Rebalanc për prioritetet

    Ndër sfidat e shumta të qeverisë është edhe rishikimi pas disa javësh i arkës së shtetit, jo vetëm për të siguruar financimin e masave nga programi i saj, por edhe për të konsoliduar të ardhurat dhe shpenzimet. Njëherësh shkurtimet do të sigurojnë edhe financimin aktual të buxhetit deri në fund të vitit, në radhë të parë duke shkurtuar shpenzimet joproduktive si dhe zbatimin e disiplinës të fortë fiskale.

    Në vitet e kaluara me rishikimin e shpenzimeve bëhej reduktim i parave për projektet që janë realizuar keq dhe shpenzimet që nuk janë të nevojshme të ndodhin deri në fund të një viti kalendarik.

    Pritet që rishikimi i buxhetit sivjet të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut, përderisa komunat në fund të gushtit apo fillim të shtatorit do të fillojnë me aplikimin për projektet e ndryshme infrastrukturore. Pritet që 100 milionë euro të ndahen për komunat me rishikimin e buxhetit për këtë vit, ndërsa 250 milion do të ndahen për komunat me buxhetin e ri për vitin 2025.

    Mjetet janë të dedikuara për projekte kapitale, apo për shkolla, kopshte, ujësjellës dhe kanalizime, infrastrukturë rrugore etj..

    Me rishikimin, përskaj mjeteve për përmirësimin e infrastrukturës në komuna , parashikohen edhe mjete për rritjen e pensioneve me 2500 denarë për të gjithë pensionistët apo rritjes lineare që së bashku me 2500 denarë në mars 2025 do të arrijë në 5000 denarë shtesë. Jozyrtarisht përflitet se më së shumti para do të shkurtohen nga norma e “transfertave të ndryshme”, por do të ketë edhe transferta të parave nga investimet kapitale, të cilat mbetën të parealizuara.

    Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska thotë se ekziston hapësirë për shkurtime duke ilustruara këtë me faktin se në Bruksel për shembull kanë shkuar në negociata 30 persona nga Sekretariati për Çështje Evropiane në vend sa kanë mund të shkojnë dy persona.

    “Prandaj, ka vend për shkurtimin e kostove të panevojshme dhe ridrejtimin e këtyre fondeve në projekte që janë funksionale. Ka pasur keqadministrim të mjeteve dhe shumë fonde të ‘mbyllura’ që kanë qëndruar pashfrytëzuar dhe nuk janë përdorur për realizimin e shpenzimeve kapitale”, thotë ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska.

    Sipas saj, do të sigurohen para për paga dhe pensione, për gjithçka që është marrë si detyrim sipas ligjit dhe do të shkurtohen shpenzimet jo prioritare dhe joproduktive. Arka e shtetit sivjet është e përgatitur nga qeveria praprake LSDM-BDI, dhe shënohet nga dy procese zgjedhore, presidenciale dhe parlamentare, do të peshojë një rekord prej 5.5 miliardë eurosh, ose rreth 5 për qind më shumë se ai i vitit 2023. Deficiti është parashikuar në 545 milionë euro, ose 3.6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të planifikuar. Njëherësh qeveria paraprake ka shpenzuar gati 500 milion euro vetëm në pesë muajt e vitit 2024.

    Nga Ministria e Financave thonë se me rishqyrtimin e të hyrave dhe dalave apo arkëtimeve dhe shpenzimeve të arkës së shtetit do të duhet të sigurohen rreth 80 milionë euro më shumë që të mund të paguhen pensionet e rritura. Prej tyre, rreth 40 milionë euro janë për rritje lineare, ndërsa 40 milionë euro të mbetura nuk i ka paraparë ish-qeveria në Buxhetin e këtij viti për pagimin e parregullt të pensioneve.

    Për sfidat e menaxhimit të financave publike alarmoi edhe ish zëvendës ministrja teknike dhe aktualisht drejtore e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Elena Petrova.

    Sipas saj në periudhën një janar-30 maj 2024 nga Buxheti janë paguar shpenzime totale prej 2,284 milionë euro, që është një rritje prej më shumë se 1/3 krahasuar me mesataren janar-maj (2020-2023) prej 1,700 milionë euro. Është arritur një deficit buxhetor prej 362 milionë euro, që është një rritje prej 60 për qind krahasuar me mesataren janar-maj (2020-2023) prej 227 milionë euro.

    Shpenzimet totale të buxhetit në muajin maj (deri më 28) janë 451 milionë euro, që është një rritje prej 30% krahasuar me mesataren për tërë muajin maj (2020-2023) prej 348 milionë euro. Të ardhurat nga burimi më bujar – TVSH nuk janë realizuar sipas planit të Drejtorisë për të Ardhura Publike ku periudhën janar-maj, domethënë ka një dështim prej 6 për qind. Njëkohësisht, DAP nuk ka publikuar borxhin ndaj ekonomisë për rimbursim të TVSH-së së papaguar, gjë që në periudhën e ardhshme do të ndikojë në realizimin e të ardhurave buxhetore burimore.

    Në muajin maj vihet re një mungesë e ndjeshme prej 21 për qind në planin e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat personale. Është ngushtuar edhe hapësira për financimin e Buxhetit, sepse janë shpenzuar 2/3 e deficitit buxhetor të parashikuar për vitin 2024. Njëherësh deficiti buxhetor në muajin maj (deri më 28) prej 127 milionë eurosh është një rritje prej 3/4 krahasuar me mesataren për të gjithë muajin maj (2020-2023) prej 73 milionë euro. Andaj Qeveria e re do të trashëgojë një hapësirë ​​të ngushtuar financimi, konstaton ajo.

    Ndryshe, çdo vit, Qeveria publikon të paktën një rishqyrtim të buxhetit ku qeveria bën vlerësime të shpenzimeve dhe të ardhurave. Mirëpo në çdo vit zgjedhor situatat ndërlikohet edhe më shumë. Në parim, rishqyrtimi është një praktikë e rregullt që ndodh gjatë vitit fiskal. Të gjitha normat në anën e shpenzimeve dhe të të ardhurave po rivlerësohen. Pra analizat tregojnë se ku mundet paratë e institucioneve shtetërore të ricaktohen për projekte dhe të ketë përdorime që kanë prioritet në gjysmën e dytë të vitit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Aggeler: pres nga Qeveria e re që ta luftojë korrupsionin, është kancer që duhet të zgjidhet

    Lajmi i rradhës

    S’ka më drejtorë ekonomikë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë