Riker: Maqedonia e Veriut nuk ka pasur mik më të mirë se ShBA-ja në skenën ndërkombëtare

    R”Maqedonia e Veriut nuk ka pasur mik më të mirë se ShBA-ja në skenën ndërkombëtare. Ne kemi qenë të angazhuar në të kaluarën dhe do të jemi në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, më e rëndësishmja, përmes shumë administratave. Mendoj se është e mrekullueshme të shohësh se kryeministri Hristijan Mickoski, në një periudhë relativisht të shkurtër kohore që kur ai dhe qeveria e tij morën pushtetin, ka krijuar marrëdhënie kaq të mira dhe solide me SHBA-në, duke përfshirë, natyrisht, edhe me administratën e re në Uashington”.

    Këtë, në intervistë për Zërin e Amerikës, e vlerëson ish-ndihmës sekretari shtetëror amerikan dhe ish-ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker, duke komentuar vizitën e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski në Uashington dhe fjalimin e tij në Konferencën për veprim politik konservator (CPAC).

    Sipas Riker, dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, si gjithmonë. “Angazhimi i kryeministrit, qoftë këtu në Uashington apo gjatë vizitave të tij, është vendimtar për të dyja anët e Atlantikut”, deklaroi diplomati amerikan.

    Ai kujtoi se me Mickoskin ka folur në Mynih në Konferencën e Sigurisë, e cila ishte një mundësi e rëndësishme për Ballkanin, por edhe për çështjet më të gjera transatlantike.

    I pyetur nëse administrata e re e Presidentit Donald Tramp mund të ndihmojë në përparimin e integrimit evropian të Maqedonisë apo për investime të reja amerikane në Maqedoni, Riker thekson se investimet amerikane janë të ndara nga qeveria.

    “Natyrisht, ajo që është e rëndësishme është krijimi i një mjedisi investimi në Maqedoninë e Veriut që do të jetë tërheqës për investitorët në SHBA, ndërsa ka programe të qeverisë amerikane që mund të mbështesin dhe ndihmojnë ato përpjekje që ishin pjesë e ndihmës për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera në rajon për t’i ndihmuar ata në ringjalljen e zhvillimit ekonomik. Sigurisht, anëtarësimi në BE ka qenë prej kohësh një prioritet politik për Shtetet e Bashkuara. Kjo vlen për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne lëvizëm shumë zgjuar dhe shpejt drejt anëtarësimit në NATO, gjë që mendoj se ishte vendimtare. Dhe anëtarësimi në NATO, natyrisht, është një aspekt shumë i rëndësishëm i asaj që e bën Maqedoninë e Veriut tërheqëse për investimet e huaja. Siguria është parësore për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik2, thotë Riker.

    Sipas ish-ambasadorit amerikan në Shkup, janë të rëndësishme marrëdhëniet e mira mes dy vendeve sepse SHBA-ja është fuqi e madhe globale, ekonomia më e madhe në botë dhe themelues i NATO-s.

    “Marrëdhëniet transatlantike janë prioritet dhe mendoj se kryeministri Mickovski dhe ekipi i tij po bëjnë një punë të shkëlqyer në ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve. Qëllimi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet prioritet”, deklaroi Riker.

    Lajmi Paraprak

    Në 2024 u rrit numri i divorceve në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Çfarë parasheh marrëveshja për minerale mes Ukrainës dhe ShBA-së?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë