RMV po zbrazet: emigrimi pritet të ulë popullsinë me 11%

    Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën janë klasifikuar në grupin e 20 vendeve kryesore në botë me rënien më të lartë të popullsisë, por edhe si vatrat e shpopullimit në Evropë me norma të ulëta lindjeje dhe emigracion më të lartë se imigracioni. Studimi i Armas (2023), vlerësoi se midis viteve 2020 dhe 2050 popullsia e Maqedonisë do të reduktohet me 11 për qind, e Serbisë do të ulet me 19 për qind, Bosnjë dhe Hercegovina me 18.2 për qind dhe Shqipëria me 16 për qind, shkruan gazeta Koha. Kryesimi i listës së vendeve në rrezik vjen jo vetëm për shkak të rënies së normave të lindjeve, por edhe për nivelin e lartë të migrimit që tradicionalisht ka karakterizuar vendet e këtij rajoni.

    Shkallët e ulëta të fertilitetit nxjerrin në pah progresin e shpopullimit natyror pasi janë shumë nën pragun prej 2.1 fëmijësh për grua, i cili është i nevojshëm për ripërtëritjen demografike. nën 1.37 në Bosnjë dhe Hercegovinë, 1.47 në Maqedoninë, 1.55 në Shqipëri, 1.42 në Serbi dhe 1.74 në Mal të Zi.

    Nga na tjetër, thuhet në studim, gjatë tre dekadave të fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përjetuar një fenomen të emigrimit në shkallë të gjerë ku Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria janë vendet me numrin më të madh të migrantëve jashtë vendit, përkatësisht 49% dhe 44% të popullsisë totale, të ndjekura nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, përkatësisht 34% dhe 21%, ndërsa Serbia është vendi me numrin më të vogël, 15% të popullsisë totale.

    “Megjithatë, është një rajon që po bëhet më i varfër dhe ku brezi i ri dhe fuqia punëtore e tij po lëvizin jashtë vendit. Nivelet e larta të paqëndrueshmërisë politike dhe korrupsionit, perspektivat e punësimit në aspektin e pagave dhe kushteve më të mira të punës, por edhe aspiratat për të arritur një standard më të lartë jetese janë faktorë shtytës për migrimin e fuqisë punëtore, duke çuar në një trend shpopullimi në Ballkanin Perëndimor. Kjo është veçanërisht e zbatueshme për të rinjtë që përballen me vështirësitë e varfërisë, papunësisë dhe përjashtimit social”, thuhet në studim. Një nga problemet kryesore kur flitet për emigrimin nga Ballkani Perëndimor është mungesa e një sistemi të mirëorganizuar të mbledhjes së të dhënave, gjë që rezulton në mungesën e të dhënave të sakta dhe të azhurnuara të emigrimit.

    “Të dhënat e migrimit janë nënvlerësuar për shkak të përkufizimeve jokonsistente të popullsisë rezidente në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe minoritetet janë numëruar gabim për shkak të thirrjeve për bojkot në kohën e regjistrimit. Në disa raste, vendet kanë tendencë të fshehin ose modifikojnë të dhënat zyrtare, ndërsa në të tjera, siç është Maqedonia e Veriut, vendi thjesht nuk ka kryer një regjistrim të popullsisë për gati dy dekada. Përveç kësaj, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë një regjistër zyrtar të popullsisë”, thuhet në studim.

    Qendra për Kërkime dhe Hartim Politikash po kryen një analizë të dinamikës demografike në Ballkanin Perëndimor, me një fokus të veçantë në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dhënat parësore po mblidhen dhe modelimi ekonomik do të përdoret për të vlerësuar se si trendet demografike në ndryshim do të ndikojnë në qëndrueshmërinë e sistemeve financiare, shëndetësore dhe të mbrojtjes sociale.

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët në RMV nën presion: rritja e çmimeve po i boshatis xhepat

    Lajmi i rradhës

    Fshatrat pa banorë, ‘parajsë’ për arinjtë – dëmtohen bletarët në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë