Prokuroria Publike është duke punuar në disa raste që kanë të bëjnë me “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”, REK “Manastir” dhe lëndët që kanë të bëjnë me prokurimin e burimeve të energjisë, ka bërë të ditur prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski në një intervistë për “360 Gradë” në RTM 1.
Në pyetjen nëse prokuroria kryen procedura të tjera parahetimore për punën e EMV-së pas hapjes së hetimeve për rastin “Aditiv”, prokurori u përgjigj:
“Epo, ka. Dhe kjo është hera e parë që ju njoftoj se aktualisht Prokuroria Themelore Publike e Manastirit është duke punuar në gjashtë procedura tenderuese. Plus punon për të tjera, për procedurat e tjera për prokurimin e qymyrit, mazutit e kështu me radhë, që do të thotë se ka shumë punë. Po mblidhen prova. Në një pjesë janë aktivizuar MPB-ja dhe BSP-ja me Departamentin e tyre për luftimin e krimit, kështu që pres që në një të ardhme të afërt të kemi rezultate atje”, tha kryeprokurori publik.
Në pyetjen se a ka kapacitet PTHP Manastir për t’i trajtuar të gjitha këto raste, prokurori u përgjigj:
“Me sa kam informacion, PTHP Manastir është duke punuar intensivisht, me kapacitet të plotë, për këto raste. Me atë që nga 1 shkurti do të formoj edhe atje një qendër hetimi. Mbetet të krijohet një qendër hetimore në PTHP Manastir dhe në PTHP Shtip, kështu që shpresojmë se do të jetë një ndihmë e madhe”, tha Kocevski.
Siç tha Kocevski në pjesën e mëtutjeshme të bisedës, arsyeja pse të gjitha këto lëndë trajtohen nga Prokuroria Publike e Manastirit është se krimet e mundshme kanë ndodhur në territorin që mbulon kjo prokurori. Dhe kapaciteti më i madh energjetik në atë territor është REK “Manastir”.