ShBA-ja dënon përdorimin “barbar” të forcës kundër civilëve në Ukrainë

    Shtëpia e Bardhë e ka dënuar përdorimin “barbar” të forcës kundër civilëve, pasi sulmet ajrore ruse goditën një spital të fëmijëve dhe maternitetin në Mariupol të Ukrainës.

    “Është e tmerrshme të shohësh këtë lloj të përdorimit barbar të forcës ushtarake kundër civilëve të pafajshëm në një shtet sovran”, tha Sekretarja për Media, Jen Psaki.

    Në sulmin ajror në Mariupol janë plagosur të paktën 17 persona, tha një zyrtar ukrainas.

    Ky sulm ndodhi teksa hapja e korridoreve humanitare mundësuan që civilët të evakuohen nga qytetet e rrethuara ukrainase, por marrëveshja për evakuimin e civilëve nuk është respektuar plotësisht pas vazhdimit të luftimeve.

    Edhe Vatikani e ka dënuar këtë sulm, duke e quajtur të papranueshëm.

    “Bombardimi i spitaleve është i papranueshëm. Nuk ka asnjë arsye, asnjë motiv për një gjë të tillë”, tha Sekretari i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

    Ndërkaq, autoritetet në qytetin e Mariupolit thanë se dëmet ishin “kolosale”, ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se nën rrënoja ka edhe fëmijë. Ai e quajti këtë sulm “mizori”, teksa autoritetet ende janë duke punuar për të kuptuar numrin e saktë të viktimave.

    Sipas Associated Press, dridhjet e tokës janë ndjerë dy kilometra larg ndërtesës së spitalit në Mariupol, që u godit nga një seri shpërthimesh.

    Policia dhe ushtarët dolën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në rrjete sociale u publikuan pamjet e shpëtimit të një gruaje shtatzënë, e cila ishte e gjakosur dhe po bartej me barelë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Gjeniu i turmave”

    Lajmi i rradhës

    Benzema me 309 gola të shënuar kalon legjendën, Alfredo di Stefanon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë