Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2024, deputetët e shumicës e prezantojnë si gotë gjysmë të mbushur, ndërsa ata të opozitës si gotë gjysmë të zbrazët. Opozita u fokusua te kritikat e rekomandimet e pa përmbushura, duke nënvizuar stagnimin në pjesën e luftës kundër korrupsionit, si dhe nevojën për ndryshime në pjesën e sundimit të së drejtës.
“Në pjesën e gjyqësorit dhe sundimit të së drejtës është theksuar se nevojiten ndryshime reale për transparencë më të madhe, llogaridhënie dhe pavarësi në gjyqësor. Në pjesën e luftës kundër korrupsionit është theksuar se vendi ka stagnuar në këtë pjesë dhe se është e nevojshme sjellja e një kodi të ri penal, që do të harmonizohet me standardet evropiane”, tha Mitko Trajçuleski, deputet i LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja fokusohet në përmirësimet që janë shënuar krahasuar me raportin paraprak, duke nënvizuar se janë bërë hapa serioz në përmbushjen e reformave.
“Në pjesën e vlerësimit ose përparimin, në këtë raport, krahasuar me periudhën e raportit paraprak deri në 2023 vlerësimi ishte 3,03 ndërsa këtë herë për këtë raport është 3,09. Vërehet ky trend i vogël i përmirësimit, ose hapat e parë që Komisioni Evropian thotë se shteti e mban ambicien për qasje të mëtejshme, respektivisht anëtarësim i plotë i Maqedonisë në familjen evropiane. Kuptohet se sfida më e madhe akoma mbeten sektorët kyç, sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, administrata publike, të drejtat e njeriut, liria e mediave dhe kështu me radhë”, shtoi Marija Petrushevska, VMRO-DPMNE.
Karakteristikë e raportit të këtij viti është se e përfshin periudhën prej shtatorit të vitit 2023 deri në shtator të vitit 2024 që nënkupton se i mbulon dy qeveri politike si dhe një teknike. /Alsat/