Rastet e montuara – Raufi: E patjetërsueshme edhe përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë

    Marrëveshja mes partnerëve të ri të koalicionit qeveritar LSDM dhe Alternativa për hetim ndërkombëtar për rastet që dyshohet se janë të montuara, nuk është akoma e qartë. Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, në emisionin 360 gradë deklaroi se institucionet e BE-së, me kërkesë të institucioneve të Shkupit, vetëm mund të monitorojnë, por jo të hetojnë raste gjyqësore.

    “Unë jam i gatshëm që të bëjmë gjithçka për të cilën ka marrëveshje megjithatë duhet të jemi të përgatitur se ajo që mund të marrim nga BE-ja, aq sa e njoh unë BE-në, është një ekip ekspertësh të cilët do të bëjnë ndonjë lloj monitorimi. Nuk ka mekanizma BE-ja të hapë hetime tek ne përveç përmes OLAF për pjesën e shpenzimit të parave të BE-së. Rihapja e çfarëdo rasti nuk është e mundur në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut dhe këtë duhet ta kemi të qartë të gjithë”, tha Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë

    Por marrëveshja politike mes Zaevit dhe Gashit, thekson fjalën hetim dhe jo monitorim. Aty thuhet: Qeveria do të dërgojë shkresë zyrtare deri te Komisioni Evropian me të cilën do të kërkojë një ekip ekspertësh të pavarur të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar për proceset për të cilat ekziston dyshimi se mbi to është ushtruar ndikim politik si Monstra, Alfa, Lagja e trimave, Almiri i vogël, etj. Avokati mbrojtës në këto raste thotë se kyçja e ndërkombëtarëve në zbardhjen e këtyre rasteve është e patjetërsueshme, meqë për disa madje është dëshmuar se kanë qenë të montuara politikisht.

    “Unë mendoj se është e patjetërsueshme që të kyçen juristët, ekspertët ndërkombëtar dhe kjo punë është e paraparë me legjislativën e Republikës së Maqedonisë. Kjo është e paraparë me ligjin për ndihmën ndërkombëtare juridike në fushën e penales dhe mendoj se në shumë raste është praktikuar. Ky ligj parashikon që prokurorët e krimit të organizuar të shteteve që do t’i propozojë shteti ynë dhe me prokurorët tonë, mund të kyçen të punojnë ndonjë lëndë të caktuar”, tha Naser Raufi, avokat mbrojtës

    Raufi thotë se për Lagjen e trimave mund të kyçen prokurorë nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania, bazuar në shtetësinë që kanë të dënuarit. Zbardhjen e tyre madje do ta ndihmonte qoftë edhe ekspertiza e jashtme.

    “Neve na ndihmon si palë mbrojtëse vetëm edhe ekspertët ndërkombëtar të kyçen në këto raste. Pa marrë parasysh. Edhe të mos ketë prokurorë ose ndonjë trup ekspertësh juridik, për palën mbrojtëse mjafton që vetëm edhe ekspertët të kyçen për këto raste të montuara. Vetëm analizat e ekspertëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e tregojnë praktikisht montimin e këtyre katër rasteve”, shtoi Naser Raufi, avokat mbrojtës

    Rasti “Monstra” është në procedurë në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme disa ditë më parë ka sjellë vendim edhe për Lagjen e Trimave por epilogu ende nuk është i ditur, ndërsa për rastin e Almirit, ka aktgjykim të plotfuqishëm. Rasti i Almirit është dërguar edhe në Gjykatën e Strasburgut. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Filmat vizatimorë me skena të papërshtatshme për fëmijët

    Lajmi i rradhës

    G7: Nëse trupat e Rusisë pushtojnë Ukrainën, Britania dhe SHBA-ja paralajmërojnë ‘pasoja të rënda’

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë