Një marrëveshje e re pritet mundësojë ndërtimin e tunelit hekurudhor kufitar nga Korridori 8. Tuneli i përbashkët për hekurudhën Maqedoni-Bullgari konsiderohet një objekt strategjik që do të lidhë Detin e Zi me Detin Adriatik. Marrëveshjes së paralajmëruar midis dy shteteve i paraprinë mosmarrëveshjet dhe vonesat për mënyrën e realizimit. Aktualisht, seksioni i parë i hekurudhës për në Bullgari, nga Kumanova në Beljakovcë, me gjatësi 31 kilometra, u vu në funksion në janar.
Seksioni i dytë, nga Kumanova në Kriva Palankë, është përfunduar me 27.3 për qind dhe afati i përfundimit është viti 2026. Seksioni i tretë nga Kriva Palanka deri në kufirin me Bullgarinë konsiderohet si “seksioni më i vështirë dhe më i shtrenjtë”, sepse 24 tunele dhe 51 ura janë projektuar për një gjatësi prej 23 kilometrash, që do të thotë se duhet të ketë një tunel dhe dy ura për çdo kilometër, si dhe stacione hekurudhore pranë Kriva Palankës dhe fshatit Zhidilov.
Nga ana tjetër, linja hekurudhore Sofje-Pernik-Radomir-Gjueshevo ka një gjatësi totale prej 139 kilometrash. Bullgaria ishte e detyruar të ndërtonte 2.5 kilometra binarë nga Gjueshevo deri në kufi dhe një pjesë të tunelit në pikën kufitare, si dhe të përfundonte rindërtimin e binarit nga Gjueshevo në Sofje. Pala bullgare ka shprehur vendosmëri të qartë për realizimin e këtyre punimeve.
Në takimin e disa ditë më parë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit të Maqedonisë, Aleksandar Nikolloski me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit dhe Komunikacionit të Bullgarisë, Grozdan Karaxhov, në kuadër të Forumit “Lidhshmëria Globale e Transportit” në Stamboll, u vu në dukje domosdoshmëria për ndërtimin dhe modernizimin e korridoreve evropiane të transportit, me theks të veçantë në Korridorin hekurudhor dhe rrugor 8, si një parakusht për zhvillimin ekonomik rajonal dhe lehtësimin e transportit dhe tregtisë.
Duke theksuar çështjen e lidhjes hekurudhore midis dy vendeve, dy bashkëbiseduesit theksuan se ky projekt ka një dimension rajonal, ku përveç rëndësisë ekonomike, ngrihet edhe çështja e pozicionimit strategjik të Aleancës së NATO-s përmes lidhjes së Detit Adriatik dhe Detit të Zi. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord të takohen përsëri në periudhën e ardhshme me qëllim që të harmonizojnë së bashku tekstin e Marrëveshjes me të cilën do të arrihet një marrëveshje për ndërtimin e tunelit të përbashkët që duhet të lidhë Maqedoninë dhe Bullgarinë, duke çuar kështu përpara punën për zbatimin e Korridorit Hekurudhor 8.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord të dërgojnë ekspertë për të marrë pjesë në takimin e Korridorit 8 të organizuar nga Komisioni Evropian në korrik.
“Bullgaria po punon në mënyrë aktive në zbatimin e Korridorit 8. Deri në fund të korrikut, do të shpallim porosinë për ndërtimin e 2.4 km të fundit të linjës hekurudhore midis Gjueshevos dhe Deve Bair në kufirin me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Të gjitha procedurat janë përfunduar dhe financimi prej 69 milionë eurosh është siguruar në kuadër të Programit “Lidhshmëria e Transportit” 2021-2027. Deri në fund të vitit 2028, treni bullgar do të mbërrijë në Deve Bair”, thonë nga ministria bullgare e Transportit. Bullgaria ka paralajmëruar se do të investojë më shumë se 1.5 miliardë euro në modernizimin e lidhjes hekurudhore nga Sofja deri në kufirin me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me objektin që ishte “mollë sherri” në të kaluarën pritjet janë që nënshkrimi i dokumentit do të arrijë marrëveshje mbi çështjet teknike, financiare, ligjore dhe organizative që lidhen me ndërtimin e tunelit, të cilat duhet të jenë në përputhje me legjislacionin evropian dhe kombëtar të të dy vendeve.
Të dy vendet duhet të bien dakord se cili prej tyre do të jetë përgjegjës për ndërtimin e objektit ndërkufitar, për prokurimin publik dhe për mbikëqyrjen e ndërtimit. Është planifikuar që menaxherët e hekurudhave të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të krijojnë grupe pune të përbashkëta për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për procedurat e tenderit. Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të përgatisin dhe t’i dërgojnë Komisionit Evropian dhe institucioneve financiare një orar të përbashkët për zbatimin e ndërtimit.
“Të dyja palët do të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar ndihmë me grante për ndërtimin e objektit dhe infrastrukturës hekurudhore ngjitur me të, në përputhje me kërkesat e BE-së dhe NATO-s në lidhje me standardet e Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T)”, thuhet në draft-marrëveshje.
Ndërtimi i Korridorit 8 u vu më parë në pikëpyetje, pasi qeveria e re maqedonase shprehu skepticizëm në lidhje me mundësinë e realizimit të një pjese të tij. Shpjegimi ishte se seksioni i tretë i planifikuar i hekurudhës për në Bullgari, Kriva Palanka-Deve Bair, “përfundon në një gjysmë-tuneli, në një rrugë pa krye”. Sofja, nga ana tjetër, siguroi se po punonin për projektin dhe se ai ishte përfshirë për zbatim në periudhën aktuale të programimit të Programit “Lidhshmëria e Transportit” 2021-2027 dhe se duhet të përfundojë deri në vitin 2030. Ministria Bullgare e Transportit tregoi gjithashtu se projektet për seksionin nga stacioni Gueshevo deri në hyrjen e tunelit ndërkufitar Deve Bair po zhvillohen si përparësi. Në tetor të vitit të kaluar, u njoftua se ndërtimi i korridorit 8 hekurudhor TEN-T do të vazhdonte me ndihmën e institucioneve financiare të BEI-së dhe BERZH-it apo bankave evropiane investuese dhe zhvillimore dhe Sekretariatit të Komunitetit të Transportit. Gjithashtu Maqedonia dhe Bullgaria ranë dakord të zhvillojnë një dialog të rregullt të nivelit të lartë dhe të krijojnë një grup të përbashkët pune për korridorin 8.
Paraprakisht, Ministria e Transportit së Maqedonisë ka informuar vazhdimisht se nuk heq dorë nga lidhja hekurudhore me Bullgarinë, por se nuk mund të pranojë zbatimin e një projekti që përfundon në një tunel për të cilin nuk ka projekt në Bullgari, dhe as nuk ka ndonjë siguri nga pala bullgare se po ndërmerren aktivitete për një lidhje hekurudhore.
“I vetmi kusht i pranueshëm për Maqedoninë për realizimin e këtij projekti është nëse Bullgaria fillon të projektojë tunelin dhe të dy vendet, Maqedonia dhe Bullgaria, të kryejnë së bashku hapjen e tunelit, gjë që do ta bënte këtë projekt të kishte kuptim dhe do të arrinte qëllimin e integrimit rajonal si pjesë e rrjetit evropian të transportit. Duhet të ketë një thirrje të re që do të ishte një projekt i përbashkët i zbatuar nga Maqedonia dhe Bullgaria, të gjitha me qëllim ndërtimin e hekurudhës në të njëjtën kohë, në frymën e fqinjësisë së mirë. Çmimi gjithashtu duhet të rishikohet, sepse ne besojmë se është shumë i lartë”, tha pala maqedonase në tetor të vitit të kaluar.
Një muaj më parë, numri një i Hekurudhës-infrastruktura, Sinisha Ivanovski, tha se pala maqedonase ka dëshirë dhe po ndërmerr aktivitete konkrete për ndërtimin e hekurudhës nga Korridori 8 deri në Bullgari, por nuk ka përgjigje përkatëse nga pala tjetër.
“Kur vjen momenti politik, dëshira duket se ekziston vetëm nga njëra anë. Po punojmë në terren dhe tashmë po investojmë fonde serioze për të hapur hekurudhën për në Bullgari, ndërsa në Bullgari, për fat të keq, nuk ka aktivitete ndërtimi për momentin. Përveç që duhet të hapet tuneli prej 1.5 kilometrash, duhet të ndërtohen vetëm 500 metra hekurudhë deri në stacionin e Gjueshevos, dhe përveç kësaj, hekurudha nga Sofja në Gjueshevo është në gjendje të keqe. Për sa kohë që ne punojmë, dhe Bullgaria nuk po ndërton asgjë dhe po shmang dhjetëra ftesa që unë personalisht i dërgova për takim, besoj se kemi një histori të dështuar për të dyja palët”, tha Ivanovski.
Ai theksoi se në shumë takime që pati me Infrastrukturën Hekurudhore Bullgare, qëndrimet e miratuara ishin se tuneli duhet të shpohet vetëm nga njëra anë dhe se në nivel teknik ekziston një zgjidhje që i përshtatet të dyja palëve.
“Hekurudha për në Bullgari”, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 1994, është bërë sinonim i një historie të gjatë dhe të papërfunduar. Ndërtimi i saj ishte premtuar në çdo program zgjedhor të partive, dhe në pothuajse çdo buxhet shtetëror ishin parashikuar fonde për të, të cilat më pas – ishin ripërdorur për nevoja të tjera. Edhe pse një linjë hekurudhore nga Shkupi deri në Qystendil u projektua një shekull e gjysmë më parë, si pjesë e Korridorit Pan-Evropian 8, kjo hekurudhë nuk është ndërtuar plotësisht deri më sot.