Pse Japonia po kërkon aleatë të tjerë ushtarakë përveç ShBA-së?

    Reuters

    Para takimit me presidentin amerikan, Joe Biden, në Uashington, kryeministri japonez, Fumio Kishida, vizitoi Italinë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, me qëllim që të krijojë lidhje sigurie që mund ta ndihmojnë atë kundër Kinës, Koresë së Veriut dhe Rusisë.

    Në qershor, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes i Japonisë, Nobuo Kishi, tha se vendi i tij ishte i rrethuar nga shtete që kanë armë bërthamore dhe që refuzojnë t’iu përmbahen normave ndërkombëtare të sjelljes.

    Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Kishida e ka përshkruar sigurinë në Azinë Lindore si “të brishtë”.

    Në krye të listës së kërcënimeve të Japonisë është Kina, për të cilën ajo shqetësohet se mund të sulmojë Tajvanin ose ishujt japonezë që janë shumë afër. Aktiviteti ushtarak kinez po intensifikohet rreth Detit të Kinës Lindore, duke përfshirë stërvitjet e përbashkëta ajrore dhe detare me Rusinë.

    Në të njëjtën kohë, Koreja e Veriut ka lëshuar raketa në Detin e Japonisë dhe në tetor ka hedhur një raketë me rreze të mesme veprimi mbi Japoni, për herë të parë që nga viti 2017.

    Aleat i vetmuar

    Japonia e cila hoqi dorë nga e drejta për të bërë luftë pas humbjes së saj në Luftën e Dytë Botërore, në shtatë dekadat e fundit është mbështetur te SHBA-ja për mbrojtje.

    Në këmbim të premtimit të saj për të mbrojtur vendin, SHBA-ja morën baza që i lejojnë asaj të mbajë një prani të madhe ushtarake në Azinë Lindore.

    Japonia është nikoqir i 54.000 trupave amerikane, qindra avionëve ushtarakë dhe dhjetëra luftanijeve, që udhëhiqen nga aeroplanmbajtësja e vetme e dislokuar nga Uashingtoni.

    “Ndërtim” i mbrojtjes

    Ndërsa fuqia ushtarake e Kinës rritet krahas ekonomisë së saj, balanca e fuqisë rajonale është zhvendosur në favor të Pekinit.

    Dy dekada më parë, shpenzimet e mbrojtjes së Kinës tejkaluan ato të Tokios dhe tani janë më shumë se katër herë më të mëdha.

    E inkurajuar nga Shtetet e Bashkuara, Japonia në dhjetor njoftoi për investimin më të madh ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore, duke treguar se do të dyfishojë shpenzimet e mbrojtjes në 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm brenda pesë vjetësh.

    Këtu do të përfshihet buxheti për raketa me rreze më shumë se 1.000 kilometra, që mund të godasin objektivat në Kinë.

    Megjithatë, Pekini pritet të vazhdojë së zgjeruari aftësitë e tij ushtarake dhe ka të ngjarë të prodhojë armë gjithnjë e më të sofistikuara.

    Aleatë të rinj

    Për këtë arsye, dhe përsëri me mbështetjen e Uashingtonit, Japonia po kërkon partnerë të rinj sigurie për ta mbështetur atë në aspektin ushtarak dhe diplomatik.

    Për momentin kjo përpjekje është fokusuar në vendet që janë gjithashtu aleatë të fortë të SHBA-së, duke përfshirë Australinë, Britaninë dhe Francën. Tokio po kërkon gjithashtu lidhje më të ngushta sigurie me Indinë, e cila që nga viti 2004 është takuar rregullisht me Japoninë, Shtetet e Bashkuara dhe Australinë për të diskutuar mbi diplomacinë rajonale si anëtare e grupit, Quad.

    Në Londër më 11 janar, gjatë turneut të tij në vendet e tjera të G7-ës, Kishida nënshkroi një marrëveshje reciproke për mbrojtjen e qasjes, me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, që do ta bëjë më të lehtë për të dy vendet kryerjen e stërvitjeve ushtarake në territorin e njëri-tjetrit.

    G7 është një grupim jozyrtar i shtatë prej ekonomive më të përparuara të botës, duke përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, si dhe Bashkimin Evropian.

    Japonia është kryesuese e G7-s këtë vit dhe do të jetë mikpritëse e liderëve të këtij grupi në Hiroshima në muajin maj.

    Teksa Britania po anon më shumë nga Azia, ajo ka kërkuar lidhje më të ngushta mbrojtëse. Në vitin 2021, ajo dërgoi aeroplanmbajtësen e ri “HMS Queen Elizabeth” në një vizitë në Japoni dhe njoftoi se do të vendoste përgjithmonë dy anije luftarake në ujërat aziatike.

    Në dhjetor, Japonia njoftoi se do të ndërtonte një avion luftarak të ri me Britaninë dhe Italinë, projekti i saj i parë i madh ndërkombëtar i mbrojtjes me një vend të ndryshëm nga Shtetet e Bashkuara që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

    Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, marrëdhëniet ndonjëherë të trazuara të Japonisë me Korenë e Jugut janë përmirësuar gjithashtu, duke hapur mundësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë ushtarak midis dy aleatëve të SHBA-së. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kalcium jo vetëm nga qumështi

    Lajmi i rradhës

    Kjo është kërkesa që Zidane ka nëse do të bëhet trajner i PSG-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë