Sa i kushton RMV-së një i burgosur për një vit!

    Shteti paguan më shumë se 10 mijë euro në vit për një të burgosur, bëri të ditur drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov. Ai theksoi se nëse shqiptohen më shumë dënime me kusht në vend të dënimeve me burg, do të zvogëloheshin shpenzimet, por do të ulej edhe mbipopullimi i burgjeve. Ende nuk janë vënë në përdorim hallkat elektrikë që duhet t’i mbajnë të burgosurit që janë të dënuar me dënim me kusht.

    “Një i burgosur në Maqedoni tani pak a shumë, prapë do të them varet nga burgu, është rreth 2000 denarë ose 35 euro, pra kjo është në nivel vjetor mbi 10 mijë euro për një të burgosur. Sigurisht, nëse do të shqiptoheshin dënime me kusht, nëse do të vendoseshin, do të flisnim edhe për hallkat, të cilat tashmë dhjetë vite presim të vihen në funksion. Jam optimist se nëse jo deri në fund të vitit, deri në fund të vitit të ardhshëm do të vihen në funksion”, deklaroi Aleksandar Pandov, drejtor i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

    Duke folur për këtë temë, gjykatësja Biljana Kocevska nga Gjykata Themelore Penale Shkup theksoi se në shtet ekzistojnë mekanizma për t’u kontrolluar të dënuarit me kusht.

    “Kemi mënyrë dhe mundësi për të mbikëqyrur sjelljen e personave të dënuar në kohën e kontrollit, në mënyrë që nëse nuk i përmbushin obligimet e tyre në atë rast, revokohet dënimi me kusht, kështu që, besoj se në këtë mënyrë të gjithë do të kontribuojmë realisht në ndryshimin e përshtypjes së përgjithshme në opinion se të dënuarit me kusht mbeten të pandëshkuar”, tha Biljana Kocevska, gjykatëse në Gjykatën Penale Shkup.

    Në evenimentin e sotëm për tejkalimin e sfidave të mbipopullimit të burgjeve të organizuar nga Shoqata e Juristëve të Rinj, Pandov po ashtu tha se në të ardhmen pritet repart paraburgimi krejtësisht i ri për gjithsej 400 persona në burgun e Idrizovës. Ai nuk e konkretizoi numrin e saktë të të burgosurve në çdo burg individualisht, por theksoi se aktualisht janë rreth 50 persona që vuajnë dënim me burg të përjetshëm. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “TENDERËT” E SHTETIT | Asnjë kompani shqiptare në top dhjetëshin

    Lajmi i rradhës

    Taravari: ka mungesë të personelit mjekësor në çdo institucion shëndetësor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë