Scholz i bindur që Putin nuk do ta fitojë luftën në Ukrainë

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se tre muaj të luftës kanë treguar se presidenti rus, Vladimir Putin nuk do ta fitojë luftën në Ukrainë dhe nuk mund të diktojë kushte për ndonjë marrëveshje rreth luftimeve.

    Duke folur në ditën e fundit të Forumit Ekonomik Botëror, që mbahet në Davos të Zvicrës, Scholz ka thënë se pushtimi i gjithë Ukrainës “duket më larg tani sesa në fillim të luftës”.

    Pas përpjekjeve të dështuara për të marrë kontrollin e dy qyteteve të mëdha të Ukrainës, Kievin dhe Harkivin, Moska e ka kthyer fokusin në rajonet lindore, ku prej vitit 2014 mbështetet luftimet e separatistëve në ato zona.

    “Putin nuk duhet ta fitojë këtë luftë dhe jam i bindur se nuk do ta fitojë”, ka thënë Scholz.

    Disa ditë më parë, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka sugjeruar se rikthimi në një “status quo”, para pushtimit rus të 24 shkurtit, do të ishte ideal.

    Mirëpo Scholz ka thënë se një skenar i tillë nuk është opsion pasi nënkupton se Krima, e aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Rusia më 2014, dhe rajonet lindore të kontrolluara nga separatistët, të konsideroheshin të humbura nga Ukraina.

    “Nuk do të ketë paqe të diktuar”, ka shtuar Scholz.

    “Ukraina nuk do ta pranojë këtë, dhe as ne”.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Abazoviq konfirmon pjesëmarrjen në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur

    Lajmi i rradhës

    Përdorimi i drogave në rritje, rehabilitimi jashtë Kosovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë