Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e avokatit të Artan Grubit kundër vendimit me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ky vendim i Këshillit Penal të Gjykatës Penale të Shkupit e konfirmon vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake dhe mbetet në fuqi masa e paraburgimit, e cila do të fillojë të zbatohet pasi Grubi të kthehet në vend.
Avokati i Grubit bëri ankimim javën e kaluar kundër vendimit të Gjykatës Penale pasi Gjykata, me propozimin e Prokurorisë Publike, ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore të RMV-së Përparim Bajramin.
Ndryshe, sipas Prokurorisë, nga provat e mbledhura ka dyshime të bazuara se Artan Grubi dhe Përparim Bajrami, si persona përgjegjës në Shoqërinë ShA për Organizimin e Lojërave të Fatit “Llotaria Shtetërore” e RMV, gjatë vitit 2023, nëpërmjet ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tyre të veçanta, kanë marrë pjesë bashkërisht në veprime të shkaktimi të dëmit në shoqërinë aksionare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për tjetrin, i cili llogaritet në shumë të konsiderueshme prej 501.319.119 denarë nga buxheti i shoqërisë aksionare. /Nistori/