RAPORTI I DASh, KLIMA E BIZNESIT | Shqetësime për korrupsionin në RMV!

    Maqedonia e Veriut ka ligje që synojnë të kundërshtojnë ryshfetin, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe konfliktin e interesit dhe zyrtarët e qeverisë dhe të afërmit e tyre të afërt u kërkohet ligjërisht të zbulojnë të ardhurat dhe pasuritë e tyre. Megjithatë, zbatimi i ligjeve kundër korrupsionit ka qenë shpesh i dobët dhe ka shënjestruar në mënyrë selektive kritikët e qeverisë dhe shkelësit e nivelit të ulët. Ka pasur akuza të besueshme për korrupsion në zbatimin e ligjit, gjyqësor dhe shumë sektorë të tjerë. Kjo ndër të tjerash theksohet në raportin për klimën e investimeve të huaja direkte për vitin 2023 nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Njëherësh raporti i DASH thekson se shumë biznese që operojnë në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë disa biznese amerikane, e identifikuan korrupsionin si problem në tenderët qeveritarë, në përpjekjet për të siguruar licenca dhe në gjyqësor. Gjithashtu asnjë firmë vendase apo grupe jofitimprurëse nuk ofron shërbime verifikimi të partnerëve të mundshëm investues vendas, megjithatë, në disa tenderë të profilit të lartë dhe me vlerë të lartë, gazetarët investigativë zbuluan informacione të mundshme lidhur me investitorët e mundshëm ose aktualë. Kompanitë e huaja shpesh punësojnë avokatë vendas, të cilët kanë njohuri për sektorët industrialë vendas dhe akses në Regjistrin Qendror dhe shoqatat e biznesit, të çilët mund të ofrojnë informacion financiar dhe bazë për bizneset lokale dhe partnerët e mundshëm.

    Më tej thuhet se në prill 2021, Parlamenti miratoi Strategjinë Kombëtare 2021-2025 për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit dhe Planin e Veprimit përkatës, duke konsoliduar angazhimin e vendit për të parandaluar korrupsionin dhe për të sanksionuar sjelljet korruptive. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka qenë proaktiv në hapjen dhe ndjekjen e një numri hetimesh të lidhura me korrupsionin të fokusuara në zyrtarë të nivelit nga i gjithë spektri politik për nepotizëm dhe konflikt interesi të supozuar. Më shumë se një duzinë raste të iniciuara nga ish-Zyra e Prokurorisë Speciale (e cila erdhi nga një skandal përgjimi që zbuloi shpërdorim të gjerë të detyrës nga ish-zyrtarët publikë dhe korrupsionin që përfshin tenderët publikë) ose u pushuan për shkak të skadimit të parashkrimit ose pritet të shpallen të vjetruara për të njëjtat arsye, në zbatim të ndryshimeve në kodin penal të shtatorit 2023. Këto ndryshime prezantuan uljen e dënimeve me burg për shpërdorim të pozitës zyrtare për përfitime personale dhe mundësinë e reduktimit të parashkrimit duke lejuar efektivisht të pandehurit t’i shpëtojnë gjykimit pasi statuti kishte skaduar.

    Fshirja e neneve që parashikojnë dënime për shpërdorim të prokurimit publik, dëmtim të buxhetit të shtetit, si dhe dënime më të ulëta propozohen edhe për krimin e bashkimit kriminal.

    Disa çështje që gjykatat arritën t’i gjykonin iu nënshtruan vendimeve përfundimtare që rezultuan kryesisht me dënime tepër të buta dhe me kusht.

    Transparency International (TI) e renditi Maqedoninë e Veriut në vendin e 76-të nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2023, një rritje prej 9 vendesh. TI vëren se ashtu si gjyqësori i Maqedonisë së Veriut filloi të përparojë me një përmirësim prej 2 pikësh, ai u dëmtua ndjeshëm me ndryshimet në kodin penal. TI vlerëson se ndryshimet do të çojnë në pushimin e 200 çështjeve, përfshirë rastet kundër ish-zyrtarëve të nivelit të lartë. Emërimet dhe shkarkimet e zyrtarëve të gjykatave të motivuara politikisht ngrenë shqetësime shtesë për aftësinë e gjyqësorit për të luftuar efektivisht korrupsionin.

    Qeveria nuk u kërkon kompanive private të krijojnë kode të brendshme sjelljeje që ndalojnë ryshfetin e zyrtarëve publikë, megjithëse Strategjia Kombëtare Antikorrupsion parashikon që sektori privat të kontribuojë në mënyrë aktive në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Disa OJQ vendase fokusohen në anti-korrupsion dhe transparencë në financat publike dhe procedurat e tenderimit. Ka raportime të shpeshta për nepotizëm në tenderët publikë dhe praktika problematike prokurimi.

    Qeveria nuk ofron ndonjë mbrojtje të veçantë për OJQ-të e përfshira në hetimin e korrupsionit. Maqedonia e Veriut ka ratifikuar Konventën e OKB-së kundër Korrupsionit dhe Konventën e OKB-së kundër Krimit të Organizuar Transnacional dhe ka nënshkruar Konventën e OEÇD-së për Luftimin e ryshfetit.

    Ndryshe, Deklaratat e Klimës së Investimeve të Departamentit të Shtetit të SHBA-së ofrojnë informacion mbi klimën e biznesit të më shumë se 170 ekonomive dhe përgatiten nga zyrtarë ekonomikë të vendosur në ambasada dhe poste në mbarë botën. Ata analizojnë një sërë ekonomish që janë ose mund të jenë tregje për bizneset amerikane. Deklaratat për Klimën e Investimeve janë gjithashtu referenca për të punuar me qeveritë partnere për të krijuar mjedise të favorshme biznesi që jo vetëm janë ekonomikisht të shëndosha, por trajtojnë çështje të punës, të drejtave të njeriut, sjelljes së përgjegjshme të biznesit dhe hapave të ndërmarrë për të luftuar korrupsionin. Raportet mbulojnë tema duke përfshirë Hapjen ndaj Investimeve, Sistemet Ligjore dhe Rregullatore, Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë së Paluajtshme dhe Intelektuale, Sektorin Financiar, Ndërmarrjet Shtetërore, Sjelljen e Përgjegjshme të Biznesit dhe Korrupsionin. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “Kërkojmë të dënohet në mënyrë maksimale” / Banorët e Debreshit protestuan pas vrasjes që ndodhi në fshat

    Lajmi i rradhës

    Dibra me emra të ri të rrugëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë