Mandatari i ardhshëm Hristijan Mickoski do të përpiqet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave në Parlament për ndryshimet e ligjit me të cilin qeveria e ardhshme do të mund ta fillojë mandatin me ministri të reja dhe të riorganizuara, të cilat VMRO-DPMNE i paralajmëroi në programin zgjedhor “Platforma 1198”. Për të bërë një riorganizim të tillë të dikastereve, nevojitet ndryshimi i Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, i cili kërkon shumicën e dy të tretave në Parlament
Sipas asaj që po flitet nga koalicioni VMRO-DPMNE, ai synim është mjaft i arritshëm. Më herët kishte “sinjale” nga disa deputetë se do t’i bashkohen shumicës qeverisëse, por më i drejtpërdrejtë ishte kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, i cili dje në TV 24 tha se VMRO-DPMNE pa koalicionin VLEN aktualisht tashmë ka 63-64 deputetë.
Nga koalicioni VLEN, i cili po ashtu po fillon bisedimet përmes grupit punues për një koalicion të mundshëm me VMRO-DPMNE-në, e konsideron të pranueshëm përcaktimin programor për riorganizimin e ministrive, që do të thotë se nuk përjashtohet që me mbështetjen e tyre dhe partive tjera, ndryshimet do të mund të zbatoheshin.
RESORE TË REJA DHE TË RIORGANIZUARA
Gjatë fushatës, Mickoski paralajmëroi Ministrinë e re të Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, duke theksuar se deri më tani në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë ekzistonte vetëm një departament “Burimet Minerale”, i cili e kryente punën shumë dobët. Organizimi i institucioneve duhet t’u përgjigjet nevojave të kohës në të cilën jetojmë”, thuhet në programin zgjedhor të VMRO-DPMNE-së.
“Për rritjen e efikasitetit dhe funksionalitetit të punës së organeve të administratës shtetërore, parashikojmë riorganizimin e ministrive ekzistuese, të cilat do të rriten në: Ministria e Ekonomisë dhe e Punës (që do të përfshijë tregun e punës, tërheqjen e investimeve, sipërmarrjen); Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Sportit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria për Transformim Dixhital”, theksuan nga VMRO-DPMNE.
Ky nuk do të ishte riorganizimi i parë i tillë. Që nga pavarësia e shtetit, një pjesë e madhe e resoreve iu nënshtruan riorganizimit. Më parë kishte ministri të veçanta për tregtinë, për zhvillimin, për shkencën, për emigracionin, për informacione, një ministri e veçantë për transportin, një ministri e veçantë për ndërtimin, të cilat më vonë u integruan në resore të reja ose u transformuan. Me ish-Ministrinë e Sportit dhe Rinisë ka pasur një rend të kundërt, e cila më pas është riorganizuar në Agjencinë për Rini dhe Sport dhe tani është rrugës për t’u bërë sërish ministri.
SHKRUTIM TË POZICIONEVE
Aktualisht ka 16 ministri dhe 20 anëtarë të Qeverisë. A do të arrijë VMRO-DPMNE ta fillojë mandatin me resore të riorganizuara? Sipas nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajlovski, partia do të tentojë.
“Ne do të përpiqemi ta bëjmë. Natyrisht, mandatari, gjegjësisht kryetari Hristijan Mickoski, do të bëjë përpjekje që në afatin ligjor që do të vijojë, dhe mendoj se si mandatar do të ketë sukses të bëjë një nga qeveritë më të mira”, tha Misajlovski.
Ky nuk është ndryshimi i vetëm i paralajmëruar nga koalicioni fitues.
“Do të shqyrtojmë mundësinë e heqjes së pozitave të zëvendësdrejtorit. Në këtë mënyrë do të rritet efikasiteti në funksionimin e institucioneve dhe do të zvogëlohen kostot joproduktive në funksionim. Do të parashikojmë ndryshime ligjore për uljen e numrit të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse në disa organe të administratës shtetërore dhe institucione publike, si dhe uljen e numrit të anëtarëve të tyre”, thuhet në program.
Për institucionet e vogla, programi parashikon mundësinë e futjes së një sistemi të centralizuar për detyra të përbashkëta administrative, si administrata, kontabiliteti, logjistika, prokurimet publike etj.
10% MË PAK
Duke aplikuar përvojat dhe analizat evropiane, VMRO-DPMNE paralajmëroi edhe “ulje prej 10% të numrit të përgjithshëm të organeve të administratës shtetërore, institucioneve dhe ndërmarrjeve publike”. Aktualisht janë 1371 të tillë.
“Institucionet që kanë kompetenca të ngjashme do të shkrihen në një, gjë që do të zvogëlojë numrin e drejtorëve, bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, si dhe kostot e panevojshme. Në këtë mënyrë do të ulen edhe kostot për funksionimin e sektorit publik. Me këtë riorganizim institucionet do të forcojnë kapacitetet e tyre, zyrtarët administrativë do të kenë mundësi për përparim, do të vendosen vija të qarta të llogaridhënies dhe transparencës dhe qytetarët do të marrin shërbime cilësore dhe efikase në mënyrë optimale”, paralajmëroi VMRO-DPMNE.
Është planifikuar një analizë për nevojën e shpërndarjes së një pjese të institucioneve shtetërore në qytete të tjera, në mënyrë që të krijohen kushte institucionale për zhvillim të balancuar rajonal dhe afrimin e institucioneve me të gjithë qytetarët. Kjo analizë do të bëhet në bashkëpunim me BNJVL-në dhe institucionet shkencore. /Koha/