RROGAT NË RMV, “PA TAKAT” PËR TË PËRBALLUAR HARXHIMET MUJORE PREJ 840 EURO

    Përderisa qytetarët po presin ulje për 10 për qind të produkteve ushqimore të premtuar nga ekzekutivi, jetesa në vend po bëhen gjithnjë e më shtrenjtë. Në muajin nëntor inflacioni arriti në 19.5 për qind. Njëherësh është shënuar shtrenjtimi i madh i ushqimeve, rrymës, ngrohjes e kështu me radhë. Nga ana tjetër rritja e pagës mesatare nuk po e ndjek ritmin e shtrenjtimeve të mëdha. Një familje me katër anëtar tani i nevojiten afër 300 euro më shumë për të përmbushur nevojat minimale të jetesës për një muaj, në raport me një vit më parë. Rritjen e madhe të kostos së jetesës e tregojnë edhe përllogaritjet e sindikatës. Sipas Lidhjes së Sindikatave vlera e shportës konsumatore në tetor të këtij viti arriti në 51.514 denarë që është për afër 17 mijë denarë më shumë në raport me 34.573 denarë sa ka qenë vlera e shportës në tetor të vitit të kaluar.

    MUAJI KUSHTON 840 EURO

    Me fjalë të tjera për të kapërcyer muajin një familje i duhet së paku 840 euro, në raport me 550 euro sa ishte vlera e saj një vit më parë. Thënë ndryshe, shuma prej mbi 800 euro nevojitet për një familje prej 4 anëtarësh, e cila jeton në banesë prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon veturë. Në këtë vlerë janë llogaritur afër 330 euro për ushqim dhe pije, për banim janë llogaritur 210 euro, për higjienë afër 2900 denarë, për transport 3600 denarë, për veshmbathje afër 2200 denarë, ndërsa për kulturë 1070 denarë dhe për kujdesin shëndetësor janë llogaritur 800 denarë. Gjithashtu buka ka arritur në koston e 40-50 denarëve, qumështi 80-90 denarë, dhjetë vezë me çmimin prej 100 denarë, ndërsa është liruar vetëm çmimi i vajit në 120-130 denarë nga 180 denarë. Ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se ushqim do të ketë, por për shkak të luftës në Ukrainë, çmimet e prodhimeve ushqimore do të shtrenjtohen. Për më tepër situata ishte e ndërlikuar edhe më parë në furnizimin me ushqim në nivel global si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike dhe pandemisë.

    Vlerësohet se si vend më shumë na godet çmimi i disa produkteve bujqësore dhe ushqimore të cilat nuk i prodhojmë në sasi të mjaftueshme dhe të cilat importohen, përderisa jemi dëshmitarë se çmimet janë rritur seriozisht. Ne jemi të varur nga importi për disa produkte, por fatkeqësisht këto janë produktet ushqimore bazë, kryesisht gruri (mielli), vaji i gatimit, mishi (pule dhe viçi), qumështi. Nga ana tjetër, zbutje e çmimeve vërehet tek çmimet e benzinës dhe naftës që luhaten ndërmjet 76 dhe 79 denarë në raport edhe mbi 100 denarë sa ishin muajt e kaluar por edhe me 71 dhe 60 denarë sa ishin vitin e kaluar. Ulja e madhe e çmimeve të naftës në bursat botërore ka ndikuar edhe në uljen e çmimeve në tregun vendor. Energjia elektrike nga një janari u shtrenjtua me 9.5 për qind, dhe me 7.4 për qind nga muaji korrik ndërsa pritet të shtrenjtohet për së paku pesë për qind me rritjen e TVSH-së nga 5 në 10 për qind, apo në total kemi rritje prej mbi 20 për qind.

    PAGA MESATARE

    Nga ana tjetër për një vit, përkundër shtrenjtimit të jetesës për 50 për qind, kemi rritje të pagës mesatare për 4000 denarë, apo nga 28.869 denarë në 32.553 denarë. Vetëm pagat e punëtorëve në mesatare në fabrikat e vendit janë rritur nga 24.237 në 28.570 denarë, ndërsa pagat në fabrikat e veshmbathjes janë rritur nga 18.439 në 22.500 denarë. Njëherësh, edhe paga mesatare nuk pasqyron realitetin e pagave për shkak se mbi 40 mijë punëtorë në prodhimin e tekstilit pranojnë paga prej afër 350 euro , tregojnë të dhënat statistikore. Nga totali i të punësuarve në privat dhe punë shteti së bashku, më shumë se 100 mijë punëtorë pranojnë pagën minimale, tregojnë të dhënat e Konfederatës së Sindikatave. Rritja e pagave në sektorin publik në periudhën e ardhshme do të varet nga metodologjia e re për rritjen e pagave, rezultateve në vendin e punës, marrëveshjeve kolektive që pritet të nënshkruhen deri në fund të këtij viti, si dhe nga rritja e harxhimeve të jetesës dhe rritja e pagës mesatare.

    Ekzekutivi ka paralajmëruar se gjatë rritjes së ardhshme të pagave në sektorin publik do të merret parasysh edhe rritja e produktivitetit së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofron administrata për sektorin privat, që edhe i siguron mjetet financiare për pagat e tyre. Nga Ministria e Punës dhe Politikave Sociale, kanë paralajmëruar se metodologjia e re e pagave në sektorin publik do të jetë gati deri në vitin e ri, ndërsa do të zbatohet që nga janari i vitit 2023. Nga ky dikaster thonë se në muajin mars të vitit të ardhshëm planifikohet të ketë rritje të re të pagës minimale, apo e pagës minimale me parametrat e sistemit të vendosur nga muaji mars i këtij viti për harmonizimin e pagës minimale, 50 për qind me koston e jetesës, pra me inflacionin dhe 50 për qind me rritjen e pagës mesatare. Pritet që paga minimale të rritet për 10 për qind, apo për 1800 denarë dhe të arrijë në 19.800 denarë. Rritja e pagës minimale do të rrisë edhe pagat në sektorin privat dhe publik, tregojnë përvojat e viteve të kaluara. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Fëmijët që nuk bëjnë mjaftueshëm gjumë, kanë rezultate më të dobëta në shkollë

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE akuzon Qeverinë për korrupsion, kërkon zgjedhje të reja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë