Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e deklarimit të përkatësisë etnike gjatë punësimeve, prë vetë gjykatësin e kushtetueses, Osman Kadriun është jokushtetues, ndërsa po ashtu thotë se është sjellë pastër edhe mbi baza nacionale.
“Për dy çështje. Çështja e parë, e theksova dhe e përsëris, me abrogimin e këtyre dispozitave faktikisht dhe juridikisht, de facto dhe de jure, abrogohet edhe aplikimi i kushtetues për përfaqësimin të drejtë dhe adekuat, me qenë se ligji në fjalë që abrogohet tani, është mjeti dhe mekanizmi juridik-kontrollues për zbatimin e të drejtës kushtetuese. E dyta, për të cilën jam i obliguar ta informoj opinionin, vendimi është sjellë në baza nacionale, me mbivotim, ndërsa vendoset për të drejtat, shkëputen, abrogohet e bashkësive joshumicë në Maqedoni”, tha Osman Kadriu – Gjykatës Kushtetues.
Nuk përjashton presionin politik edhe nga ndonjë parti politike, por thotë se këtë nuk mund ta vërtetojë.
Që në të ardhmen të mos ketë mbivotim të këtillë të bashkësive joshumicë për çështje që lidhen direk me to, Kadriu e sheh si domosdoshmëri që edhe brenda Kushtetueses të ketë mekanizëm për votim të dyfishtë, siç e ka Kuvendi “Badenterin”.
“Edhe në Gjykatën Kushtetuese në qoftë se vlerësohet, për këto ligje të zbatohet një mekanizëm i cili do ta pengonte mbivotimin”, potencoi Osman Kadriu – Gjykatës Kushtetues.
Vendimi i Kushtetueses, të cilin Kadriu gjithashtu e quan jolegjitim, sipas tij prodhon edhe efekte të dëmshme për shtetin, që përveç pasojave juridike mund të sjellë pasoja politike.
Deri në miratimin e Ligjit të ri përfaqësimin të drejtë, sipas Kadriut, çështja e përfaqësimit do të ngelet pezull, pasi që institucionet do të thirren vetëm në parimin kushtetues, e se si do të zbatohet do të jetë pastër vullneti i lirë i tyre dhe siç shton gjykatësi, aty do të ketë edhe keqpërdorime e mosrespektime…
“Po është krijuar tash një kaos juridik. Të mos flas për kaos politik, për politikën le të vendosin politikanët, mua më intereson si jurist dhe gjykatës kushtetues pasojat juridike. Sa konkurse, sa shpallje ka pasur të hapura, kanë ngelur pezull, institucionet nuk dinë si të vendosin…
-Politika thotë se punësime do të ketë…
-…se gjykata kushtetuese i ka ndërprerë ato procese tani…
-U tha nga një zëvendëskryeministër që punësime do të ketë dhe do të bazohen në Kushtetutë, në nenin 6 të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
-Ajo në rregull është, le të zbatohet. Por nëse zbatohet dhe jemi të bindur se nuk do të ketë keqpërdorime dhe do zë bazohet, atëherë vallë nuk ka nevojë të miratohet ligj i veçantë. Pse të bëjmë ligj të veçantë? Po miratojmë ligj të veçantë se edhe kur kemi ligj të veçantë përsëri vjen në pyetje dhe has sharra në gozhdë në moszbatimin e të drejtave që garanton kushtetuta e në qoftë se nuk ka as ligj, atëherë do të ketë vullnetarizëm të theksuar, që të vendosë kush si të dojë, përgjegjësi nuk do të ketë”, u shpreh Osman Kadriu – Gjykatës Kushtetues.
Vendimi vlen vetëm për Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për zyrtarët administrativë
“Ky vendim aplikohet vetëm për këto dy sfera të inkuadrimeve. Assesi nuk ka të bëjë me përfaqësimin në institucionet e tjera, sidomos me përfaqësimin në institucionet me emërimin e bartësve të funksioneve konkrete”, theksoi Osman Kadriu – Gjykatës Kushtetues.
Kjo nënkupton se “Badenteri” në Kuvend nuk cenohet, pasi deputetët do të mund të deklarojnë përkatësinë etnike.
Ligjin e ri për përfaqësim të drejtë, që ende nuk është hedhur në debat, por është paralajmëruar nga politika që për të njëjtin do të kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias, Kadriu është i mendimit se mendimi nga ky Komision duhet marrë para se Ligji të sillet në Kuvend. /TV21/