Qytetarët e RMV jetojnë 20 vite më pak se ata të Europës

    20 vite më shumë se afrikanët, por shumë më pak se evropianët, jetojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, thonë të dhënat e Kombeve të Bashkuara. Këto të dhëna treguan se qytetarët në Maqedoninë e Veriut jetojnë mesatarisht 75 vjet, e si më jetëgjatë janë qytetarët e Monakos me mesatare nga 87.01 vjet. Sipas asaj që është thënë, gjenetika, gjinia, mënyra e jetesës, janë ato që ndikojnë në jetëgjatësinë e njeriut, e si faktorë tjerë merren edhe higjiena, dieta, kultura, zgjedhja e profesionit, veset, stërvitja, aksesi në kujdes shëndetësor cilësor, madje edhe shkalla e krimeve.

    Sipas Lidija Çolakova-Dervishova, kryetare në Shoqatën e Mjekëve Privat, janë qytetarët ata që duhet të kujdesen për shëndetin e tyre. Ajo beson se nuk është e shëndetshme për fëmijët të shpenzojnë aq shumë kohë në rrjete sociale, të ndjekin përmbajtje që nxisin dhunë pasi kjo krijon stres.

    “Për të rriturit, për gjithë ata që kanë kushte ta përballojnë është mirë që të dalin jashtë mjedisit urban, të dalin në ajër të pastër, të punojnë pasi puna e mban njeriun, të prodhojnë ushqim për të cilin do ta dijë sa është i spërkatur”, tha Çolakova-Dervishova.

    Që ushqimi dhe të ushqyerit janë faktorë i rëndësishëm për jetëgjatësinë e njeriut pajtohet edhe nutricionistja Nora Limani, e cila për gazetën KOHA tha se edhe pse kuzhina ushqimore e Maqedonisë së Veriut është e pasur me shumëllojshmëri frutash e perimesh të freskëta, megjithatë futja në treg e ushqimeve të shpejta ka ndryshuar shprehitë e të ushqyerit modern.

    “Ushqimi dhe të ushqyerit janë një faktorë shumë i rëndësishëm dhe thelbësor që ndikojnë në jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës, pasi vet shëndeti i njeriut varet nga cilësia e ushqimit. Shprehitë e të ushqyerit të shëndetshëm duhet të mësohen qysh në moshë të hershme dhe të bëhen traditë e të ushqyerit të përditshëm”, tha Limani duke shtuar se mënyra se si ushqehemi flet shumë për kulturën e të ushqyerit të popullatës në përgjithësi. “Kuzhina ushqimore në Maqedoninë e Veriut.

    Veriut është e ndikuar nga kuzhina ballkanike dhe mesdhetare, dhe zakonisht përbëhet nga një shumëllojshmëri frutash dhe perimesh të freskëta, drithëra kokërr-plotë, bishtajore dhe proteina nga mishi i lopës, deles, mishi i peshkut e i pulës. Ushqimi tradicional shpeshherë përfshinë edhe sallata dhe supa, e që të gjitha këto konsiderohen si ushqim i shëndetshëm. Megjithatë, shprehitë e të ushqyerit kanë ndryshuar me futjen në treg të ushqimeve të shpejta (fast-food) dhe ushqimeve të përpunuara apo të proceduara, të pasuruara me sheqer shtesë, kripë të shtuar, etj. Fatkeqësisht, popullata e gjerë është e ekspozuar ndaj ushqimeve të ashtuquajtura të bukura nga pamja, por të dëmshme nga cilësia”, theksoi ajo.

    Limani kërkoi nga popullata që të vetëdijesohet dhe të bëjnë dallimin mes ushqimit të shëndetshëm dhe atij të dëmshëm për organizmin. Sipas saj studimet kanë treguar që ushqimi i shëndetshëm dhe i balancuar mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve kronike siç janë diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, dhe disa lloje të kancerit, e që rrjedhimisht do ndikonin edhe në rritjen e jetëgjatësisë.

    “Prandaj është thelbësore që njerëzit në Maqedoninë e Veriut, por edhe në mbarë botën ti japin rëndësi dietave ushqimore të shëndetshme dhe të balancuara për jetë më të gjatë e më të mirë”, përfundoi ajo. Faktin që edhe stresi ka ndikim direkt në jetëgjatësinë e njeriut e konfirmojnë edhe psikologët. Psikologja Radmila Mançevska thotë se stresi ndikon në imunitet, shter kapacitetet e organizmit, e dobëson atë dhe nxit predispozita gjenetike për shfaqjen e disa sëmundjeve.

    “Situatat stresuese të mbijetuara, sjellin shfaqen e sëmundjeve të ndryshme”, tha Mançevska.

    Një anketë rajonale e organizatës “Analitika” dhe Universitetit të Çikagos e para disa viteve tregoi se Maqedonia e Veriut është lider për numrin e duhanpirësve në rajon dhe Evropë. Deri në 48.4% arrin numri i njerëzve që janë duhanpirës, çka bëri që vendi të ngjitet në top listën e 10 vendeve që kanë varësi nga duhani. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në ditë mesatarisht i pinë nga 20 cigare, ndërsa më shumë duhanpirës janë meshkujt. Mesatarja e jetëgjatësisë në Hong-Kong është 85.83 vjet, Japoni (84.95), Lihtenshtajn (84.77), Zvicër (84.38), Singapor (84.27), Itali (84.2). Jetëgjatësi e shkurtër gjendet në Nigeri (53.87), Republika Qendrore Afrikane (55.48), Sudanin e Jugut (56.51), Somali (57.35). /koha/

    Lajmi Paraprak

    Trup i shëndetshëm pas moshës 40 vjeç – Zakonet që duhen ndryshuar

    Lajmi i rradhës

    Përse flokët thinjen?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë