Rritet numri i parashtresave të qytetarëve në gjyqësor

    Numri i qytetarëve që dorëzojnë parashtresa te Avokati i Popullit për mbrojtjen e të drejtave të tyre në raport me punën e gjyqësorit vazhdon të jetë i lartë. Sipas raportit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2021, qytetarët më së shpeshti ankohen në kontekst të procedurave penale dhe civile të shkallës së parë dhe të dytë, procedurave pranë gjykatave administrative, si dhe për procedurat të cilat i udhëheqin pranë personave me autorizime publike-avokatë dhe noterë. Qytetarët po ashtu ankohen për jotransparencë të gjyqësorit, përkatësisht gjykatat nuk u japin informata qytetarëve në lidhje me procedurat dhe lëndët e tyre gjyqësore.

    “Në aspekt të punës së pushtetit gjyqësor qytetarët nga Avokati i popullit më së shpeshti kërkonin intervenim për të marrë informacione që nuk kishin mundësi t’i marrin nga gjykatat, si p.sh. në cilën fazë gjendet procedura, numrin me të cilin është evidentuar lënda, a është kryer ekspedimi i shkresave ndërmjet gjykatave, për mosrespektimin e parimit për gjykim në afat të arsyeshëm dhe ngjashëm. Përndryshe, edhe më tej mbetet i madh numri i parashtresave të parashtruara që kanë të bëjnë me procedurat tashmë të përfunduara gjyqësore ku kërkohet të ndryshohet vendimi gjyqësor dhe vihet në pah puna e paligjshme e gjyqtarëve të caktuar”, tha Avokati i Popullit.

    Po ashtu, Avokati i popullit konstatoi një numër të madh cenimesh nga Gjykata themelore civile – Shkup, në aspekt të zvarritjes së paarsyeshme të procedurave dhe mosrespektimit të parimit të gjykimit në afat të arsyeshëm. Por, edhe përkundër faktit se Avokati i Popullit i rekomandoi gjykatës që pa kurrfarë arsyetime formale ta respektojë parimin për gjykim në afat të arsyeshëm dhe të miratojë vendime brenda afatit të përcaktuar ligjor, Gjykata themelore civile Shkup, nuk ndërmori aspak veprime për ndryshimin e dinamikës së udhëheqjes së lëndëve.

    “Zvarritja e këtyre procedurave është për shkak të mungesës së komunikimit përkatës ndërmjet organeve shtetërore dhe qëndrimit injorant ndaj kërkesave të Gjykatës administrative për dërgimin e dokumenteve, për çka procedurat zvarriten dhe shkaktojnë pakënaqësi tek qytetarët. Në këtë segment, nuk diskutohet fare se dërgimi dhe ekspedimi i aktgjykimeve dhe aktvendimeve pranë palëve dhe pranë Gjykatës së lartë administrative kur vendos sipas ankesës ndaj vendimit të Gjykatës administrative, kryhet me vonesë ndonjëherë edhe me disa muaj”.

    Në këtë vit raportues, në fushën e jurisprudencës pranë Avokatit të popullit janë parashtruar 436 parashtresa, përmes të cilave qytetarët dhe të gjithë personat e tjerë kërkuan mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe në krahasim me vitin paraprak raportues, kur janë parashtruar 406 parashtresa, shënohet rritje e numrit të tyre. /KlanM/

    Lajmi Paraprak

    A rrezikohet përdorimi i flamurit kombëtar në Kërçovë?

    Lajmi i rradhës

    “Anëtarësimi në NATO, qëllim strategjik që nga pavarësia e vendit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë