Kuvendi do t’ua paguajë deputeteve ekzaminimet private të mamografisë, në një kohë kur shumë gra prej muajsh përpiqen të caktojnë termine për mamografi në institucionet shëndetësore publike, për shkak të mungesës së termineve të lira, shkruan SDK, përcjell Nistori.
Një ekzaminim privat i mamografisë në Maqedoninë e Veriut kushton nga 3.000 deri në 5.000 denarë.
Ky shërbim i është shtuar paketës bazë të ekzaminimeve sistematike për deputetët dhe të punësuarit në Kuvend. Shërbimin e mamografisë në institucionet private do të mund ta shfrytëzojnë gjithashtu të punësuarat në Kuvend dhe ato në Zyrën e Presidentit.
Nëse ekzaminimet private të deputetëve tashmë paguhen me mjete nga Buxheti, mbetet e paqartë përse nga foltorja e Kuvendit nuk ngrihet si çështje vështirësia me të cilën qytetaret përballen për të caktuar një ekzaminim mamografik në institucionet shëndetësore publike. Po ashtu, mbeten çështje serioze numri i rasteve të kancerit të gjirit dhe shkalla e lartë e vdekshmërisë nga kjo sëmundje në Maqedoninë e Veriut.
Vendimi për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme të një institucioni privat shëndetësor në Shkup është marrë në mars.
Ndërkohë, gjithnjë e më shumë institucione dhe ndërmarrje shtetërore po sigurojnë shërbime private shëndetësore për të punësuarit e tyre me mjete publike. Edhe për të punësuarit në SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM) – Shkup është prokuruar një paketë e tillë. Prokurimi mban titullin: “LOTI 10 – Sigurim shëndetësor privat shtesë për të punësuarit e SHA ESM”.
Edhe Video Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka lidhur marrëveshje për “Prokurimin e shërbimeve për sigurim shëndetësor privat vullnetar për një periudhë prej dy vjetësh”. Në këtë mënyrë, të punësuarit mund t’i kryejnë ekzaminimet në institucione private, ndërsa shpenzimet mbulohen me mjete publike.
Sigurim shëndetësor privat kanë edhe të punësuarit në Bankën Popullore. Po ashtu, drejtuesit dhe të punësuarit në Bankën për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut SHA Shkup kanë sigurim shëndetësor privat, shpenzimet e të cilit nuk i mbulojnë nga xhepi i tyre, por me mjete të institucionit.
Kjo ndodh në një kohë kur qytetarët përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të siguruar termine dhe për të pasur qasje në shërbimet e kujdesit shëndetësor sekondar dhe, veçanërisht, terciar në klinikat dhe spitalet publike.
Edhe profesorët e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI), pagat e të cilëve financohen nga Buxheti, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor privat. Për këtë qëllim është përzgjedhur një kompani sigurimi që ofron shërbimin e sigurimit shëndetësor privat. /Nistori/






