), një bashkim mediash që synojnë të forcojë dhe të sigurojë Zbatimin e Kodit të Etikës, si një formë e vetë-rregullimit. “Ky komision kërkoi pavarësimin e mëtejshëm të AMA-s, gjë që nuk mund të ndodhë nëse në pozicionin drejtues vendosen njerëz me karrierë partie”.

    Nga ana tjetër, Elvin Luku problemin nuk e sheh vetëm tek zgjedhja e njëanshme e drejtuesit të AMA-s, por në vetë këtë institucion. 

    “Problematikë kryesore është vetë ligji ‘Për median audiovizive’ i cili pamundëson pavarësinë politike të institucionit. Ky ligj [pra ligji aktual] garanton jo plotësisht balancë politike”, tha Luku ndërsa shton se Shqipërisë i nevojitet një institucion jopolitik, jo një institucion që garanton balancë politike.

    Praktika famëkeqe e lajmeve nga qeveria

    Në orët e hershme të 27 gushtit, profili i kryeministrit Rama në Facebook transmetoi një “episodë mikpritjeje shqiptare” ndaj 121 refugjatëve të parë afganë që sapo kishin arritur në zonën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Pas tërheqjes së forcave ushtarake të ShBA-së dhe vendeve të tjera ndërkombëtare nga Afganistani dhe rënies së vendit nën kontrollin taleban, qeveria shqiptare pranoi kërkesën e ShBA-së për t’i strehuar disa nga afganët në rrezik nga talibanët. 

    Edhe pse mediet u njoftuan për arritjen e refugjatëve, gazetarëve nuk iu lejuan kamerat në pistë dhe iu tha të qëndrojnë në perimetrin e jashtëm të pistës ushtarake të aeroportit. Pamjet nga pritja dhe rendi i gjatë i afganëve që prisnin të regjistroheshin u transmetuan ekskluzivisht nga profili i kryeministrit Rama dhe i Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë në Facebook.

    Praktika e ekskluzivitetit të mbulimit të ngjarjeve me rëndësi nga ana e qeverisë nuk është risi, por nisi që kur në vitin 2017 kur kryeministri Rama në një veprim të çuditshëm, njoftoi se do të hapë një kanal të vetin komunikimi që e quajti “Edi Rama Televizion” ― “ERTV”.

    Aso kohe kreu i qeverisë e tha qartë se shkak për hapjen e “ERTV” ishte shmangia e mediave, pasi ai tha se “këtu në Tiranë ju ndërmjetësoni për llogari të të tretëve. Sa më shumë njerëzit ndjekin debate analistësh, aq më shumë nuk marrin vesh çfarë bëhet”.

    “ERTV” transmetohet kryesisht në rrjetin social “Facebook” ndërsa materialet e tij mund të gjenden edhe në “You Tube” që është nën emrin e “Edi Rama”.

    Gazetarët u detyruan të qëndrojnë në perimetrin e jashtëm të pistës ushtarake të aeroportit “Nënë Tereza”, ndërkaq pamjet ekskluzive të arritjes së refugjatëve afganë u sollën nga profili zyrtar në Facebook i Edi Ramës. Foto: Isa Myzyraj

    Që nga viti 2017 kur u hap ky kanal, pothuajse çdo aktivitet qeveritar prezantohet nën logon e “ERTV”, madje edhe mediat vendase shpeshherë materialet që nuk mund t’i aksesojnë i marrin të gatshme nga zyra e kryeministrit.

    Ngjashëm ndodhi edhe gjatë kohës kur pandemia COVID-19 përfshiu Shqipërinë. Rastet e para u konfirmuan zyrtarisht me 9 mars 2020, ndërsa gjatë asaj kohe asnjë media nuk ishte lënë të futej brenda spitaleve ku po trajtoheshin pacientët me COVID-19 për ta përcjellë situatën, ndërsa në nëntor të 2020 kryeministri Edi Rama publikoi në “ERTV” dy materiale video brenda spitaleve ndërsa shkruante “ekskluzive”. 

    Për shembull, nga 9 marsi 2020 deri me 9 prill 2020, kreu i qeverisë dhe kabineti i tij shmangën tërësisht komunikimet mediatike, dhe gjatë kësaj kohe ai postoi në rrjetin social “Facebook” 407 postime me një normë ditore 13 postime në 24 orë, 2830 minuta video, nga këto 2634 minuta LIVE nën logon e “ERTV” dhe 146 minuta video të tjera. Këto materiale kishin të bënin me rregullat e koronavirusit, njoftime për shtyp, akte-ligjore, dhe çdo komunikim tjetër me publikun.

    Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit dhe pedagoge në Tiranë, konsideron se hapja e këtij kanali ishte një veprim i qëllimshëm i Ramës në cënimin e lirisë së medias.

     “Ka prishur balancat e ndikimit në publik”, thotë Gjoni. “Në kundërshtim me parimet demokratike e të lirisë së media, veprimtaria e kryeministrit kalon më parë aty, e përmes këtij kanali, dhe duke shfrytëzuar mediat pro-qeveritare injektohet në publik përmbajtja e kuruar”.

    “PRAKTIKA QË LAJMET I BËN PARTIA, QEVERIA DHE BASHKIA, NDËRSA MEDIA KA PËR DETYRË VETËM T’I TRANSMETOJË, E KA ASGJËSUAR FUNKSIONIN E GAZETARIT SI RAPORTUES I PAVARUR DHE E KA SABOTUAR RËNDË DEMOKRACIONË NË VEND”

    Koloreto Cukali

    Por tanimë shumë institucione në Shqipëri, dhe partitë politike zgjedhin që në shumë ngjarje të mos ftojnë media ose gazetarë, por të përgatisin vetë lajmet dhe ato të dërgohen në redaksi lajmesh nga e-maili, ose nga grupe të krijuara në aplikacionin “WhatsApp”.

    Koloreto Cukal, kreu i KShM-së,i e krahason këtë praktikë me të shkuarën komuniste të Shqipërisë, ku gjithçka kontrollohej nga partia-shtet.

    “Praktika që lajmet i bën partia, qeveria dhe bashkia, ndërsa media ka për detyrë vetëm t’i transmetojë, e ka asgjësuar funksionin e gazetarit si raportues i pavarur dhe e ka sabotuar rëndë demokracionë në vend”, thotë Cukali duke shtuar se kjo praktikë i ngjan modelit enverist të manipulimit të të vërtetës në nivel industrial, por me fasadën që “media është e lirë”.

    Përsa i përket Indeksit të Lirisë së Shtypit, Reporterët pa Kufij (RpK) nga 180 vende në botë, Shqipërinë e renditën më së keqi në vitin 2013, në vendin e 102-të. Në vitet në vijim, pozita e Shqipërisë në këtë indeks pësoi rënie dhe ngritje, kështu duke u ngritur më së miri në vendin e 75 në vitin 2018, por duke rënë sërish në vendet 84 dhe 83 në vitin 2020, përkatësisht 2021.

    Në Indeksin e Lirisë së Shtypit, Shqipëria për këtë vit u radhit e 83-ta nga 180 vende në botë.

    Rëniet e herë pas hershme në pikëzimet ndërkombëtare për lirinë e medias në Shqipëri i atribuohet në shumicën e rasteve qeverisë, e cila sipas RpK-së rriti presionin mbi median në vitin 2020 duke kërcënuar përsëri për të miratuar ligjin antishpifje, pavarësisht kritikave nga organizatat e lirisë së shtypit dhe këshillës së Komisionit të Venecias kundër tij. 

    Ndër tjerash, RpK theksoi edhe akuzën e qeverisë Rama ndaj dy televizioneve kritike ndaj tij “Ora News TV” dhe “Channel One”, pronari i të cilave u akuzua për pjesëmarrje në veprimtari kriminale dhe krim të organizuar përmes një padie të veçantë gjykate në verën e vitit 2020. Në këtë rast, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, të shoqëruar nga policia, morën nën kontrollë administrimin e dy kanaleve në gusht të vitit 2020, duke pretenduar se pronari i tyre dyshohet për trafikim droge. 

    Gjithsesi, kritikët kanë rezerva edhe për raportet e huaja. Kreu i KShM-së, Koloreto Cukali thotë se raportet janë interpretuar keq. Sipas tij Shqipëria ngjan ― në mënyrë të pavërtetë ― sikur është më mirë, dhe ka disa arsye për këtë. Cukali thotë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, liria e medias ra kudo në botë, ndërsa disa vende ranë më poshtë sesa Shqipëria, dhe sipas tij u krijua iluzioni sikur ata po ngrihen. 

    Profesionistët dhe studiuesit e medias mbesin të shqetësuar për kahjen që po merr ky profesion. Sipas profesorit Luku praktika e Ramës për t’i shmangur mediet ka dëm kolosal pasi mediat në vend të raportimit të saktë e të paanshëm kthehen në mjete propagande të institucioneve të caktuara. Ndërsa pedagogia Gjoni konsideron se është vetë media ajo që duhet “t’i refuzojë në mënyrë kategorike të tilla servirje”. Sipas saj, ato dëmtojnë lirinë e medias dhe lirinë e mendimit, e bashkë me të, lirinë për të zgjedhur e votuar pa u ndikuar politikisht.

    Tanimë në shtator do të nisë legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë, dhe mbetet të shihet në vazhdim nëse qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama do ta rikthejë në parlament paketën e antishpifje, dhe sjelljen e tij me median në mandatin e tretë qeverisës. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

    Lajmi i rradhës

    Guardian: Bosnja në rrezik të ndarjes dhe konfliktit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë