RASTI “LLASKARCA” | Gjykata mund ta sjellë me asistencë policore ekspertin Zekiri

    Në Gjykatën Penale të Shkupit sot është mbajtur seancë gjyqësore për rastin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit, në të cilin humbën jetën 16 persona dhe mbi 30-të të tjerë u plagosën. Edhe sot, nën arsyetimin e gjendjes shëndetësore ka munguar eksperti Zekirija Zekiri, për çka paraprakisht janë anuluar disa seanca, shkruan Plusinfo.

    Zekiri ka dorëzuar vërtetim mjekësor për gjendjen shëndetësore he për këtë nga gjykata thonë se janë të pafuqishëm ta kontrollojnë.

    Megjithatë, siç sqaruan nga Gjykata, nëse eksperti vazhdon të mos vijë në seancë, gjykata mund ta gjobisë Byronë për Ekspertiza Gjyqësore, e cila e ka zgjedhur Zekirin për ekspertizën në këtë rast ose të kërkojë sjelljen e tij në gjykatë me polici.

    Bëhet fjalë për ekspertin, mendimi i të cilit, edhe prokurori e deklaroi se është kyç për procedurën. Në ndërkohë, që të mos zvarritet edhe më tej procedura, në gjykatë dje janë dëgjuar mendimet e Jovanka Savova nga Byroja për Ekspertiza Gjyqësore. Ajo ka folur për kontrollet teknike të autobusit dhe për mënyrën në të cilën janë kryer ato.

    Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

    Prokurori Darko Jakimovski, i cili ka kërkuar nga Zekiri të gjithë dokumentacionin mjekësor, në seancat paraprake, ka hetuar dhe ka marrë informacion se eksperti Zekiri ka shkuar në punë.

    Përveç kësaj, pas seancës së kaluar, në opinion u publikuan fotografitë e ekspertit Zekiri në një foltore në një ngjarje partiake të BDI-së.

    Për aksidentin në afërsi të Laskarcit, i cili ndodhi në magjistralen Shkup-Tetovë më 13 shkurt 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe mbetën të plagosur rëndë mbi 30, Durmish Beluli, shefi i kompanisë “Durmo Tours”, përgjegjësi për transport në kompani Ramzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski akuzohen se kanë kryer vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion.

    “Durmo Tours” konsiderohet si kompani e afërt me BDI-në në pushtet dhe të gjitha bllokimet dhe zvarritjet e mëparshme në këtë proces gjyqësor, për të cilin ka pasur një hetim rekord të përfunduar, janë me qëllim që të gjithë fajin t’ia bartin vetëm shoferit. Të anulohet defekti teknik i autobusit që u përmbys papritur dhe të mbajë përgjegjësi vetëm shoferi.

    Për bashkëpunim akuzohen tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik: Igor Gjordjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.

    Procesi gjyqësor për aksidentin e nisur në shtator të vitit 2019 e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski.

    Lajmi Paraprak

    Arabia Saudite do ta mbështesë Shqipërinë në luftën kundër sulmeve kibernetike dhe në luftën kundër krimit të organizuar

    Lajmi i rradhës

    Zbulohet pllakë e vjetër në Shkup në të cilën shkruan “Dardanus”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë