Probleme me mirëmbajtjen e mjedisit

    Në kontinuitet Dibra dhe komunat rurale rreth saj siç janë Qendër Zhupa dhe Mavrovë Rostusha ballafaqohen me problemet në mjedisin jetësor. Në një situatë kur të tre komunat mes tjerash zhvillimin e shohin në një turizëm të fuqishëm, deponitë e shumta të egra ndotin jo vetëm tokën por edhe ujin. Poashtu shpesh herë shoqatat qytetare thonë se në Dibër ka probleme edhe me pastërtinë e ajrit. Të gjithë këta probleme duhet të trajtohen me angazhimin të komunave duke realizuar projekte rajonale dhe jo projekte parciale. Këtë e thonë përfaqësuesit e sektorit joqeveritar në Dibër.

    Ndotja që vjen nga mbeturinat e shumta që hedhen duke krijuar deponi të egra, por edhe ndotja e ujërave siç janë Lumi Radikë dhe Liqeni i Dibrës, janë një problem shumë serioz për rajonin. Aktivisti në sferën e mjedisit jetësor, profesori Flamur Mulladauti për gazetën KOHA thotë se problemi me mbeturinat është një problem serioz. Hedhja e mbeturinave shkakton ndotjen të tokës bujqësore por edhe ujërat të lumenjve dhe përroskave por edhe Liqenit të Dibrës.

    “Në një situatë të këtillë kur kemi probleme të shumta me mjedisin jetësor të tre komunat e rajonit Dibra, Qendër Zhupa dhe Mavrovë Rostusha, patjetër edhe në mënyrë urgjente duhet të bashkëpunojnë duke realizuar projekte të përbashkëta ekologjike. Deri tani siç jemi njoftuar të tre komunat kanë patur projekte individuale por ju bind se me projekte parciale nuk mund të zgjidhet problemi. Nëse komuna Mavrovë Rostush realizon një projekt parcial për parandalimin e mbeturinave gjatë rrjedhës së Lumit Raidkë, përsëri ata mbeturina që vijnë nëpërmjet këtij lumi në momente kur ka reshje dhe deponitë e egra përfundojnë në lum, ata do të vijnë në Liqenin e Dibrës dhe do të shkaktojnë ndotje. I njëjti problem është edhe me komunën Qendër Zhupë ku një numër i madh i deponive të egra nëpërmjet përroskave të kësaj komune rurale, përfundojnë në Liqenin e Dibrës. Prandaj analizat tona si ekologist thonë se rajoni më perëndimor i vendit ku janë tre komunat, mund të tejkaloj problemet ekologjike vetëm duke realizuar projektet të përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ne për fat të keq kemi një ndotje shumë serioze në këto momente në të tre komunat edhe atë në tokat pjellore, ujërat por kemi informata se duhet të bëhen edhe analiza për pastërtinë e ajrit. Shpesh herë deponia e qytetit digjet dhe tymi rrezikon shëndetin e dibranëve”, thotë Mulladauti.

    Me qëllim që të parandalohet ndotja e mjedisit jetësor, shoqata qytetare këto ditë planifikon një takim së bashku me biznesin lokal për të realizuar aksione ekologjike. Bashkëbiseduesi i jonë Flamur Mulladauti thotë se në këto aksione do të bëhet pastrimi i bregut të liqenit i cili këto ditë është përplot me mbeturina plastike, pastrimi i deponive në periferi të qytetit si dhe pastrimi i deponive të egra nëpër fshatra. Në aksionet jo vetëm për pastrim por edhe për rritjen e vetëdijes për një mjedis më të pastër do të angazhojmë shumë të rinj kryesisht nga shkollat e Dibrës. Besojmë se aksionet ekologjike do të mundësojnë që të kemi një liqe më të pastër si dhe lumenj më të pastra, thotë ai. Pastërtia e rajonit garanton një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit meqë jetojmë në rajonin me bukur të shumta natyrore, shton Mulladauti. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qeveri e re, resore të reja

    Lajmi i rradhës

    Nëse keni këto simptoma, po fusni shumë kripë në trupin tuaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë