Pse rrushi i Bojanës nuk bëhet verë?! (Video)

    Në fshatin Bojanë, fshat i cili shtrihet në veriperëndim të Dërvendit, rreth 18 km larg Shkupit, rrushi është më shumë se një kultivim, ai është një pjesë e rëndësishme e identitetit lokal. Çdo vit, në këtë fshat organizohet “Festivali i Rrushit të Bojanës” një event që mban gjallë traditën e vjetër të kultivimit të rrushit dhe punën e palodhur të vreshtarëve, sidomos atyre më në moshë që e kanë kultivuar këtë kulturë për breza me radhë, shkruan Nistori.

    “Festivali i rrushit në fshatin Bojanë organizohet nga viti 2015. Këtu kultivohen shumë lloje të rrushit, por më të njohur janë rrushi i bardhë, hamburg, kralica, hafizali dhe të tjerë. Ka shumë interes për këtë lloj kulture, shumë njerëz mundohen të blejnë vreshta, të cilat janë të vetmet hallall në RMV dhe kultivohen në maksimum”, – deklaroi Munisa Farizi, e cila është pjesë e grupit të të rinjve që angazhohen me festivalin.

    Në festivalin e rrushit takuam disa vreshtarë të rinj, të cilët e kanë trashëguar nga brezat e mëparshëm artin e të kultivuarit të rrushit.

    “Unë dhe familja ime merremi prej shumë kohësh me kultivimin e rrushit dhe jemi shumë të kënaqur nga tradita që e kemi në fshat. Të rinjtë merren dhe angazhohen shumë dhe jemi të kënaqur që më të moshuarit na e kanë lënë si traditë dhe jemi shumë krenar për këtë” – deklaroi për Nistori Bedri Ramadani.

    “Me kultivimin e rrushit merremi që 20 vjet. Rrushi më i pëlqyer është hamburgu i zi. Shitje bëjmë në Tetovë, Gostivar, Shkup. Viteve të fundit ka pak rënie” shprehet Imran Beadini, një tjetër vreshtar i ri nga ky fshat.

    Edhe pse të rinjtë përfshihen në këtë profesion, për gjeneratat më të moshuara, numri i vreshtarëve të rinj nuk është i kënaqshëm. Sipas tyre këtu ka ndikuar edhe largimi masiv i të rinjve nga vendi.

    “Me rrush merrem që 40 vjet. Çmimi i rrushit këto dy vjet është 100 denar për kg. Nuk ka shumë interes për kultivimin e rrushit sepse rinia po largohet shumë nga vendi dhe është për keqardhje. Por, duhet që edhe qeveria të marrë masa” – deklaroi për Nistori Idajet Rustemi.

    “Tradicionalisht dihet që fshati Bojanë ka rrush shumë të shijshëm, fatkeqësisht vetëm gjeneratat e vjetra e kultivojnë rrushin, të rinjtë pak më pak. Të rinjtë i ikin kësaj punë, sepse kërkon përkushtim, punë, fushat janë me baltë dhe rinia nuk e ka qejf këtë. Mirëpo, është një kulturë dhe pasqyrë e mirë e Dërvenit, veçanërisht e fshatit Bojanë, por është edhe një atraksion ndërkombëtar, edhe për njerëzit që nuk janë nga këtu është mirë të vijnë dhe të shijojnë një gjë të tillë. Numri i atyre që merren me kultivimin e rrushit nuk është i mjaftueshëm, sepse një numër i madh i fshatarëve jetojnë jashtë, në Evropë apo Amerikë, mirëpo sërish është numër i kënaqshëm” u shpreh Afrim Bajrami.

    Mes vreshtarëve të rinj e të vjetër hasëm edhe Hasip Bajramin, një pensionist i cili ka jetuar për 20 vjetë me radhë në Austri dhe që ka vendosur të rikthehet në Bojanë për tu marrë me kultivimin e disa kulturave bujqësore.

    “Kultivimi i rrushit në fshatin tonë ka një histori më të gjatë, mirëpo nga festivali i rrushit rinia ka filluar të përfshihet më shumë sepse disi ishte në harresë. Rinia u kthye tek ajo se si të parët tanë kanë jetuar dhe punuar dhe tani fitimi është më i mirë se ç’ka qenë më herët. Unë jam edhe bletar, kultivoj edhe badema dhe merrem edhe me reçelin e kungullit për rreth katër vjet, reçel që është prodhim shtëpie, dhe kemi shitje shumë të mirë, ka kërkesa sa që na vjen keq ta lëmë këtë profesion” – shprehet ai.

    Duke iu drejtuar të rinjve të cilët zgjidhjen për një jetë më të mirë e shohin jashtë vendit, Hasip Bajrami deklaroi:

    “Rrënjët tona janë këtu, bukë e kripë në vendlindje dhe mos e boshatisim vendin tonë. Edhe këtu kur do diçka e arrin”.

    Përndryshe, kultivimi i rrushit dhe festivali i përvitshëm, jo vetëm që po kontribuon në zhvillimin ekonomik të fshatit, por gjithashtu inkurajon agroturizmin, duke ofruar mundësi për vizitorët që të shijojnë produkte lokale dhe të eksplorojnë traditat e kultivimit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Thaçi: nuk jam më pjesë e Frontit Europian, por as nuk pendohem që isha pjesë e saj

    Lajmi i rradhës

    Buxhete qesharake për festivalet shqiptare, ankohen organizatorët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë