Roth: Vuçiq nuk është më partner i besueshëm, nuk ka vend për miqtë e Putinit në BE

    Situata është jashtëzakonisht shqetësuese në Serbi. Demokracia është në rrezik. Për shumë evropianë dhe miq të përkushtuar të Ballkanit Perëndimor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe regjimi i tij nuk janë më partnerë të besueshëm.

    Nuk ka vend për shërbëtorët e presidentit rus, Vladimir Putinit në Bashkimit Evropian, thotë kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut gjerman, Michael Roth, në një intervistë për Nova.

    Ai pohon gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk e ka më luksin të mos ndërhyjë në punët e brendshme të një vendi.

    “Ne nuk duhet të jemi indiferentë nëse parimet themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit bien nën presion në një nga vendet tona partnere. Madje ka edhe detyrim për të ndërhyrë”, thotë Roth.

    Gjatë mandatit presidencial të Vuçiqit, Serbia e humbi gjithnjë e më shumë statusin e një demokracie, në masën e saj të plotë, thotë deputeti gjerman.

    “Parregullsitë zgjedhore konfirmuan edhe një herë këtë trend alarmant. Vëzhguesit ndërkombëtarë në këto zgjedhje raportuan për blerjen e votave dhe përdorimin e votuesve fantazmë në favor të SNS-së në pushtet. Këto janë metoda nga mjetet e një sunduesi autokratik – jo një presidenti që është i përkushtuar ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe dëshiron ta udhëheqë vendin e tij drejt BE-së”, tha ai.

    Megjithatë, Vuçiq nuk kërcënon vetëm paqen e brendshme në Serbi, ai gjithashtu shkakton probleme të vazhdueshme edhe në rajon.

    “Mos harroni vetëm precedentin me vendosjen e trupave në kufirin me Kosovën, në fund të shtatorit të vitit 2023”, deklaroi deputeti.

    Ndryshe, Gjermania është vendi më i zëshëm brenda Unionit që flet rreth parregullsive të zgjedhjeve nacionale, rajonale dhe në disa komuna të Serbisë.

    Lajmi Paraprak

    Pasi u qortua nga ambasadori holandez, Ali Ahmeti doli me kundër teza

    Lajmi i rradhës

    Bujar Osmani: personat që futen në listën e zezë të ShBA-së, të hetohen edhe në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë