Pas rastit fatkeq me katër të miturit që u gjetën në një banesë në Shkup të cilët kishin konsumuar alkool dhe substanca psikotrope, psikologët apelojnë që prindërit të ulen të bisedojnë me fëmijët, të krijojnë besim në mënyrë që të jenë ata personat që fëmija do t’u besoj të kërkojë këshilla dhe përkrahje, duke mos i lënë ata nën kthetrat e drogës, narkodilerave, alkoolit dhe veseve tjera të këqija.
Në një deklaratë për gazetën Koha, Lindita Vejseli-Mustafa, psikologe, tha se alkooli, nikotina, apo kanabisi nuk janë shkaktarët e sjelljes devijuese, por, trauma, abuzimi dhe neglizhenca janë portat nga të cilat hynë varshmëria dhe çrregullimet e sjelljes së njeriut.
“Abuzimet me substanca narkotike, sjelljet e dhunshme apo dëmtimi i vetes janë simptoma të cilat pothuajse gjithmonë rrjedhin nga fëmijëria e mbushur me trauma, prindër që mungojnë dhe familje dhunuese. Kur prindi mungon në jetën emocionale dhe sociale të fëmijës, nuk ka komunikim të shëndoshë, nuk ja njeh shoqërinë, nuk e din ku është fëmija i tij pas mesnate mund të ndodhin shumë gjëra për të cilat prindi do të jetë fajtor ndërsa faji do t’i mbetet fëmijës”, u shpreh Vejseli-Mustafa.
Sipas saj, që të mos arrihet deri në atë pikë, prindërit duhet të jenë aty për fëmijët e tyre, t’i dëgjojnë, t’i përkrahin dhe jo t’i gjykojnë, pasi pasojat mund të jenë të rënda dhe të paparashikueshme.
“Fatkeqësisht, dinamika e jetës dhe sakrifica për një jetë luksoze, na ka hendikepuar emocionet, e ka vështirësuar komunikimin dhe kohën që duhet ta kalojmë me familjen e zëvendësojmë me teknologjinë”.
Shumica e psikologëve pajtohen se, ashpërsia prindërore, mosmarrëveshjet familjare, mungesa e mbikëqyrjes, m mungesa e kompetencave prindërore dhe niveli i ulët socio-ekonomik, janë gjithashtu faktorë për sjellje devijonte.
“Duke i marr parasysh të gjitha këto sjelljet devijonte dallojnë në varësi të moshës dhe gjinisë. Te vajzat janë gënjeshtra, largimi nga shtëpia, abuzimi me nikotinë, lëndë narkotike, kanabis e tjera, ndërsa, te djemtë kemi vandalizimin, agresivitetin, vjedhjen apo problemet me shkollën, abuzimi me substanca të rënda narkotike, përdorimi ilegal i armëve, dhuna dhe vrasja”, theksoi psikologja.
Ndërsa prindërit me të cilët biseduam thonë se mundohen që të mbajnë gjendjen nën kontroll por ka raste që fëmijët shfrytëzojnë momentin kur ata janë të zënë me punë.
Prokuroria Publike ka nisur procedurë hetimore kundër 40 vjeçarit nga Shkupi për shkak të dyshimit për vepra të rënda kundër shëndetit, prodhimit dhe tregtimit të produkteve të dëmshme medicinale dhe ekspozimit të rrezikshëm. Nga atje njoftojnë se i dyshuari u ka ofruar drogë të miturve, ndërsa gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.