Sa para harxhuan partitë dhe kandidatët për deputetë për reklama gjatë fushatës zgjedhore

    Tre televizione do të marrin pjesën më të madhe të kulaçit shtetëror për reklamat partiake në fushatën zgjedhore. Dy partitë maqedonase shpenzuan më së shumti para për reklama politike. Por, llogaritjet për pagesën e reklamave politike nuk përfshijnë paratë për postimet e sponsorizuara në rrjetet sociale, përcjell Nistori.

    Për premtimet politike për drejtësi, të ardhme evropiane dhe standard më të mirë jetese, si dhe për “fushatën e zezë”, të cilën qytetarët e dëgjuan në televizion dhe radio për mbi 500 orë gjatë një muaji e gjysmë, partitë do të paguhen mbi 7 milionë euro nga arka e shtetit për zgjedhjet e dyfishta, sipas përllogaritjeve nga të dhënat e publikuara nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive.

    Nga Komisionin Shtetëror i Zgjedhjeve për Radio Evropa e Lirë thonë se shërbimet e tyre ende janë duke i përpunuar faturat e marra nga mediat për reklamat, kështu që raporti përfundimtar nuk është gati dhe për këtë arsye nuk u janë paguar paratë.

    Sipas rregullave zgjedhore, afati që mediat t’i marrin paratë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është 30 ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

    Partitë maqedonase shpenzuesit më të mëdhenj

    Sipas të dhënave të deritanishme, dy partitë më të mëdha maqedonase LSDM dhe VMRO DPMNE dhe kandidatët e tyre për president kanë qenë shpenzuesit më të mëdhenj në fushatën zgjedhore.

    Për reklamat e kandidatit për president nga koalicioni i LSDM-së Stevo Pendarovski janë planifikuar 1,4 milionë euro, ndërsa për kundërshtaren e tij që fitoi zgjedhjet, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, 1,2 milionë euro, tregojnë llogaritjet e çmimoreve në krahasim me minutat e transmetimit.

    Për kundërshtarët e tyre nga blloku politik shqiptar, Bujar Osmani dhe Arben Taravari, nga buxheti i shtetit pritet të ndahen gati gjysmë milioni euro për reklama televizive dhe në radio.

    Për LSDM-në janë planifikuar më shumë para edhe për reklamat politike, në krahasim me VMRO-DPMNE. Reklamat e LSDM-së do të kushtojnë gati 750 mijë euro, ndërsa të VMRO-DPMNE-së 700 mijë euro.

    Në bllokun politik shqiptar koalicionet e udhëhequra nga BDI dhe VLEN, patën të drejtë të përdorin reklama në kurriz të arkës shtetërore me vlerë rreth gjysmë milioni euro.

    Nga 10 milionë euro buxheti për reklama “të rënda” politike, 6 milionë euro janë ndarë për reklama televizive. Prej tyre, më së shumti para do të shkojnë në llogaritë e tre televizioneve me vlerë 2.5 milionë euro, nga të cilat gati 900 mijë euro i jepen TV Sitel, 827 mijë euro Kanal 5, ndërsa 794 mijë euro Alsat M. Radiot kombëtare dhe lokale, sipas të dhënave të publikuara deri më tani do të marrin më shumë se 500 mijë euro.

    Po ashtu, në këtë buxhet të KSHZ-së janë përfshirë edhe paratë e parapara për reklama zgjedhore në billborde dhe mediat online.

    Këto 10 milionë euro, të cilat pjesërisht do të transferohen nga llogaria e KSHZ-së në mediat e vendit për reklamat politike, janë paraparë me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor në vitin 2018, kur deputetët vendosën që me ligj të rregullohen shpenzimet partiake për propaganda parazgjedhore të paguhet nga shteti.

    Të paktën 75 mijë euro janë shpenzuar për “boost” në Facebook

    Por, në këto para nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për fushatën zgjedhore nuk përfshihen videot e politikanëve të publikuara në rrjetet sociale dhe të paguara nga llogaritë partiake. Rrjetet sociale janë të mbushura me video të shkurtra me mesazhe politike, disa prej të cilave janë të sponsorizuara, kryesisht të paguara nga llogaritë partiake.

    Sipas llogaritjeve të Radios Evropa e Lirë, të paktën 75 mijë euro nga llogaritë e partive janë shpenzuar për postime të sponsorizuara në rrjetin social Facebook.

    Shpenzuesi më i madh në Facebook është lideri i VMRO-DPMNE-së, i cili ka gjasa të jetë kryeministri i ardhshëm, Hristijan Mickoski, me rreth 23 mijë euro të shpenzuara për sponsorizimin e gati 80 videove të shkurtra në Facebook, sipas të dhënave të Meta-s.

    Pas tij në listë është lideri i dorëhequr i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, me 12.000 euro të paguara nga llogaria e partisë në Facebook për sponsorizimin e mbi 50 video-mesazheve të shkurtra për qytetarët.

    Liderët e ZNAM-it dhe Alternativës Maxim Dimitrievski dhe Afrim Gashi, të cilët janë në negociata për krijimin e shumicës parlamentare, kanë shpenzuar në Facebook nga rreth 10 mijë euro.

    Pas tyre në listën me më së shumti para të investuara në platformën sociale Facebook janë liderët e Besës, Lëvizjes Demokratike dhe Aleancës për Shqiptarët, Bilal Kasami, Izet Mexhiti dhe Arben Taravari me postime të sponsorizuara në vlerë prej rreth 5 mijë euro secili.

    Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ndonëse ka faqen e tij të fansave në Facebook, nga profili i tij janë sponsorizuar pak video me vlerë rreth një mijë euro.

    Sipas analistëve politikë, publikimi i financuar i mesazheve politike në rrjetet sociale hyn në një “zonë gri”, pasi ky segment nuk është i rregulluar në kodin zgjedhor. Kandidatët për president dhe kryetarë të partive politike kanë nisur të promovohen në platforma edhe para fillimit zyrtar të fushatës, por edhe gjatë heshtjes zgjedhore.

    Sa para shpenzohen për reklama opsionale në platformat sociale është e disponueshme publikisht vetëm për rrjetin social Facebook dhe pjesërisht për Instagram, ndërsa nuk ka të dhëna të disponueshme publikisht për platformën Tik Tok.

    Lajmi Paraprak

    Secila parti me skemë të veçantë për punësimet në sektorin publik

    Lajmi i rradhës

    “El Hilali” e filloi aktivitetin human për grumbullimin e kurbanave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë