Rusia ia ndal gazin Finlandës

    Kompania ruse Gazprom ka ndalur eksportet e gazit për Finlandën fqinje, ka thënë kompania shtetërore finlandeze, Gasum më 21 maj.

    Gazprom u ka kërkuar shteteve evropiane të paguajnë gazin rus në rubla për shkak të sanksioneve të pashembullta të Perëndimit ndaj Moskës, si pasojë e sulmit të paprovokuar ndaj Ukrainës.

    Finlanda ka refuzuar një kërkesë të tillë.

    “Importet e gazit përmes pikës hyrëse Imatra janë ndalur”, ka thënë Gasgrid Finland përmes një deklarate.

    Imatra është pikë hyrëse e gazit rus në Finlandë.

    Gazprom ka konfirmuar se ka ndalur “plotësisht dërgesat e gazit” pasi nuk ka pranuar pagesa në rubla “deri në fund të 20 majit”.

    Gasum ka thënë se gazi natyror do të sigurohet nga rrugë tjera që lidhin Finlandën me Estoninë.

    Gasum, Qeveria finlandeze dhe kompani tjera të gazit në Finlandë, kanë thënë se janë të përgatitura për një ndalje të tillë dhe se ky shtet do ta menaxhojë situatën edhe pa gazin rus.

    Hapi i palës ruse vjen pas vendimit të Finlandës për të aplikuar për anëtarësim në NATO, teksa synon të rrisë sigurinë, e nxitur nga agresioni rus në Ukrainë.

    Moska tashmë ka ndalur gazin edhe në shtetet tjera, përfshirë Bullgarinë dhe Poloninë, pasi edhe këto shtete nuk kanë respektuar kërkesat për pagesë në rubla.

    Pjesa më e madhe e gazit që përdor Finlanda hyn në të përmes Rusisë, mirëpo gazi përbën vetëm pesë për qind të konsumit vjetor të energjisë në këtë shtet. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Putini nuk е përmendi aspak Pendarovskin dhe Vuçiqin në fjalimin e tij

    Lajmi i rradhës

    Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO me ndikim edhe në Ballkan

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë