Pritjet në “prag të shtëpisë” për mërgimtarët!

    Qytetarët presin me orë të tëra për të hyrë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, përmes pikës kufitare Tabanoc. Qytetarët ankohen se nuk po mbahen premtimet e Ballkanit të Hapur. Maqedonia e Veriut, bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë – si vende të nismës së njohur si “Ballkani i Hapur” – kanë rënë dakord, madje, edhe për një korsi të veçantë në Tabanoc për qytetarët e këtyre tri vendeve. Por kjo si duket nuk po praktikohet në terren.

    Mërgimtarët e që kthehen në vendlindje ankohen se këto pritje, janë të kota pasi që bëjnë rrugë të gjatë dhe kur arrijnë në prag të shtëpisë duhet të presin me orë të tëra.

    Mërgimtari Avni Saiti, deklaroi për KOHA se po udhëtonte prej në qytetin e Bernit për Kumanovë, së bashku më vëllain e tij, mirëpo pavarësisht afërsisë së pikës kufitare në Tabanoc me qytetin e Kumanovës, ata kanë pritur deri në tre orë në kufi. “Po kalojmë në disa kufij të vendeve tjera dhe në asnjë prej tyre nuk presim kaq gjatë. Ne pritëm deri tre orë, por dëgjova se të tjerët kanë pritur edhe më shumë. Ky nuk është trajtim dinjitoz, po arrijmë në prag të shtëpisë dhe po duhet të presim me orë të tëra”, theksoi Avni Saiti, mërgimtarë nga Gjermania.

    Një tjetër mërgimtarë i Maqedonisë, që udhëtoi nga Zvicra së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, theksoi për KOHA se pavarësisht premtimeve për Ballkanin e Hapur, mërgimtarët po presin me orë të tëra në pikën kufitare Tabanoc. “Premtime boshe prej politikanëve për Ballkanin e Hapur, përsëri në kufij po presim me orë të tëra. Kjo është maltretim me diasporën. Është kohë e nxehtë, kemi edhe fëmijë dhe pritet e gjata po na i prishin edhe pushimin. Kjo nuk është normale aspak”, deklaroi Lulzim Kamberi, mërgimtarë nga Zvicra.

    Aktualisht, në këtë pikë funksionojnë pesë korsi për makina, dy për kamionë dhe një për autobusë.

    Ndërsa, shoferët e kamionëve, po ankohen për pritje të gjatë, për shkak të rrezikut të prishjes së produkteve ushqimore. “Kamionin e kam të ngarkuar me qershi, kumbulla dhe pjeshka, ndërkohë që temperaturat janë mbi 35 gradë, nuk ndodh që në asnjë pik kufitare të bëhet kjo pritje, vetëm te ne. Po rrezikojmë ushqimet që po sjellim, edhe shëndetin e qytetarëve”, theksoi Ibrahim Selmani, shofer i një kamioni.

    Kryeministri Kovaçevski, para disa kohësh gjatë Forumit për Dialog në Prespë, kishte deklaruar se e ardhmja e iniciativës “Ballkani i Hapur” është e ndritur dhe qëllimi përfundimtar, sipas tij, është heqja e kufijve si vende anëtare të BE-së. “Ne dikur nuk kishim kufij, ndërsa tani jemi të vetmit në Evropë mes të cilave ekzistojnë kufijtë. Ku qëllimi përfundimtar dhe synimi ynë është që Ballkani të jetë pa kufij. Ballkani i Hapur ka një ka një të ardhme të ndritur, sepse një ditë të gjitha këto shtete do të jenë pjesë e BE-së. Në fund të këtij projekti do të promovohet heqja e kufijve dhe atyre rampave që na ndajnë nga të dyja anët e kufirit”, kishte thënë kryeministri Kovaçevski.

    Ndryshe, për çdo sezon të verës kur kemi fluks të mërgimtarëve që kthehen në vendlindje, kolonat me vetura në kufi janë disa orësh dhe po ashtu vazhdimisht kemi premtime të politikanëve që vitin tjetër nuk do të ketë pritje në kufi. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Biblioteka e Tetovës rrezikon të mbyllet

    Lajmi i rradhës

    Ndotësit e rrezikshëm rreth nesh – Çfarë mund të bëni për të parandaluar ndikimin në shëndet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë