Qarku i Shkodrës ka vlerësuar me certifikatën e mirënjohjes, pas vdekjes, një ndër personalitetet e botës islame, shkodranin Nasuridin Al-Albani, njofton TV1 Channel – Shkodër, përcjell Nistori.
Në ceremoninë e organizuar për këtë rast nën drejtimin e kryetarit të Këshillit të qarkut, Edmond Ndou, merrte pjesë edhe deputeti Agron Çela, i cili ka qenë njëri ndër nismëtarët e nderimit të kësaj figure, si dhe familjarë të dijetarit të shquar dhe klerikë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ndou u ndal tek ajo që përfaqëson ky personalitet, jo vetëm për myslimanët, por për gjithë shqiptarët.
“Jam i lumtur që sot gjendemi së bashku për të nderuar në Shkodrën e tij një personalitet si Nasirudin al-Albani. Një njeri që i dha shumë fesë dhe dijes, edhe pse rrethanat e detyruan familjen e tij të largohet nga Shqipëria, për t’u vendos në Damask të Sirisë, ai u rrit me një frymë që kur nuk i harroi rrënjët e tij. Nasirudin al-Albani është sot një shembull frymëzimi për brezat, një pikë referimi, por edhe një emër që na bënë krenar të gjithëve – si një bir i një kombi të vogël që në shekuj ka nxjerrë emra të mëdhenj”, tha mes tjerash Ndou.
Familjari i Shejh Albanit, Mohamed Anamali Adem, tha se studentët akoma përfitojnë nga librat e hoxhës së shquar. Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria meriton të krenohet me këtë dijetar.
“Nderimi i dijetarit të hadithit, është një vlerësim që Shkodra i bën birit të saj, i cili kudo ka mbartur me krenari emrin shqiptar dhe prejardhjen e tij”, tha imami i njohur nga Kosova, Dr. Shefqet Krasniqi.
“Njerëzit e kanë njohur Shqipërinë nëpërmjet Albanit, më shumë se që e kanë njohur nëpërmjet ambasadave, politikës, ose çfarëdo drejtimi tjetër”, tha Dr. Shefqet Krasniqi.
Emri i Nasirudin Al-Albanit u bë një pasaportë për Shqipërinë, pasi të gjithë e njihnin dijetarin e shquar. Mori emrin Shejh Albani, pasi nuk donte të humbiste identitetin e tij dhe me këtë emër u bë i njohur në të gjithë botën.
Në vitin 1999 iu dha çmimi “Mbreti Fejsal” për hulumtime shkencore dhe shërbim të shkencave të hadithit, çmim ky që i jepet njerëzve të përzgjedhur që i kanë shërbyer fesë dhe shkencave të saj. /Nistori/