Qeveria ul tarifat doganore për 67 mallra nga 1 korriku!

    Qeveria miratoi Propozim-ligj për ndryshimet në Ligjin për Tarifë Doganore, me të cilin parashihet ulja e normave doganore për 67 mallra që përdoren si lëndë të para dhe material ndihmës në industrinë vendase. Masa, e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik, synon të forcojë konkurrueshmërinë eksportuese të industrisë automobilistike, të përpunimit të metaleve, metalurgjisë dhe sektorit të energjetikës në Maqedoni. Ministrja e Financave, Koçoska, theksoi se me këto ndryshime bëhet ulje e normave doganore për 50 për qind të diferencës midis normave tona ekzistuese doganore dhe atyre të Bashkimit Evropian për këto mallra.

    “Paralelisht me ndryshimet, po qasemi edhe drejt harmonizimit të plotë me normën doganore që zbatohet në BE për bateritë litium-jon për ruajtjen e energjisë elektrike në sektorin e energjetikës. Gjegjësisht, nga 1 korriku norma doganore për to ulet nga 15 për qind në 2,7 për qind, me çka ndihmojmë drejtpërdrejt sektorin e energjisë. Kjo, për shkak se bateritë po bëhen element kyç në balancimin e energjisë, në shërbimet sistemore, si dhe në planifikimin e dorëzimit të energjisë në rrjet nga burimet e ripërtëritshme, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sistemit, por edhe sigurimin e fizibilitetit të projekteve të ripërtëritshme”, deklaroi Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.

    Dimitrieska Koçoska theksoi se ndryshimet janë propozuar me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë së kompanive vendore që eksportojnë në tregjet e huaja.

    „Me këtë ndryshim realizohet Programi i punës së Qeverisë 2024–2028 në pjesën ku Qeveria është zotuar për harmonizim gradual të normave doganore me ato që zbatohen në Bashkimin Evropian, të përshtatura sipas nevojave të eksportit dhe importit të ekonomisë dhe të shtetit. Gjithashtu, ato përbëjnë plotësim të të gjitha masave dhe politikave që i ndërmarrim për mbështetje të ekonomisë vendore përmes investimeve në sektorin publik dhe privat, me qëllim të arritjes së shkallëve më të larta të rritjes dhe sigurimit të një standardi më të lartë jetese”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.

    Ministrja e Financave theksoi se kanë propozuar edhe heqjen e normave doganore për mallrat që vijnë në vendin tonë nga SHBA. Ajo tha se në këtë mënyrë do të kontribuohet në rritjen e konkurrencës në tregun vendor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Eurointegrimet / Bisedimet në qorrsokak

    Lajmi i rradhës

    Mosha mesatare e nisjes së duhanit në RMV: 13.5 vjeç

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë