Rritja e vendbanimeve shton sasinë e mbeturinave në RMV

    Sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të grumbulluara në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2024 është 637.471 ton. Krahasuar me vitin 2023, sasia totale e mbeturinave komunale, të grumbulluara në vitin 2024, është rritur me 2.5 për qind. Rritja është për shkak të rritjes së numrit të vendbanimeve të përfshira në sistemin kolektiv të grumbullimit të mbetjeve, shkruan gazeta Koha.

    Sasia më e madhe e mbeturinave komunale të grumbulluara gjatë vitit 2024 është regjistruar në rajonin e Shkupit, ku janë mbledhur gjithsej 180.729 ton, që përbën 28.4 për qind të sasisë së përgjithshme të mbeturinave të grumbulluara në nivel kombëtar. Kjo shifër tregon qartë se si zonat urbane, si kryeqyteti, gjenerojnë sasi të dukshme më të larta mbeturinash për shkak të dendësisë më të madhe të popullsisë, zhvillimit ekonomik dhe konsumit të shtuar.

    Nga e gjithë kjo sasi e mbeturinave, 84 për qind ose 535.606 ton janë grumbulluar nga amvisëritë, që do të thotë nga shtëpitë dhe familjet në vend. Ndërkohë, pjesa tjetër prej 16 për qind vjen nga persona juridikë dhe fizikë, pra nga biznese, institucione dhe aktivitete komerciale, të cilat kontribuojnë me të ashtuquajturat mbeturina komerciale. Kjo ndarje ndihmon të kuptohet më qartë burimi i mbeturinave dhe është thelbësore për hartimin e politikave më efektive për menaxhimin e tyre.

    Sipas llojeve të mbeturinave, sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara janë mbeturinat e përziera komunale – 546,866 ton ose 85.8 për qind, dhe sasia më e vogël janë mbeturinat e gomës – 1,136 ton ose 0,2 për qind e sasisë së përgjithshme të mbeturinave të grumbulluara komunale.

    Sasia totale e mbetjeve komunale të gjeneruara në vitin 2024 është 790.866 ton. Sasia vjetore e mbetjeve komunale të gjeneruara për frymë në vitin 2024 është 438 kg, që është 12.9 për qind më pak se në vitin 2023.

    Sasia më e madhe e mbeturinave komunale të grumbulluara, 99.8%, derdhet në deponi. Sipas përbërjes, pjesa më e madhe e mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2024 përbëhet nga mbetje të përziera, me një sasi prej 546.866 ton, që përfaqëson pjesën dërrmuese të totalit. Kjo kategori përfshin të gjitha llojet e mbetjeve që nuk janë ndarë sipas materialit apo përbërjes, çka tregon për mungesën e sistemit të ndarjes në burim dhe sfidat që lidhen me riciklimin dhe trajtimin efikas të mbeturinave.

    Pas tyre, në vend të dytë renditen mbetjet organike, me 33.175 ton, të cilat zakonisht vijnë nga mbetjet ushqimore dhe kopshtarie dhe kanë potencial të madh për kompostim, nëse trajtohen siç duhet. Më pas vijnë mbetjet plastike me 16.852 ton, një kategori që ka ndikim të madh mjedisor për shkak të kohëzgjatjes së dekompozimit të plastikës në natyrë.

    Letra zë një sasi prej 12.347 ton, ndërsa metalet janë të përfaqësuara më pak, me 2.435 ton, megjithëse kanë vlerë të lartë në tregun e riciklimit. Këto të dhëna tregojnë një dominim të mbetjeve të papërpunuara dhe të pa ndara, duke theksuar nevojën për ngritjen e kapaciteteve për ndarje selektive dhe riciklim.

    Lajmi Paraprak

    Stabiliteti qeveritar në pikëpyetje!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë