Pa Strugën, nuk ka kuptim prezenca e Aleancës për Shqiptarët brenda Frontit Evropian, është mesazhi i qartë i kreut të ASH-së, Ziadin Sela para bisedimeve për ndarjen e komunave brenda Frontit në prag të zgjedhjeve lokale. Në këtë mënyrë, Sela tregoi se nuk mund të ketë kompromis të tilla për lokalet, apo nëse do të varej nga vullneti vetëm i Ahmetit apo edhe i fatit nëse do të bëhet bashkë apo jo me Taravarin.
“Natyrisht që Struga duhet t’i takojë Aleancës për Shqiptarët, as nuk duhet të diskutohet kjo. Përndryshe ç’kuptim do të kishte Aleanca për Shqiptarët në kuadër të Frontit Evropian. Prandaj, as nuk diskutohet kjo gjë por jemi në proces sepse Fronti Evropian përveç këtij dimensioni, ka edhe dimensionin tjetër të mbrojtjes së disa kauzave të cilat janë rishfaqur”, tha Ziadin Sela – ASH/FE.
Negociatat për ndarjen e komunave brenda Frontit ende po vijojnë – tha deputeti i BDI-së, Ilir Hasani. Do të plotësohen të gjitha dëshirat – tha Hasani, por pa dhënë afate, edhe pse Sela e ka shtruar këtë cështje që në fillim të vitit, para se edhe Taravari të dilte nga VLEN.
“Krejt këto diskutime janë në fazë të zhvillimit, dhe janë diskutime që bëhen mes liderëve të Frontit Evropian. Sigurisht se ka shtypje, kërkesa, mospajtime. Unë besoj se shumë shpejtë do të rregullohen dhe të gjitha dëshirat dhe kërkesat do të plotësohen për shkak se Fronti Evropian është shtëpi e madhe nuk është shtëpi e vogël, ka çfarë të japë për të gjithë”, u shpreh Ilir Hasani – BDI.
Pavarësisht se nuk ka asgjë zyrtare lidhur me ndarjen e komunave, sipas deklaratave të fundit të eksponentëve politikë, pretendohet që 6 komuna t[i jenë premtuar Taravarit ndërsa Aleanca e Selës të mund të mbetej vetëm me Haraçinën. /Alsat/