RMV, një ligj për fajdet e kredive të shpejta

    Nisma e fundit ligjore e shumicës parlamentare synon të ndalojë kamatat dhe kompensimet astronomike për kreditë e shpejta. Kompanitë që ofrojnë kredi të shpejta shpesh i ngarkojnë kreditë me shpenzime administrative, të cilat ndonjëherë arrijnë mbi 50 për qind të shumës së marrë për kredinë, kështu që kur kësaj i shtohet edhe kamata penale për vonesë, atëherë dikush që ka pasur borxh 10.000 denarë, ai duhet t’i kthejë edhe 30.000 denarë shoqërisë financiare ofruese së kredisë.

    Bile në vitet e fundit janë raportuar më shumë raste të këtyre kredive që lehtë miratohen, por vështirë po kthehen. Për këtë problematikë që rëndon jetën e qytetarëve, ka reaguar edhe Avokati i Popullit. Nga ky institucion thonë se të gjithë jemi dëshmitarë të reklamave agresive për kredi të shpejta pa kamata, që ofrohen nga shumë shoqëri financiare në vend, me procedurë që shkon edhe në formën elektronike, për kredi për mbylljen e kredisë paraprake në shoqërinë e njëjtë financiare. Krejt kjo me mungesë të kontrollit efikas dhe mbikëqyrjes të punës së tyre si dhe rrethanave që me ligj rregullohet kjo materie, ku nuk ekziston kufizimi i harxhimeve të përgjithshme, kompensimet dhe provizionet e kredive që miratohen nga shoqëritë financiare, e as obligimi i detyrueshëm që publikisht të publikohet tarifa e kompensimeve në faqen e internetit ose në ambientet e punës. Andaj, edhe ky institucion, ka bërë thirrje që të reagojnë institucionet kompetente, që të saktësohet rregullativa ligjore që shtyn qytetarët në borxhe të mëdha, dhe që të mos përsëriten rastet ku për vonesat e kthimit paguhen shuma edhe dhjetë herë më të mëdha se borxhi fillestar. Mungojnë edhe kritere të qarta dhe transparente, për tarifat e vonesës, si dhe më shumë tarifa të tjera.

    “Andaj, kam drejtuar apel deri tek Kuvendi, që t’i qaset ndryshimit të ligjit për veprimtarinë financiare dhe ligjit që rregullon themelimin dhe financimin e shoqërive financiare, të çilat në të ardhmen do të shmangin vënien e qytetarëve në një situatë kaq të pafavorshme, Njëherësh duhet të theksoj se bëhet fjalë për kategorinë më të cenueshme të qytetarëve që përdorin kredi me shuma të vogla, por në fund paguajnë shpenzime të rënda”, thekson Avokati i Popullit Naser Ziberi.

    Në ndërkohë, në procedurë parlamentare është miratimi i ndryshimeve ligjore ku vendoset tavani i kamatës maksimale. Kjo nënkupton se një qytetar që merr 2000 denarë borxh, në emër të kamatave do të paguajë maksimalisht 2000 denarë. Pritet që ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie obligative dhe realizim do të zbatohen edhe për shërbimet e kompanive financiare që ofrojnë kredi të shpejta. Ndryshimet do të zbatohen drejtpërdrejt edhe për Ligjin për Shoqëritë Financiare, ku rregullohet që shoqëria financiare nuk mund të lidhë marrëveshje për kredinë konsumatore, nëse kostot që nuk përfshihen në normën vjetore të kostove totale tejkalojnë 60 për qind të shumës së aprovuar së kredisë. Gjithashtu, tarifat i referohen të gjitha shpenzimeve që konsumatori paguan ose ka detyrim t’i paguajë gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së kontratës dhe të cilat rrjedhin ose janë të lidhura në çfarëdo mënyre me kontratën për kredi konsumatore ose shërbimet e lidhura.

    Shoqëria financiare do të ketë detyrimin që në mënyrë transparente dhe publike ta publikojë tariforen me kompensimet në faqen e saj të internetit ose ta vendosë në vend të dukshëm në ambientet e saj të punës.

    Me Ligjin e ri të propozuar, shoqëritë financiare do të duhet të krijojnë sistem të menaxhimit me rrezikun kreditor, që i referohet humbjes së shoqërisë financiare për shkak të pamundësisë që klienti t’i shlyejë detyrimet e tij në vlerën e dakorduara ose afatet përkatëse. Me këtë ligj, përforcohet edhe mbikëqyrja mbi punën e shoqërive financiare, sipas shembullit të rregullatorëve të tjerë (si p.sh., Banka Popullore dhe Komisioni i Letrave me Vlerë), ndërsa do të hartohet dhe miratohet edhe rregullore e veçantë. Gjithashtu, parashihen edhe gjoba në vlerë prej 8.000 deri në 10.000 euro për mosrespektimin e dispozitave ligjore.

    Gjithashtu, ndryshimet janë në drejtim të përforcimit të kornizës rregullatore për punën e shoqërive financiare në tregun e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që shoqëritë financiare të jenë institucione serioze financiare duke ofruar alternativën e punës së bankave dhe të mos jenë vetëm shoqëri që ofrojnë kredi afatshkurtër për popullsinë. Nga ana tjetër, në vitet e kaluara me krizën e madhe ekonomike janë rritur edhe kërkesat për kredi të shpejta. Vetëm në vitin 2021 janë regjistruar mbi 400 mijë kërkesa për kredi të shpejta tregon raporti i Byrosë kreditore të Maqedonisë . Kjo dëshmon se kërkesa te qytetarët për këto kredi me kamata më të larta dhe afat më të shkurtër të shlyerjes është rritur jashtëzakonisht shumë.

    Numri i kontrolleve të bëra për paaftësinë paguese të debitorëve të mundshëm në shoqëritë financiare tregon se numri është rritur me 64.1 për qind në një vit. Në vitin 2020 ka pasur 252.416 kontrolle klientësh, ndërsa në vitin 2019 numri i raporteve të shoqërive financiare të lëshuara ka qenë 310.906. Rritja e raporteve udhëzon për rritjen e aktivitetit afarist të shoqërive financiare në vitin 2021, dhe anëtarësimit të kompanive të reja për kryerjen e këtyre aktiviteteve thekson analiza. Bile edhe shifra e 414 mijë raporteve të lëshuara nuk përket me shifrën e saktë të kredive të shpejta të miratuara, për shkak se për një person mund të kërkojë raporte edhe pesë shoqëri financiare, ndërsa jo të gjitha shoqëritë financiare janë anëtare të Byrosë Kreditore. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nxënësit e klasave të katërta në RMV, probleme me lexim

    Lajmi i rradhës

    Asnjë student ende nuk ka bërë denoncim, përkundër korrupsionit që vlon në arsimin e lartë në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë