Qeveria do të kërkojë përgjegjësi penale nga ish-drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simoski, dhe zëvendësi i tij Ilmi Selami, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi dje se gjatë regjistrimit të vitit 2021, qytetarët u ndanë në popullsi “rezidente” dhe “jorezidente”, në kundërshtim me Kushtetutën.
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, akuzoi BDI-në se përmes zëvendësdrejtorit të Entit të Statistikës po zbatonte idenë e saj për futjen në mënyrë jokushtetuese të këtyre dy kategorive me qëllim që të tregojë se ka më pak shqiptarë në vend sesa ka në realitet, dhe në këmbim të kësaj, Selamit iu premtua pozicioni i ambasadorit.
“Për këtë shërbim që bëri, ai u shpërblye me premtim për t’u bërë ambasador, ne e penguam atë propozim nga BDI si qeveri e re, që nga fillimi i qeverisjes, dhe ai do të duhet të japë llogari për shkeljen e ligjit dhe kushtetutës. Ne presim komente nga autoritetet hetimore në lidhje me përgjegjësinë e tij penale”, tha Arben Fetai, Zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
Kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi këtë temë, tha se përgjegjësinë politike për kryerjen e regjistrimit e ka marrë koalicioni i mëparshëm në opozitë, ndërsa do të duhet të verifikohet nëse ka baza për përgjegjësi penale.
Edhe pse e kërkuam Ilmi Selamin, ai nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve tona, ndërsa ish-drejtori Apostol Simoski tha në bisedë të shkurtër telefonike se nuk dëshironte të komentonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese në këtë moment, por se së shpejti do ta deklaronte publikisht qëndrimin e tij.
Gjatë periudhës kur Gjykata Kushtetuese vendosi të ndërmarrë iniciativë për këtë çështje, Simoski në një intervistë për Alsat kishte mbrojtur futjen e këtyre kategorive duke pretenduar se kushtetuta nuk ishte shkelur dhe se institucioni po respektonte vetëm rregullat e konventave të të cilave ne jemi nënshkrues.
“Ne jemi të detyruar si anëtar i Kombeve të Bashkuara të respektojmë atë që është përcaktuar brenda kornizës së kësaj organizate, pra jemi të detyruar, të gjitha ato konventa kanë statusin e ligjit në këtë vend dhe ato duhet të respektohen. Ne nuk e shkelëm kushtetutën në asnjë mënyrë. Ky nuk është operacion që është i lidhur vetëm me një vend, ky është operacion që është i lidhur me të gjitha vendet në botë dhe të gjithë duhet t’i respektojnë këto standarde. Këto janë rregulla, nëse quhen rekomandime në atë dokument, kështu quhet dokumenti, por ato janë të detyrueshme”, kishte thwnw Apostol Simoski, ish-drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.
Mbetet për t’u parë nëse Simoski dhe Selami do të ndiqen penalisht, pasi Prokuroria u përgjigj se ende nuk e kanë marrë zyrtarisht vendimin nga Gjykata Kushtetuese dhe as nuk kanë marrë ndonjë denoncim kundër ish-drejtuesve të Entit Shtetëror të Statistikave. / Alsat/