Rritje rrogash ose padi institucioneve të kulturës

    Sindikata e punonjësve të kulturës përmes një letre drejtuar të gjitha institucione të kulturës kërkon që të korrigjohen pagat e punonjësve sipas pagës minimale, në të kundërt çdo cenim, ose kufizim i pagës në kundërshtim me Marrëveshjen kolektive do të konsiderohet si një shkelje flagrante e të drejtave të marrëdhënieve të punës. SPKM i ka njoftuar publikisht drejtuesit të të gjitha institucioneve të kulturës për pasojat e mosrespektimit të të drejtave të punonjësve, në rast se ato përmes personave të autorizuar apo kontabilistëve përgjegjës tentojnë të shkurtojnë, kufizojnë apo heqin të drejtën e pagës së punonjësve duke mos respektuar pagën minimale bruto të publikuar dhe duke mos kryer pagesën sipas nenit 65 të Marrëveshjes Kolektive për Kulturë.

    “Të premten, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale shpalli pagën e re minimale për vitin 2024. Me Marrëveshjen Kolektive për Kulturë, bazë për llogaritjen e pagës është paga minimale. Sipas Kontratës së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik nga shtatori 2023, paga bazë bruto e punonjësve të sektorit publik rritet me 10%. Ministria e Kulturës duhet të respektojë këto dy dispozita të dy Marrëveshjeve Kolektive dhe në këtë mënyrë të paguajë pagën e punonjësve të kulturës për muajin mars. Institucionet e kulturës duhet të përgatisin pagën për muajin mars në përputhje me Marrëveshjen Kolektive për Kulturë dhe Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik. Kushdo që përgatit dhe paguan pagën e muajit mars pa respektuar të drejtat e punës së punonjësve në kulturë, do të mbajë pasojat. Ju njoftojmë se do të fillojmë procedurën penale kundër të gjithë personave përgjegjës për veprën penale -Shkelja e të drejtave të marrëdhënies së punës, ku qartësisht përcaktohet se personi i cili me vetëdije nuk zbaton ligjin, rregulloren tjetër ose kontratën kolektive……, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Çdo ulje, kufizim apo tërheqje e së drejtës së pagës, do të konsiderohet si e vetëdijshme dhe a do të kërkohet dënimi më i rreptë për autorët e krimit”, thonë nga Sindikata.

    Një javë më parë sindikalistët i kërkuan Ministrisë së Kulturës që t’u japë udhëzime të sakta për përgatitjen e vendimeve individuale për pagesën e pagave të punonjësve të kulturës. Kjo për shkak se vendimet e marra në mënyrë të paligjshme në tetor 2023, për rritjen e pagave prej 10 për qind nuk janë më të vlefshme që nga 29 shkurti i këtij viti. “Në vend që të hartonin akte/vendime të reja për pagesën e pagave sipas kundërshtimeve të marra, disa nga drejtorët e institucioneve iu drejtuan Ministrisë së Kulturës për veprime të mëtejshme, por asnjëherë nuk morën përgjigje nga aty. Vetëm me një akt/vendim/marrëveshje individuale të hartuar në këtë mënyrë do të respektohet në mënyrë të vazhdueshme e drejta e pagës e punonjësve dhe do të shmangen procedurat shtesë për ushtrimin e kësaj të drejte të përcaktuara në mënyrë shumë të qartë dhe të saktë me ligj dhe marrëveshje kolektive”, thonë nga sindikata.

    Sindikata ka propozuar që me udhëzimet shtesë që duhet t’u jepen institucioneve të kulturës për përgatitjen e aktit/vendimit/kontratës individuale të punës, të theksohet konkretisht se paga bazë bruto për kohë të plotë- për punonjësit e kulturës përcaktohet në mënyrë që shuma e pagës minimale bruto, e publikuar në përputhje me ligjin, të shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të grupit ose nëngrupit të cilit i përket vendi i punës të cilit i caktohet punëtori, dhe në përputhje me nenin 14 të Kontratës së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik, kjo pagë e llogaritur të rritet me 10%. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë duhet të bëjnë Ukraina dhe Moldavia që të bëhen anëtare të BE-së?

    Lajmi i rradhës

    Deri në fund të vitit 2026 duhet të ndërtohet autostrada Kërçovë – Ohër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë